Ura Vajgurore, Berat, 18 mars 2024. Në një atmosferë të ngrohtë dhe të frymëzuar nga pasioni për të mbrojtur planetin tonë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “5 Maji”, Ura Vajgurore, Dimal, kujtuan Ditën Botërore të Riciklimit, duke u bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme që realizohen në kuadër të kësaj dite në gjithë botën. Aktiviteti kishte si qëllim sensibilizimin e nxënësve për rëndësinë e veprimeve të tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe për të promovuar praktikat e mira të riciklimit dhe ripërdorimit.
Në këtë aktivitet, nxënësit u fokusuan në të katër fazat kryesore të menaxhimit të mbetjeve: Reduktimi, Ripërdorimi, Riciklimi dhe Rinovimi. Për shkak të një diskutimi të hollësishëm, ata u ndërgjegjësuan për ndikimin e veprimeve të tyre të përditshme në planetin tonë dhe për rëndësinë e kujdesit për mjedisin për të ardhmen e brezave të ardhshëm.
Në një aktivitet praktik, nxënësit morën pjesë në procesin e riciklimit të shisheve plastike, duke i transformuar ato në diçka të dobishme dhe të përdorshme. Me kreativitetin e tyre, ata shndërruan shishe plastike në mbajtëse lapsash, duke treguar se edhe materialet më të zakonshme mund të ri-përdoren për të krijuar diçka të vlefshme dhe të qëndrueshme për mjedisin tonë. Pas këtij aktiviteti të suksesshëm, nxënësit u inkurajuan të vazhdojnë të praktikojnë sjellje të qëndrueshme dhe të ndërmarin veprime konkrete për të bërë një ndryshim pozitiv në uljen e mbetjeve plasike në mjedis.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat, si një iniciativë e përbashkët për të zhvilluar orë të edukimit mjedisor me shkollat e zonës.