Çfarë kërkon (realisht) BE-ja?

Përpjekja e fundit e Kryeministrit Edi Rama për ta paraqitur rezolutën e Parlamentit Evropian si një lloj vulosjeje të politikave të qeverisë së tij ndaj zonave të mbrojtura është një tjetër ushtrim propagandistik që nuk i mbijeton leximit të ftohtë të tekstit të miratuar më 17 qershor. Pretendimi se Parlamenti Evropian paska “ndarë shapin nga sheqeri” dhe se zhvillimi i planifikuar në Zvërnec nuk ka lidhje me shqetësimet për Vjosë-Nartën, rrëzohet pikërisht nga amendamenti 46a, i cili përbën jo vetëm një ashpërsim të qartë të gjuhës së përdorur ndaj Shqipërisë, por edhe një sqarim politik të domosdoshëm përballë mjegullnajës së propagandës së prodhuar prej muajsh në Tiranë.

Në rezolutën e majit, Parlamenti Evropian shprehte “keqardhje të thellë” për zgjatjen e ligjit të Investimeve Strategjike dhe për ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Vetëm një muaj më vonë, përballë agravimit të situatës, gjuha diplomatike është ashpërsuar. “Keqardhja” ka lënë vend për “shqetësimin serioz”, një ndryshim që në diplomaci nuk është çështje semantike, por sinjal politik. Nëse keqardhja është një ndjenjë që të shtyn drejt pasivitetit, shqetësimi serioz të shtyn drejt reagimit dhe veprimit. Dhe pikërisht veprimi konkret që propozon Parlamenti Evropian është vendosja e një moratoriumi të menjëhershëm mbi procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe çdo ndërhyrje zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ligjit të vitit 2024.

Kjo është arsyeja pse pretendimi se Parlamenti Evropian paska ndarë Vjosë-Nartën nga Zvërneci është jo vetëm i pasaktë, por krejt i kundërt me atë që thotë vetë amendamenti. Për herë të parë, Parlamenti Evropian identifikon shprehimisht zhvillimet në Vjosë-Nartë si provën konkrete të pasojave të ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe ndjek nga afër protestat paqësore qytetare që kanë lindur si reagim ndaj tyre. Pra, ndërsa propaganda zyrtare ka tentuar t’i paraqesë protestuesit si pengues të zhvillimit apo viktima të “dizinformimit”, Parlamenti Evropian i njeh ata si shprehje legjitime të një shqetësimi real për mbrojtjen e një ekosistemi me rëndësi evropiane.

Në fakt, amendamenti 46a ka një rëndësi edhe më të madhe. Ai largon retë e mjegullnajës që janë krijuar qëllimisht në Tiranë dhe janë përhapur përmes një dikotomie artificiale të ndërtuar mes Raportit të Progresit, piketave përmbyllëse të Kapitullit 27 dhe deklaratave të fundit të Komisioneres për Zjerimin Znj. Marta Kos. Prej muajsh është tentuar të krijohet përshtypja se ekziston një mospërputhje midis qëndrimeve të Komisionit Evropian dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile. Por Parlamenti Evropian e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë kontradiktë. Përkundrazi, amendamenti i ri vendos në të njëjtën linjë raportin, piketat përmbyllëse të Kapitullit 27 dhe nevojën për përputhshmëri të plotë me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës. Me fjalë të tjera, Parlamenti Evropian ka larguar mjegullën e propagandës dhe ka ndarë, me të vërtetë, “shapin nga sheqeri”.

Pikërisht këtu bie edhe retorika boshe se “Zvërneci do të zhvillohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian”. Standardet evropiane nuk janë një slogan politik dhe as një vulë që legalizon çdo projekt. Ato ekzistojnë për të parandaluar transformimin e pakthyeshëm të ekosistemeve dhe peizazheve natyrore me vlera të jashtëzakonshme. Të thuash se “në çdo rast flamingot do të mbrohen dhe Zvërneci do të zhvillohet” është aq infantile sa të konsiderosh se dielli mund të ndriçojë edhe natën. Këto dy pohime nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë, sepse vetë standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës janë ndërtuar pikërisht për të vendosur kufij ndaj ndërhyrjeve që cenojnë habitatet dhe ekosistemet e mbrojtura.

Ky është mesazhi real i Parlamentit Evropian. Çdo interpretim tjetër është thjesht një përpjekje për ta paraqitur një qortim gjithnjë e më të fortë evropian si një sukses të propagandës së brendshme.

Rezoluta e PE e datës 11 maj 2026

46. Shpreh keqardhje të thellë për faktin se shfuqizimi i ligjit i vitit 2015 “për Investimet Strategjike” është shtyrë, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe një shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “për Zonat e Mbrojtura”, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”. 

Article 46 at: https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/A-10-2026-0141_EN.pdf

Amendim i rezolutës së PE, aprovuar në 17 qershor 2026

46a. Shpreh shqetësim të thellë se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dëshmojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera ekologjike të njohura; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium mbi të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të jenë shfuqizuar dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të jetë siguruar pajtueshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Article 46a at: https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/A-10-2026-0141-AM-017-017_EN.pdf