Pemët për Tokën – Lëvizja vazhdon

Në shtator 1969, në një konferencë në Uashington, Geilord Nelson, senator i SHBA, deklaroi se në pranverën e vitit 1970 do të kishte demonstrata për mjedisin në të gjithë SHBA. Fillimisht, senatori Nelson propozoi disa protesta ambientaliste për ta futur mbrojtjen e natyrës në programin e qeverisë. Me kalimin e një kohe të shkurtër kjo festë u kthye nga kombëtare në ndërkombëtare, duke sensibilizuar mbarë botën.  Kështu, me të njëjtën energji e pasion, më 22 prill ne festojmë Ditën e Tokës e cila shënon sot 46-vjetorin e saj.

“Pemët për Tokën”

Këtë vit i kushtohet një rëndësi e madhe rolit që kanë pemët, prandaj dhe slogani për këtë vit është  “Pemët për Tokën”. Kjo zgjedhje sigurisht nuk është rastësore, për disa arsye:

(i) Pemët ndihmojnë në luftën kundër ndryshimeve klimatike duke thithur CO2 e tepërt dhe të dëmshëm të atmosferës.  (ii) Ndihmojnë në pastrimin e ajrit duke thithur gazet ndotëse (oksidet e azotit, amoniakut, dioksidit të squfurit dhe të ozonit) dhe i duke zënë ato në gjethet e lëvoret e tyre. (iii) Ndihmojnë komunitetin duke mundësuar një ekonomi të stabilizuar dhe duke siguruar energji, ngrohje, ushqim e të ardhura.

Prerja pa kriter e pyjeve në Shqipëri në këto vitet e fundit është një problematikë e mprehtë mjedisore, e cila ka kërcënuar dhe zonat e mbrojtura, në veçanti parqet kombëtare siç është Parku Kombëtar i Lurës. Kjo ditë nxit aksione vullnetare në të gjithë Shqipërinë dhe ka si synim të ndërgjegjësojë publikun e gjerë për rëndësinë që kanë pemët për natyrën.

Pra ti futemi punës. Të mbjellim më shumë pemë. Të reduktojmë ndotjen e të pastrojmë qytetet. Ta bëjmë tokën një vend më të mirë për të jetuar jo vetëm sot, por çdo ditë të jetës tonë.

Nga Ardita Berisha/EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *