Nga trajnimi në terren: Kujdestarët e Lumit monitorojnë marrjen e ujit në pellgun e Vjosës

Sa ujë merret nga lumenjtë tanë dhe çfarë nënkupton kjo për ekosistemet e tyre?

Pas trajnimit të zhvilluar në kuadër të projektit Vjosa–Aoós 2.0, Kujdestarët e Lumit (River Guardians) kanë përfunduar monitorimin në terren, me fokus në identifikimin dhe dokumentimin e marrjes dhe devijimit të ujit në pellgun lumor të Vjosës.

Gjatë monitorimit, Kujdestarët e Lumit zbatuan njohuritë e përftuara gjatë trajnimit, duke mbledhur të dhëna mbi ndërhyrjet që lidhen me shfrytëzimin e ujit dhe duke dokumentuar situatën në terren.

Marrja e ujit për qëllime bujqësore, furnizim me ujë apo përdorime të tjera, kur nuk menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, mund të ndikojë në regjimin natyror të prurjeve, të ndryshojë kushtet e habitateve ujore dhe të cenojë biodiversitetin që varet prej tyre. Kjo problematikë bëhet veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave me prurje të ulëta.

Të dhënat e mbledhura gjatë monitorimit do të sistemohen dhe analizohen për të krijuar një pasqyrë më të qartë të kësaj problematike në pellgun e Vjosës. Rezultatet do të shërbejnë si bazë për diskutime me komunitetet lokale dhe institucionet përgjegjëse, si dhe për vlerësimin e zbatimit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Përfshirja e komuniteteve lokale në këtë proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje pjesëmarrëse në menaxhimin e parkut kombëtar, ku banorët nuk janë vetëm dëshmitarë të ndryshimeve mjedisore, por edhe kontribuues aktivë në dokumentimin dhe adresimin e tyre.

Mbrojtja e Vjosës si lumë me rrjedhje të lirë nënkupton edhe ruajtjen e regjimit të saj natyror të prurjeve. Monitorimi i vazhdueshëm është thelbësor për të kuptuar presionet mbi lumin dhe për të orientuar masat e nevojshme për mbrojtjen e tij.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit Vjosa–Aoós 2.0, në bashkëpunim me EuroNatur dhe MedINA, me mbështetjen financiare të Donors’ Initiative for Mediterranean Freshwater Ecosystems (DIMFE).