DEKLARATË PUBLIKE – EcoAlbania në mbështetje të studentëve dhe të drejtës kushtetuese për të protestuar

Tiranë, 13 tetor 2026, EcoAlbania, si një organizatë mjedisore e angazhuar në mbrojtjen e natyrës, edukimin mjedisor, pjesëmarrjen qytetare dhe promovimin e vlerave demokratike, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e saj të plotë për studentët që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore.

Mbështetja jonë për studentët është vazhdimësi e angazhimit tonë të kahershëm në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, siç është dëshmuar edhe përmes pjesëmarrjes sonë aktive në Revolucionin e Flamingove, së bashku me organizata të tjera mjedisore, aktivistë dhe qytetarë.

Përgjatë Revolucionit të Flamingove, EcoAlbania u angazhua aktivisht në protestat paqësore për mbrojtjen e ekosistemit Vjosë–Nartë, drejtësinë mjedisore, transparencën dhe llogaridhënien institucionale. Këto protesta përfaqësuan jo vetëm një përpjekje të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, por edhe një shprehje të së drejtës themelore demokratike për tubim paqësor dhe liri të shprehjes.

Në të njëjtën formë, EcoAlbania vijon të qëndrojë në krah të studentëve, duke mbështetur të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht, për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të bërë zërin e tyre të dëgjohet. Si një organizatë e angazhuar në edukimin mjedisor dhe ndërgjegjësimin qytetar, ne njohim dhe vlerësojmë rolin thelbësor të të rinjve në pjesëmarrjen demokratike dhe në formësimin e së ardhmes së shoqërisë sonë.

E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe një nga shtyllat themelore të çdo shoqërie demokratike. Kjo e drejtë duhet të respektohet dhe të garantohet, duke u mundësuar studentëve dhe çdo qytetari të ushtrojnë liritë e tyre pa frikë, intimidim apo ndërhyrje joproporcionale.

EcoAlbania rithekson se solidariteti ynë me studentët është një vazhdimësi e natyrshme e parimeve dhe angazhimit qytetar të dëshmuar gjatë Revolucionit të Flamingove. Përkushtimi ynë ndaj mbrojtjes së mjedisit, edukimit, pjesëmarrjes demokratike dhe lirive themelore mbetet i pandryshuar.

Ne qëndrojmë në krah të studentëve. Mbështesim të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht dhe besojmë fuqimisht se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe të respektohet.

EcoAlbania
Tiranë, Shqipëri