Studimi – Bankat ndërkombëtare ushqejnë cunamin e hidrocentraleve që po shkatërron lumenjtë e pacenuar të Ballkanit

++ Bankat e zhvillimit multilateral kanë mbështetur jo më pak se 82 projekte hidroenergjitike në të gjithë Evropën juglindore, përfshirë edhe në zonat e mbrojtura, sipas një studimi nga CEE Bankwatch Network publikuar sot. ++

Radolfzell, Vjenë, Pragë, Tiranë – Studimi [1] tregon se numri i projekteve të hidrocentraleve në rajon që gëzojnë mbështetje financiare nga bankat e zhvillimit multilateral [2] dhe bankat tregtare është edhe më i lartë nga sa ishte njohur më parë.

Që nga viti 2005, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe Grupi i Bankës Botërore kanë dhënë kredi dhe garanci që arrijnë në 727 milionë euro, jo më pak se 82 hidrocentraleve. Kjo përfshin 37 projekte në zonat e mbrojtura si parqe kombëtare dhe zona të Natura 2000, ose zona të njohura ndërkombëtarisht, me vlerë të lartë të biodiversitetit, siç janë Zonat e Rëndësishme të Shpendëve.

Hidrocentrali Brajcinska reka 1 i financuar nga BERZH. Ky HPP shkatërron një prej popullatave të fundit të troftës së Prespës. (c) I. Vejnović

BERZH është financuesi më i madh i hidrocentraleve i njohur në Ballkan. Banka ka mbështetur një total prej 61 impiantesh me 126 milionë euro, 29 prej tyre brenda zonave të mbrojtura, ose zona të rrezikuara të biodiversitetit të pranuara ndërkombëtarisht.

Megjithëse banka ka qenë më e kujdesshme vitet e fundit, ende po konsideron financimin e impianteve të reja. BERZH është banka udhëheqëse ndërkombëtare që administron një studim mjedisor dhe social për kaskadën e Skavicës. Kjo do të thotë se BERZH mund të financojë hidrocentralin nëse studimet tregojnë se projekti mund të bëhet sipas standardeve të saj. Në këtë rast kredia do të jetë së paku 202 milionë euro.

Studimi gjithashtu zbulon edhe investimin më të madh të një banke tregëtare në Ballkanin Perëndimor, një hua prej 178 milionë euro nga banka turke IsBank për Ayen Enerji për kaskadën e lumit Fan. Ky projekt u shoqërua nga një sërë konfliktesh të dhunshme me komunitetet lokale. Duke pasur parasysh se e njëjta kompani projekti është e përfshirë në projektet Poçem dhe Kalivaç në luginën e Vjosës, kjo ngre shqetësime se financuesit turq do të përfshihen edhe në këto projekte, dhe, për shkak të mungesës së transparencës dhe standardeve mjedisore e sociale, do të injorojnë shkatërrimin e ekosistemeve jetike të Vjosës.


Hidrocentrali Medna në Bosnjë-Herzegovinë po ndërtohet nga kompania Austriako-Gjermane Kelag mbi lumin Sana – një nga gjashtë lumenjtë kryesorë për specien e rrezikuar, Salmoni i Danubit. (c) M. Oblak

“Varësia 100 përqind prej hidrocentraleve e Shqipërisë po e bën sektorin e saj të energjisë të pambrojtur ndaj thatësirave gjithnjë e më të shpeshta, kështu që nuk ka kuptim të ndërtohen edhe më shumë diga. Shqipëria ka nevojë urgjente të diversifikimit, për të përfshirë më shumë erën dhe energjinë diellore në energjinë e saj”, thotë Olsi Nika, koordinatori shqiptar i fushatës Save the Blue Heart of Europe.

“Financuesit duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të sigurojnë pajtueshmëri me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare. Vendimet e investimeve të pakujdesshme mund të shkatërrojnë qindra lumenj të pacenuar të Ballkanit në mënyrë të pakthyeshme”, shton Igor Vejnović, Oficer i Politikave së Hidrocentraleve në Bankwatch dhe bashkëautor i studimit.

“Lajmi i mirë është se më shumë se një mijë hidrocentrale të planifikuara ende nuk kanë financim, kështu që ende ka shumë mundësi për t’i shpëtuar lumenjtë unikë të Ballkanit”, thotë Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit EuroNatur.

“EBRD dhe BEI do të përditësojnë politikat e tyre mjedisore dhe sociale këtë vit. Kjo është një mundësi vendimtare për të forcuar rregullat e tyre dhe për të përjashtuar financimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme”, shprehet Pippa Gallop, Koordinatore e Kërkimeve e Bankwatch dhe bashkëautore e studimit.

Për më shumë informacion kontaktoni:

Olsi Nika

Koordinatori për Shqipërinë i Fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”

EcoAlbania

[email protected]

+55 69 29 44 575

Igor Vejnović

Oficer i Politikave për Hidrocentralet

CEE Bankwatch Network

[email protected]

+ 420 274 822 150

Pippa Gallop

Koordinatore e studimeve

CEE Bankwatch Network

[email protected]

+385 99 755 9787

Shënime:

[1] Studimi mbulon Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë. Ai shqyrton hidrocentralet të cilat janë ndërtuar që nga viti 2005 ose po planifikohen aktualisht. Ky është një përditësim i raportit të Dhjetorit 2015 i Bankwatch për këtë çështje, me informacion të zgjeruar për Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Bullgarinë dhe rolin e bankave tregtare.

Një total prej 2112 hidrocentralesh u identifikuan si të planifikuara ose që kanë hyrë në funksionim që nga viti 2005. Shumica e hidrocentraleve janë vetëm në fazën e planifikimit dhe për 1119 projekte besojmë se ende nuk është gjetur asnjë financim. Financimi i nënshkruar është identifikuar për 239 projekte dhe financimi i planifikuar për 20 më shumë. Për 734 projekte nuk u arrit gjurmimi i financimit për shkak të mungesës së transparencës në këtë fushë.

‘Impiantet’ i referohen çdo objekti të hidrocentraleve si të tilla, kështu që një kredi ose garanci mund të mbulojë disa impiante, por ende klasifikohet si një ‘projekt’ i vetëm nga financuesi.

[2] BERZH, Banka Europiane e Investimeve dhe Grupi i Bankës Botërore (në këtë rast Korporata Financiare Ndërkombëtare dhe Agjencia e Garancisë së Investimeve Shumëpalëshe).

[3] Financimi për Hidrocentrale në Zonat e Mbrojtura në Evropën Juglindore (Dhjetor 2015): https://bankwatch.org/wp-content/uploads/2015/12/SEE-hydropower-financing.pdf

Fushata Save the Blue Heart of Europe (Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës):

Rreth 2800 diga të reja janë parashikuar aktualisht midis Sllovenisë dhe Shqipërisë. Për të luftuar këtë vërshim shkatërrimi, ‘EuroNatur’ dhe ‘RiverWatch’ kanë nisur fushatën “Save the Blue Heart of Europe” (Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës) në bashkëpunim me partnerët lokalë në vendet përkatëse të Ballkanit. Zbuloni më shumë këtu: http://www.balkanrivers.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *