Politikëbërësit e ardhshëm diskutojnë mbi çështjet e efiçencës së energjisë

EcoAlbania ka nisur një seri takimesh mbi “Politikat për efiçencën dhe performancën e energjisë në Shqipëri” me anëtarët e forumeve rinore të partive kryesore në vend. Më datë 22.06.2018 në një takim të organizuar nga EcoAlbania në Tiranë me pjesëmarrjen e të rinjve të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë (FRESSH), përfaqësues të EcoAlbanias dhe Qendrës EDEN dhe Z. Erjon Tase nga Akademia e Studimeve Politike kanë diskutuar legjislacionin, politikat për efiçencën dhe performancën e energjisë, si dhe problematikat që ekzistojnë lidhur me zbatimin e tyre.

Ky takim u krye në vijim të edukimit publik mbi çështjet e energjisë në vendin tonë. Anëtarët e forumi u njohën fillimisht me Rrjetin e Vigjilencës Mjedisore, projektin “Së bashku – Një sy për mjedisin”, punën e bërë deri më tani, si dhe disa nga gjetjet kyçe të Studimit mbi Varfërinë Energjetike në Qytetin e Tiranës.

Interes pati puna kërkimore që është zhvilluar nga Rrjeti i Vigjilencës Mjedisore në pesë qytete të Shqipërisë për vlerësimin e situatës së varfërisë energjetike. Metodologjia e përdorur, mbledhja e të dhënave në terren, grupet e studiuara dhe përpunimi i të dhënave ishin detaje mbi të cilat të rinjtë u informuan dhe diskutuan më tej. Po kështu, të rinjtë shprehën interes lidhur me tematikat e diversifikimit të burimeve të energjisë, krijimit të infrastrukturës së re për një prodhim të qëndrueshëm, si dhe mundësive konkrete që Shqipëria ofron për prodhimin e energjisë diellore dhe asaj të erës.

Gjatë takimit me anëtarët e FRESSh.
(c) V.Kabili

Eksperti Erjon Tase diskutoi me të pranishimit mbi zbatimin e legjislacionit dhe masave për efiçencën energjetike. “Diversifikimi i burimeve të energjisë është nga njëra anë bazë për zhvillimin ekonomik duke mbajtur nën kontroll çmimet dhe ulur kostot për konsumatorin, dhe nga ana tjetër duke ulur ndikimin negativ në mjedis nëpërmjet çlirimit të gazrave apo dëmeve që sjell prodhimi i energjisë vetëm nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve”. – tha ai. Z. Tase vuri theksin tek legjislacioni lidhur me efiçencën dhe performancën e energjisë, si dhe problematikat e vonesat në miratimin dhe zbatimin e tyre.

Rëndësia e legjislacionit ekzistues, forcimi i zbatimit të tij, përmirësimi i politikave lidhur me çështjet e energjisë dhe mjedisit, përfshirja në programin e Partisë Socialiste të këtyre tematikave, si dhe angazhimi i tyre si politikëbërës të ardhshëm në këtë kuadër ishin në qendër të diskutimeve që pasuan.

Në vazhdim të fushatës së edukimit me politikëbërësit e ardhshëm, EcoAlbania do të zhvillojë takime me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integim (LRI) dhe Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) për të diskutuar mbi legjislacionin ekzistues, nevojat për përmirësimin e tij, si dhe përfshirjen e çështjeve mjedisore dhe energjetike në programet e partive të tyre për zgjedhjet e ardhshme.

E. Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike duke prezantuar problematikat e zbatimit të legjislacionit. (c) V.Kabili

Ky takim u organizua nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.