22 shkurt 2024, Tarabosh, Shkodër. Një grup prej 36 nxënësish të shkollës së mesme “28 Nëntori”, shkollës 9-vjeçare “Zogaj” dhe grupit Natyralistët u angazhuan për mbjelljen e 150 fidanëve të Pishës së Zezë (Pinus nigra) në zonën e Taraboshit në Shkodër. Ky aktivitet si akt mbjelljeje shërbeu dhe si një thirrje për të nxitur ndërgjegjësimin ambientalist tek të rinjtë.
Me udhëzimin e specialistëve nga Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër, pjesëmarrësit mësuan teknikat e duhura për zëvendësimin e fidanëve të vjetër të pasuksesshëm, mbjelljen e fidanëve të rinj dhe përkujdesjen për rritjen e tyre.
Zona e Taraboshit njihet për biodiversitetin e saj të veçantë dhe pasurinë e pyjeve, por fatkeqësisht, kjo pasuri nuk po merr kujdesin e duhur. Aktiviteti i mbjelljes së fidaneve nuk ishte vetëm një veprim simbolik, por një hap konkret drejt rikthimit të mjedisit të përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e pemëve.
Përveç mbjelljes së fidanëve, u zhvillua edhe një aksion pastrimi, ku nxënësit dhe pjesëmarrësit e tjerë kontribuan në pastrimin e mbetjeve pranë fidanëve, duke parandaluar ndotjen e mjedisit dhe duke krijuar një ambient më të pastër për rritjen e fidanëve të rinj.