Komiteti Drejtues i ESPID4Vjosa mban takimin e tretë mbi mbarëvajtjen e projektit

Gjatë mbledhjes së tretë të Komitetit Drejtues. (c) A.Hasani/ EcoAlbania

Tiranë, 20 Shkurt 2023: Për të tretin vit rradhazi Anëtarët e Komitetit Drejtues të Projektit ESPID4Vjosa, u mblodhën për të vlerësuar ecurinë dhe arritjet e projektit gjatë vitit 2023, si dhe për të prezantuar planet dhe aktivitetet e projektit për vitin 2024. Gjithashtu u shkëmbyen informacione me vlerë rreth projekteve paralele: hartimi i planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të lumit të Egër Vjosa dhe hartimi i Planit të menaxhimit të Intergruar të Basenit Ujor Vjosë.

Rikujtojmë se Komiteti Drejtues i projektit përbëhet nga: Agjencia Austriake për Zhvillim, EuroNatur/EcoAlbania, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (AKZM, ADZM, AKM, ARM); Universiteti BOKU, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Vienës dhe Këshilli i Basenit të Lumit Vjosë.

Sesioni i parë i takimit u përqendrua në përditësimet e projektit ESPID4Vjosa. Anëtarët diskutuan për progresin e deritanishëm të projektit dhe identifikuan sfidat dhe sukseset gjatë kësaj periudhe. Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e efikasitetit të implementimit të projektit dhe në përshtatshmërinë e veprimeve të ndërmarra me qëllimin e arritjes së objektivave të projektit.

Sesioni i dytë i takimit ofroi përditësime të rëndësishme lidhur me situatën aktuale në lumin Vjosë. Diskutimet u ndalën në dy çështje kryesore:

  • Krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe drejtimin e procesit të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa
  • Zhvillimin e dy projekteve të përbashkëta: VjoSusDev dhe EU4Rivers, të cilat po zhvillohen paralelisht në zonën e lumit Vjosë. Anëtarët u njoftuan me progresin e këtyre projekteve dhe u shprehën për shqetësimet dhe mundësitë që dalin nga to.

Ndër të tjera theks i veçantë u vendos mbi rëndësinë e vijimit të shkëmbimit ndër institucional ndërkufitar mes dy shteteve përgjatë lumit Vjosa/Aoos.

Pas diskutimeve të frytshme, Komiteti Drejtues i Projektit ESPID4Vjosa arriti në një konsensus për të përqendruar përpjekjet e tyre në vitin 2024 në të arriturit e qëllimeve të projektit, përmirësimin e bashkëpunimit si dhe në adresimin e sfidave të reja që mund të paraqiten gjatë implementimit të projekteve.