Njëra dorë nuk di se çfarë bën tjetra

Mbështetje për lëvizjen: PRO Nartës – JO Naftës

Nga Prof. A. Miho*

Nga shqetësimi i ngritur nga disa organizata mjedisore në vend jemi vënë në dijeni këto ditë për Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit që jep leje për një shesh pusi, të quajtur ‘Zvërneci Perëndimor -1’, dt. 22.07.2015; vendimi paraprihet nga Deklarata Mjedisore e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Mjedisit, dt. 11.06 2015, që si institucione përgjegjëse për mjedisin, për çudi japin miratimin pro, duke renditur një sërë argumentesh mbështetëse (!) dhe kërkesash. Kjo do të thotë se lejohet të shpohet sërish me një pus për kërkim nafte në brezin e ngushtë të dunave bregdetare që ndajnë lagunën e Nartës me detin. Dëshiroj të theksoj se shqetësimi mjedisor buron nga fakti se kjo veprimtari lejohet të ndodhë brenda Zonës së Mbrojtur, madje shumë pranë zonës rreptësisht të mbrojtur të saj, të cilën vetë Qeveria shqiptare e ka shpallur si të tillë në vitin 2004. Dhe për habinë tonë ky nuk është një rast i veçuar sot …

Nga sa më sipër, do të dëshiroja të sillja fakte, por dhe të zgjoja interesin dhe ndikimin tim te vendimmarrësit, investitorët, por jo vetëm … edhe tek të gjitha palët e interesuara për të ndaluar dhe hequr dorë nga veprime të tilla që bien ndesh me ato që ne vetë kemi kërkuar të mbrojmë, por edhe me dëshirën tonë për zhvillimin e qëndrueshëm, për zhvillimin e turizmit natyror, ekologjik etj.etj., shpesh tepër të përfolur edhe nga vetë politika sot …

Shkurt mbi vlerat natyrore dhe biologjike të zonës së Nartës

Më shumë të dhëna për vlerat e kësaj zonë dhe për gjithë bregdetin shqiptar lexuesi mund t’i gjejë në botimin tonë të vitit 2013: ‘Midis tokës dhe detit Ekoguidë për të zbuluar ujërat tranzitore të Shqipërisë’.

Duna bregdetare në Poro të Nartës, bimë e kërcënuar dhe sot e përfshirë në Listën e Kuqe të Florës së mbrojtur në Shqipëri. (c) M. Xhulaj

Zona nga delta e Vjosës e deri te laguna e Nartës përfshin shumë habitate me florë dhe faunë, jo vetëm të pasur, por edhe të veçantë. Për zonën jepen mbi 570 lloje bimësh të larta dhe rreth 70 lloje kërpudhash; në habitatet ujore janë gjetur mbi 330 lloje algash mikroskopike, ku rreth 95 lloje në planktonin e lagunës. Mbi 30 lloje bimore dhe 3 kërpudha janë të kërcënuara sipas kritereve të IUCN-së. Rreth 15 lloje bimësh konsiderohen të rralla ose relikte, si salepët, përfshirë këtu dhe salepin shqiptar (Orchis albanica), zambakët ujorë, fierin ujor katër gjethor, narcisin poetik, marinat etj. Shumë prej bimëve dhe grupimeve që ato formojnë kanë rëndësi edhe për mbrojtjen e dunave, mbrojtjen nga gërryerja e detit, por edhe ruajtjen e hijeshisë dhe vetive çlodhëse dhe tërheqëse të tyre. Këtu vlen të theksohet brezi i pishave mesdhetare, me pishën e detit, pishën e butë, përzier me bimësi shkurrore mesdhetare, bimësi dunash etj.

Janë këto habitate të larmishme (detare, të kripura, të njelmëta, dunore, me ujë të ëmbël apo lumore) me këtë bimësi të pasur dhe të veçantë që strehojnë edhe një faunë të pasur. Për zonën jepen rreth 198 specie kafshësh të kërcënuara që është sa gjysma e llojeve shtazore të kërcënuara për gjithë territorin shqiptar. Në këtë mënyrë, për gjithë këtë zonë bregdetare njihen mbi 60 lloje molusqesh, ku mbi 30 lloje jetojnë në lagunën e Nartës; më të bollshmit janë gastropodët, Hydrobia acuta, Ventrosia ventrosa, Pusillina mariginata, Pirenella conica, Cyclope neritea, dhe bivalvët Cerastoderma glaucum dhe Scrobicularia cottardi, disa prej tyre kanë edhe rëndësi ekonomike. Bota e insekteve nuk është mjaft e njohur, por në habitate të ndryshme ujore janë gjetur mbi 150 lloje insektesh me krahë. Për zonën jepen rreth 9 specie amfibësh dhe 26 specie zvarranikësh, shumica të kërcënuar dhe e përfshirë në listën e Kuqe të Faunës së mbrojtur në Shqipëri. Dy lloje amfibësh, Rana balcanica dhe R. lessonae prej shumë vitesh janë edhe me rëndësi ekonomike për zonën, ku për vit mblidhen për treg disa mijëra tonë. Delta e Vjosës dhe Narta përmenden për larminë e peshqve, dhe ka shumë rëndësi edhe për peshkimin dhe akuakulturën; për zonën përmenden rreth 40 lloje peshqish ku mbi 10 lloje janë më rëndësi ekonomike për sektorin e peshkimit.

Zambaku i detit (Pancratium maritimum) që rritet në dunat e Nartës, gjithashtu bimë e kërcënuar e Listës së Kuqe. (c) M. Xhulaj

Por zona e Nartës renditet e dyta pas Karavastasë për nga rëndësia për shpendët ujorë. Për të jepen rreth 80 specie shpendësh, ku rreth 10 prej tyre dimërojnë në zonë, si p.sh. rosat, Anas acuta dhe Bucephala clangula, flamingot, Phoenicopterus rubber, pulëbardha, Larus audouinii, etj. Më të bollshme janë rosat (Anas spp.) dhe bajzat (Fulica atra), për të cilat janë numëruar deri në 18000 individë dhe 13500 individë, përkatësisht. Madje thuhet se gjatë periudhës 1950-70 zona popullohej edhe nga mbi 100 çifte të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus), kurse sot ky shpend i kërcënuar globalisht është vizitor i rrallë në zonë. Vlen të theksohet se sot për shkak të shqetësimit, mbi 90% e shpendëve parapëlqejnë të përdorin pjesën qendrore të lagunës dhe kripores, e cila është disi më e qetë, aty ku nuk mund të arrijë edhe çiftja e ndonjë gjuetari ‘rebel’, pavarësisht Moratoriumit të Gjuetisë.

Të gjitha këto të dhëna shkurt mjaftojnë të tregojnë për këtë simfoni natyrore të zonës së Nartës që është tepër e brishtë, dhe për fat të keq ka qenë nën kërcënim prej vitesh dhe vazhdon të mbetet dhe sot. Është pikërisht kjo arsyeja që e ka “detyruar” Qeverinë shqiptare në vitin 2004 që ta shpallë zonën Vjosë-Nartë si Pejisazh të Mbrojtur (197 km2; kategoria V sipas kritereve të IUCN). Zona është në lidhje tepër të ngushtë dhe ndërsjellë me Parkun Kombëtar Detar të Sazan-Karaburunit (126 km2; kategoria II) të shpallur në 2010. Të dyja këto së bashku janë në një unitet funksional me Parkun Kombëtar të Llogorasë (10 km2), shpallur si Park Kombëtar herët që në 1996, si dhe me Zonën e Menaxhuar Natyrore të Rrëzë-Karaburunit (200 km2; kategoria IV), ku përfshihet edhe zona kënetore e Orikumit (8 km2), e gjitha e shpallur që në vitin 1966 dhe ripërtërirë në 1986. Kjo e bën Vlorën zonë me rëndësi të veçantë dhe tepër të fuqishme për vlerat Natyrore dhe Biologjike që gjejnë strehë brenda territorit të saj. Kjo është padyshim pasuri dhe mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e turizmit natyror, ekologjik, krahas turizmit masiv veror për plazh, turizmit historik e kulturor, për të cilat e gjithë kjo zonë është e pasur. Por nga ana tjetër e gjithë kjo pasuri shtron përpara dhe kërkon edhe shumë përgjegjësi, shumë maturi e pjekuri për zhvillimin, nga vendimmarrja vendore dhe qendrore … 

Pse? Ku çalon puna?

Më sipër theksova fjalën e ‘detyruar’ për shpalljen e zonave të mbrojtura të sipërpërmendura; kjo se unë kam bindjen se qeveritë pak kanë qenë të ndërgjegjshme dhe përgjegjshme për zonat e mbrojtura të shpallura, si në sistemin e kaluar edhe sot në këtë sistem, sidomos gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Le të shqyrtojmë shkurt disa nga veprimet. U fol shumë për TEC-in e Vlorës; me kokëfortësi ai u ndërtua, e bashkë me të edhe Petrolifera pranë, të dy në buzë të detit dhe ngjitur me zonën e mbrojtur; në 2009 përfundoi ndërtimi i TEC-it, një impiant që kushtoi afro 100 milionë euro dhe që për ironi të fatit nuk ka punuar asnjë ditë. Tani TEC-i mbahet vetëm si muze, që i bën karshillëk ish-parkut industrial të Sodë-PVC-së së braktisur aty pranë. U fol shumë për të ashtuquajturin Parkun Eolik, më të madhin në Ballkan, pikërisht në zemër të zonës së mbrojtur të Karaburunit. Nuk mund të quhet mençuri në vendimmarrje edhe fakti që pylli i Sodës po vazhdon të kërcënohet nga urbanizimi, duke lënë në harresë gjithë gërmadhat e uzinës së Sodë-PVC-së. Pak vite më parë në afërsi të Nartës u bë një shpim i dështuar për naftë dhe për çudi përsëri rikthehet me këmbëngulje po e njëjta gjë! Të gjitha këto nuk kalojnë pa lënë gjurmë në cilësinë biologjike të zonës dhe vlerat e përgjithshme të saj. Por ato për fat i presin vendimet në heshtje se nuk kanë gojë të flasin. Shpendët nuk mund të protestojnë, as peshqit, dhe për më tepër bimët. Thjesht ata varfërohen, zhduken apo braktisin vendin, si ka ndodhur edhe gjetkë në vend!

Pamje nga kolonia e flamingove (Phoenicopterus ruber), në lagunën e Nartës dhe Kriporen e saj. (c) F. Bego

Ka edhe një fakt tjetër që duhet theksuar për zonën e Nartës. Kjo zonë është e lidhur ngushtë dhe e varur nga lumi Vjosë. Gjithë vlerat e Nartës burojnë dhe mbahen nga shkalla e ‘egërsisë’ së këtij lumi të veçantë për gjithë Evropën. Kemi theksuar edhe më parë se organizma mjedisore me emër, si WWF, EURONATUR, RIVERWATCH etj. në bashkëpunim me organizma qeveritare dhe joqeveritare në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, po bëjnë përpjekje për të mbrojtur lumenjtë nga epidemia e ndërtimit të digave për HEC-e. Ndër ta lumi Vjosë ka vëmendje të veçantë, deri sot i pandërprerë nga burimi deri në grykëderdhje. Me të drejtë quhet për këtë lumë i egër dhe kërkohet të mbrohet si i tillë, të mos ndërpritet nga digat, por të ndiqet zhvillimi ndryshe me masa mbrojtëse dhe ripërtëritëse, duke e shpallur Park Kombëtar lumor. Ky është një ndër objektivat kryesorë në kuadrin e fushatës ‘Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës’, i cili ka gjetur mbështetje edhe nga organizma joqeveritare vendore nën drejtimin e Qendrës sonë mjedisore EcoAlbania, por dhe të pushtetit vendor, medias vendase dhe ndërkombëtare, por dhe të shumë miqve të tjerë të mjedisit në vend dhe në rajon.

Në fushatën për lumenjtë shqiptarë dhe për Vjosën në veçanti ne patëm sinjale pozitive edhe nga Qeveria për të mos lejuar ndërtimin e digave mbi lumin Vjosë. Kjo shpresë u rrit me ndalimin e punimeve të digës së Kalivaçit, filluar që në 2007. Por për çudi, dëgjojmë se Qeveria me VKM nr. 677, datë 29.7.2015, lejon miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi për dhënien me koncesion të hidrocentralit ‘Poçem’. Praktikisht bëhet fjalë për të lejuar të ndërtohet një tjetër digë mbi Vjosë, kësaj radhe në Poçem, vetëm pak kilometra poshtë digës së nisur të Kalivaçit! Theksojmë se në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim deri në 8 diga gjatë gjithë rrjedhës së lumit, nga Selenica deri në Kaludh. Një digë u nis dhe u braktis, por jo pa pasoja dhe pa shëmtuar rëndë mjedisin e zonës. Tani fillon një tjetër digë, për të cilën nuk dihet fundi dhe pasojat! Për më tepër në degët lumore të rrjedhës së sipërme të Vjosës janë në ndërtim apo janë ndërtuar tashmë mbi 20 HEC-e, duke betonuar dhe tuneluar ujërat në pjesë me të vërtetë të virgjëra, disa edhe brenda hapësirave të mbrojtura (pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Republikën e Shqipërisë)! Të gjitha këto së bashku janë trysni shtesë mbi vlerat natyrore, të biodiversitetit dhe të zhvillimit të turizmit në gjithë pellgun e Vjosës, përfshirë këtu edhe zonën e Nartës, veçanërisht lagunën e Nartës dhe brezin e dunave bregdetare.

Këshilla e fundit

Nuk dua aspak të politizoj çështjen, por do të dëshiroja (mirë)kuptim me gjithë ata vendimmarrës, me gjithë ata që firmosin lejet mjedisore, sot për të bërë një shpim për naftë, apo për të ndërtuar një digë apo tunel lumor, deri edhe për të ndërtuar një rezort turistik pranë apo dhe brenda një zone të mbrojtur (deri këtu ka shkuar puna në Shqipëri!!!), dhe me të gjithë ata që duan zhvillim të shpejtë të vendit, përfshirë dhe investitorë, se të gjithë kanë përgjegjësi të kujdesen për vendin dhe pasuritë e vendit, se janë ata që vendosin për drejtimin që vendi dhe ekonomia jonë duhet të ndjekë në të ardhmen. Unë apo shumë të tjerë që mendojnë si unë nuk jemi kundër shfrytëzimit të pasurive tona natyrore. Por ajo që nuk shkon dhe nxit zemërimin është fakti se shpesh në dëshirën për t’u zhvilluar ne ngutemi shumë (!), në shumë raste sillemi edhe si pronarë arbitrarë, pa marrë parasysh ligjësitë e natyrës, por dhe pa u këshilluar me kërkesat, me rrugët ndryshe! Ndodh shpesh që kjo të na kthehet mbrapsht me kosto, madje mjaft të rëndë dhe të pariparueshme …

Mendimi i përparuar thotë se të parashikosh mirë të ardhmen duhet të njohësh mirë të kaluarën. Prandaj le të mësojmë edhe nga gabimet me mjedisin, tonat po se po, si në hapje tokash të reja, në urbanizim apo ndërtim HEC-esh anë e mbanë vendit etj., por dhe të vendeve të tjera. E gjithë historia e ditëve të sotme në Shqipëri tregon se në zhvillimin tonë ‘njëra dorë nuk di se çfarë bën tjetra’, dhe për këtë do t’i këshilloja vendimmarrësit para se të guxojnë të firmosin të lexojnë ‘Eco-twisters: Dossier on the European Environment’, me autor Claue-Peter Hutter (1996). Për mua nuk mbetet gjë tjetër veçse të bëj thirrje për bashkërendim të direktivave politike të zhvillimit me fjalën e ekspertëve, për ta mundësuar realisht zhvillimin e qëndrueshëm në vend, dhe jo vetëm me fjalë, për të bërë të mundur përputhjen e kërkesave të çastit me ato të së ardhmes. Ritheksoj edhe kësaj radhe se asnjëherë për këtë nuk mungon ndihma e institucioneve me përvojë dhe ekspertëve në vend dhe jashtë.

*Autori  është profesor pranë, Departamentit të Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Gjithashtu, kryetar i Qendrës për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri – EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *