Kampi veror III me fëmijët nga Tepelena: eksploratorët e vegjël të Vjosës

Dita e parë, 14 Korrik 2023. Fëmijë nga Tepelena, të moshave 8-14 vjeç u bënë pjesë e kampit veror të organizuar në Qendrën Kërkimore të Vjosës në Tepelenë. Ky kamp mirëpriti eksploratorët e vegjël jo vetëm për t’i argëtuar dhe për t’i mësuar, por dhe për t’i ndërgjegjësuar ata për ndotjen që mbeturinat mund t’i shkaktojnë lumit Vjosë. Ata ndoqën prezantimet dhe lojërat edukuese brenda në ambientet e qendrës dhe jashtë saj, në natyrë.

Aktiviteti i ditës së parë nisi me eksplorimin e biodiversitetit anës lumit. Fëmijët ndoqën lëvizjet e specieve me lupa zmadhuese dhe vizatuan atë cfarë panë. Ata mësuan të tregojnë kohën me anë të diellit dhe falë bashkëpunimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura kuptuan si mund të vëzhgojnë me kamerat kurth. Fëmijët ndërtuan dy ushqyes për zogjtë dhe vëzhgonin zogjtë teksa afroheshin te farat. Fëmijët ishin të interesuar dhe mësuan gjëra të cilat nuk i dinin më parë.

Prezantimi për lumenjtë i njohu ata me rëndësinë e tyre dhe sa ndikojnë zakonet e tyre në mbrojtjen dhe pastërtinë e tij. Në pjesën e dytë u zhvilluan “Lojërat e Lumit”.

Në lojën e parë, “Breg-Lumë” fëmijët u ndanë në 2 grupe dhe u vendosën mes dy vizave të improvizuara “anash lumit”. Ata ndiqnin komandat “Breg” ose “Lumë”. Kjo lojë i prezantoi ata me elementët e lumit.

Loja “Kalojmë lumin” synonte nxitjen e imagjinatës tek fëmijët. Ata imagjinonin sikur rrinin mbi lumë dhe duhet të kalonin lumin nëpërmjet kartonave që kishin te këmbët. Secili duhet të gjente mënyrën për të ecur përpara në lumë me karton, por pa rënë. Situatat në fund ishin shumë gazmore dhe fëmijët diskutonin mbi zgjidhjet.

Loja “Lundërzat e Vjosës” bëri bashkë dy shokë skuadre që do lidhnin njërën këmbë me shokun tjetër dhe duhet të ecnin në drejtim të “lumit”. Kjo lojë paralelizoi veçantinë e kapjes së lundërzave së bashku për të mos i ndarë rrjedha e lumit. Njohja me lundërzën si specie e Vjosës i mahniti ata për faktin që ajo gjendej kaq afër tyre. Me të qeshura dhe gëzim mbyllëm ditën e parë.

Dita e dytë, 15 Korrik 2023 u pasua me një kërkim gurësh në Vjosë, loja “Mos u nxeh” dhe krijimi i byzylykëve të miqësisë.

Në lojën “Mos u nxeh” fëmijët kishin për synim që të mblidhnin gurë në natyrë dhe me to krijuan elementët e lojës , e cila nisi me dy skuadra të “Rrjedhës” dhe “Kundra Rrjedhës”. Për një skuadër loja niste nga burimi i lumit deri te delta dhe skuadra tjetër nga delta te burimi. Dënimet ishin elementët e lumit dhe shpërblimet ishin speciet. Qëllimi i lojës u përmbush pasi ata arritën në fund të lojës të dallonin elementët e lumit dhe gjallesat me anë të fotove.

Aktiviteti përmbyllës i këtij kampi veror ishte krijimi i byzylykeve me elementë nga natyra dhe Vjosës në veçanti, i cili kishte për synim të nxiste kreativitetin tek femijët në një kohë sa më të shkurtër. Në 15 minuta fëmijët krijuan byrzylykë shumë të bukur dhe ia dhuruan shokëve.

Ky kamp veror u mbyll me sukses edhe këtë vit me fëmijët, të cilët do rriten me kujtime të bukura, por dhe me mesazhin se natyra duhet mbrojtur dhe respektuar për vite e breza në vazhdim .