++Banorët nuk janë informuar mbi statusin e projektit pas kundërshtimit nga ana e tyre++
Gjoricë, 07 Mars 2020. Në vazhdën e përpjekjeve për të mbështëtur komunitetet e prekura nga vala e ndërtimit të hidrocentraleve, EcoAlbania ka vijuar me turin e takimeve në zonën e Bulqizës. Në takimin me banorët e fshatit Gjoricë dhe përfaqësues të OJF-ve lokale u diskutua mbi planet për ndërtimin e hidrocentralit në Gjoricë. Projekti prek lumin e Zallit të Bulqizës, degë e lumit Drin i Zi dhe kalon në mes të fshatit Gjoricë, një nga fshatrat më të populluar të Bashkisë Bulqizë. Banorët e zonës e kanë kundërshtuar këtë projekt që në fillim duke mos lejuar zhvillimin e dëgjesave publike.
Kompania koncensionare “Rajfi” Shpk që kërkon të ndërtojë 2 hidrocentrale, “Cereneci” dhe “Gjorica”, ka bërë disa përpjekje për të marrë dakordësinë e banorëve, të cilat nuk kanë rezultuar të suksesshme. Në korrik 2018, kompania ka aplikuar filluar procedurat për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të thelluar dhe kryerjen e dëgjesës publike me banorët e prekur. Dy dëgjesa publike të realizuara nga kompania me banorët e zonës kanë janë kthyer në protesta. Siç shprehen banorët ata nuk kanë pranuar të marrin pjesë dhe as të firmosin procesverbalet. “Duam informacion deri në çfarë faze ka shkuar HEC Gjoricë” u shpreh njëri nga banorët. Nga informacionet zyrtare rezulton se kompania ka zhvilluar një dëgjesë të tretë me disa banorë të tjerë të zonës, prej të cilëve ka marrë edhe dakordësinë për ndërtimin e hidrocentraleve.
Në fjalën e mbajtur nga drejtori ekzekutiv i EcoAlbania-s, Olsi Nika, banorëve iu premtua mbështetje nga ana e organizatës duke i siguruar të gjithë informacionin e nevojshëm për HEC Gjoricën për të ndihmuar në betejën e tyre për mbrojtjen e lumit të tyre dhe pasurive natyrore të zonës.
Informacion shtesë:
Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit “Ti japim zë mbrojtjes së lumenjve”, i cili ka si qëllim ndarjen e ekpseriencës së fushatës për mbrojtjen e Vjosës, për të motivuar dhe mobilizuar komunitetet në mbrojtje të lumenjve.
Turi i takimeve me banorët e prekur nga projektet e hidrocentraleve do të vijojë me zona të tjera të vendit me qellim ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e banorëve në betëjën e tyre dhe për ti dhënë zë lumenjve të kërcënuar.