Vizitë studimore në tre parqet kombëtare në Austri: Gesäuse, Kalkapen dhe Thayatal

Në Tetor 2022 u zhvillua një vizitë studimore në Parkun Kombëtar të GesäuseKalkalpen, dhe Thayatal, në Austri. Pjesë e kësaj vizite studimore ishin përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve rajonale dhe kombëtare të lidhura drejtëpërdrejtë me planifikimin dhe menaxhimin e territorit dhe burimeve ujore në Shqipëri, si dhe ekspertë kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të zonave të mbrojtura. Gjatë këtij aktiviteti pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin njohuri teorike dhe praktike mbi përkufizimin dhe aspektet menaxhuese të parkut kombëtar (IUCN Kategoria II), sfidat dhe mundësitë në raport me përfshirjen e komunitetit në bashkëmenaxhim dhe promovim të vlerave natyrore. 

Takimet e drejtëpërdrejta me menaxherë të tre parqeve nxitën diskutime mbi aspektet administrativ nga pikëpamja e qëndrueshmërisë financiare, ligjshmërisë, edukimit mjedisor, kërkimit shkencor, promovimit dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera dhe me komunitetin. Vizitat në terren u dhanë mundësi pjesëmarrësve të kenë një përvojë autentike dhe një perceptim më të mirë në lidhje me parimet e menaxhimit të një parku kombëtar dhe dallimit midis zonës qendrore dhe të menaxhimit, si dhe të njiheshin nga afër me infrastrukturën në funksion të ekoturizmit dhe promovimit të vlerave natyrore dhe turistike të tre parqeve.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit ESPID4Vjosa dhe synon të informoj aktorë të ndryshëm mbi zbatimin e standardeve të BE për të siguruar menaxhimin e integruar të burimeve ujore në basenin Vjosë, në përputhje me Direktivën Kuadër të Ujit. Gjithashtu synon të informojë mbi përpjekjet dhe hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren për të pasur një park kombëtar, i cili përmbush objektivat e konservimit natyror duke mundësuar njëkohësisht mirëqënie për komunitetin.

Projekti Espid4Vjosa zbatohet nga EcoAlbania dhe EuroNatur dhe synon të forcojë bashkëpunimin midis shkencës, shoqërisë civile dhe vendimmarrësve për të siguruar një menaxhim të integruar të burimeve ujore në Basenin Ujor Vjosë.