Actus for Vjosa: Nga Shqipëria në Greqi, homazh artistik për lumin e fundit të egër në Evropë

Lumi Vjosa vijon të frymëzojë në mbarë botën, organizata, ambientalistë, artistë, të rinj dhe publikun e gjerë – duke sjellë në ndërgjegjen e gjithësecilit mesazhin e dashurisë dhe kujdesit ndaj natyrës dhe kryeveprave të saj.  

“ACTUS, për Vjosën”, shfaqja e mrekullueshme koreografike, si homazh për bukurinë e egër të lumit Vjosa performoi premierën e saj në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, Shqipëri.

Shfaqja, e cila përcolli emocione të forta në zemrën dhe mendjen e audiencës shqiptare – vijoi rrugëtimin e saj në një tur frymëzues duke performuar edhe deri në Janinë, Greqi si homazh edhe për pjesën e lumit Aoos në Greqi, pjesë e rrjedhës së Vjosës.

E krijuar nga koreografi i mirënjohur me famë botërore, Gentian Doda, kolona muzikore nga kompozitori Çezar Aliaj “ACTUS, për Vjosën” bashkoi në një performancë të jashtëzakonshme artistike 10 balerinë ndërkombëtarë, të frymëzuar për të personifikuar me performancën e tyre shpirtin e egër dhe rrjedhën natyrale të Vjosës – mrekulli e paprekur të Europës.

Kjo vepër artistike është produksion i “was bleibt kollektiv | Gentian Doda’ –  e komisionuar nga Fondacioni Heinrich Böll, zyra  Tiranë dhe mbështetur nga Riverwatch, EuroNatur, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, EcoAlbania dhe Ambasada Gjermane në Shqipëri.

Përmes këtij krijimi, “ACTUS, për Vosën” synon që të përcjellë mesazhin se njerëzimi i përket natyrës.  Frymëzuar nga Cantata 106 e Bach, dhe bazuar në disa koncepte polifonike, krijimi reflekton motive nga trashëgimia kulturore shqiptare, duke i’a sjellë këto vlera përmes artit, botës bashkëkohore. Misioni i kësaj vepre artistike është të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit për burimet e natyrës, bazuar në rastin specifik të mbrojtjes së lumit Vjosa.

“Në çdo copëz të natyrës që shkatërrojmë për interesa afat shkurtra, ne humbasim botë të panumërta frymëzimi”, citon koreografi Gentian Doda.

Përmes simbolizimit të Vjosës, trupa e balerinëve krijoi me mjeshtëri përmes gjuhës së trupit, një miniaturë artistike të botës dhe shoqërisë – për të treguar se si njerëzit transformojnë natyrën dhe se si transformohen nga natyra, ku peizazhi bëhet reflektim i botës sonë të brendshme dhe anasjelltas.

“Kërcimi bashkëkohor ka të bëjë me përkthimin e ideve në lëvizje. Dhe për këtë shfaqje, ne arritëm të përjetonim atë që do përkthenim – hymë brenda Vjosës dhe ndjemë teksturën e saj. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të sjellim në skenë”, citon një nga balerinat interpretuese, Lilla Jenei.

“Vjosa është si një balerinë, një muzë për këtë projekt. Vjosa është shndërruar në një analogji të shoqërisë ku ne jetojmë – kaosi dhe rrjedha, nxitimi dhe ndryshimi, vrazhdësia dhe jeta që ajo krijon”, citon një tjetër interpretues i shfaqjes, Fjorald Doçi.

Kjo shfaqje koreografike bashkëkohore, e para në llojin e vet për lumin Vjosa, vjen në një moment të veçantë. Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe Kompanisë Amerikane Patagonia në qershor 2022, një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë po punojnë për kriteret e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, i pari lumë i egër në Europë që do të ketë këtë status, por edhe duke vendosur një praktikë të re globale, në mbrojtjen e ekosistemeve natyrore në vende të ndryshme të botës.

“ACTUS, for Vjosa” synon të vijojë performancën në qytete të ndryshme të rëndësishme të Evropës – jo vetëm për të treguar për magjinë e lumit Vjosa por edhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së lumenjve në gjithë kontinentin evropian. 

Së shpejti, me statusin më të lartë të mbrojtjes, atë të Parkut Kombëtar, lumi Vjosa vijon të frymëzojë në mbarë botën organizata, ambientalistë, artistë, të rinj dhe publikun e gjerë – duke sjellë në ndërgjegjen e gjithësecilit mesazhin e dashurisë dhe kujdesit ndaj natyrës dhe kryeveprave të saj.