Në datën 21 mars 2018 u organizua takimi i radhës i Miqve të Vjosës, një traditë ku pjesëmarrësit bëhen bashkë për të folur mbi situatën aktuale të lumit dhe ide të reja në mbrojtje të kauzës ‘Vjosa pa diga’. Si në çdo takim, edhe këtë herë u bashkuan miq të rinj të cilët duan të dinë më shumë për Vjosën dhe problematikat e lumenjve të tjerë të Shqipërisë.
Bisedës iu afruan gazetarë, artistë, juristë, biologë, aktivistë e përfaqësues të organizatave mjedisore si dhe dashamirës të natyrës që i bashkon dëshira për ta parë Vjosën, lumin e fundit të egër në Europë, të lirë nga digat e hidrocentraleve.
Në takim u fol mbi zhvillimet e fundit për çështjen e Vjosës. Ndërkohë që, një fokus të veçantë mori mbërritja e një grupi studiuesish nga Universiteti BOKU i Vjenës, të cilët në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës nisën Studimin e Sedimenteve të lumit. Nga të dhënat paraprake të studimit konstatohet se digat në Vjosë sjellin humbje në 3 drejtime kryesore: për biodiversitetin e lumit, për zhvillimin turistik të zonës si dhe për prodhimin e energjisë elektrike, për shkak të sasisë së madhe të sedimenteve të lumit.
Ndërkaq, ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe komuniteteve të ndryshme në mbrojtje të Vjosës është gjithnjë e më i madh. Së fundmi kompania e madhe e veshjeve sportive Patagonia ka nisur fushatën e saj ndërgjegjësuese në mbrojtje të “Zemrës Blu të Europës”.
Ndër idetë e reja që u hodhën në kuadër të aktivizmit për Mbrojtjen e Vjosës ishin:
- Përfshirja e çështjes së Vjosës në organizime artistike, si ngritja e një ekspozite pikture, etj.
- Intensifikimi i lobimit dhe shtrirja e tij deri tek grupet e ndërtuesve të hidrocentraleve, nëpërmjet organizimit të tryezave e takimeve me ta, në mbrojtje të Vjosës.
- Rritja e mëtejshme e mediatizimit të çështjes.
- Forcimi i mëtejshëm i komunikimit me institucione ndërkombëtare si Konventat ndërkombëtare në mbrojtje të mjedisit, në të cilat Shqipëria aderon, në kuadër të Raportimit të vazhdueshëm për çështjen e Vjosës me qëllim ndalimin e projekteve hidroenergjetike në këtë lum.
Takimet e miqve të Vjosës janë takime periodike të cilat do të vijojnë të zhvillohen edhe gjatë muajve në vazhdim duke shpresuar që ky rrjet të zgjerohet akoma më shumë. Për tu bërë pjesë e takimeve të radhës mund t’na kontaktoni në: [email protected].