Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Vjosën: Në Workshopin me tematikë “Qasja LEADER”

Tepelenë, 6 Nëntor 2023. Përfaqësues të OSHC-ve lokale nga lugina e Vjosës u bënë bashkë në  workshopin e dytë të Rrjetit të Shoqërisë Civile të Basenit të lumit Vjosa, si vazhdimësi e punës së nisur që me themelimin e rrjetit dhe raundin e parë të seminareve të mbajtur më herët në Vlorë. Qëllimi i këtyre workshopeve është rritja dhe forcimi i kapaciteteve të organizatave lokale, si dhe përmirësimi i aftësive organizative & advokuese të tyre në procesin e vendimarrjes, mbrojtes, menaxhimit dhe zhvillimit afatgjatë e të qëndrueshëm të lumit Vjosa.

Workshopi përfshiu sesione trajnimi mbi Metodologjinë LEADER – “Liaison Entre Actions de Développement de l’Économie Rurale (lidhjet ndërmjet veprimeve për zhvillimin rural), si nje metodë e përfshirjes së partnerëve vendorë në drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të zonave rurale, mobilizimin dhe arritjet e zhvillimit territorial në komunitetet rurale lokale në përputhje me këto kritere:

  • Fokusuar në zona të veçanta rajonale;
  • Udhëhequr nga grupe vendore të veprimit të përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë, publikë dhe privatë;
  • Kryer përmes strategjive të zhvillimit lokal të integruara dhe shumësektoriale,
  • Të bazuara në zona;
  • Përshtatur për të marrë në konsideratë nevoja dhe potenciale lokale dhe që përfshin karakteristika inovative në kontekst, rrjet dhe, kur është e përshtatshme, bashkëpunim lokal.

Workshopi gjithashtu analizoi kontekstin historik të përdorimit të metodologjisë LEADER në Shqipëri dhe ndikimin e saj të rëndësishëm në procesin e zhvillimit rural të vendit. Gjatë diskutimeve, u theksuan dhe iniciativat & sfidat me të cilat përballen LAG-et (Grupet Lokale të Veprimit) në Shqipëri, duke përfshirë sfidat: e shtrirjes së tyre të kufizuar, çështjen e mbivendosjes së GLV si dhe mungesën e burimeve financiare dhe kapaciteteve organizative. Në të njejtën kohë u thesuan hostoritë e suksesit të disa prej këtyre grupimeve, duke përfshirë: LAG-Adrijon Vlorë, LAG-Maranaj Shkodër, LAG-Drini Dibër, LAG-Deshati Dibër dhe GLV- “Pro Përmeti”, GLV-“Visit Gjirokastra” etj.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rastit të “Pro Përmet” duke analizuar rrugëtimin e tij me qasjen LEADER që nga themelimi i tij si shoqatë në vitin 2010, e deri në formalizimin i tij si i pari GVV (Grup Vendor Veprimi).

Pas përfundimit të Workshopit, u realizua një vizitë në Qendrën Kërkimore Vjosa “Fritz Schiemer”, e ndodhur në brigjet e Lumit Vjosa, në qytetin e Tepelenës. Pjesëmarresit u njohën nga afër me qendrën kërkimore e cila është një nismë e përbashkët e fushatës Save the Blue Heart of Europe, midis Fakultetit te Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit te Vjenës. Qendra është e pajisur me disa mjete laboratorike bazë, pajisje zyre dhe akomodim që u shërbejnë shkencëtarëve dhe studentëve nga Shqipëria dhe jashtë vendit për të studiuar në aspektet multidisiplinore të sistemit të lumit Vjosa. Për meritat e një profesori të njohur vjenez për kërkimin dhe mbrojtjen e këtij lumi, me sugjerimin e kolegëve të tij shqiptarë, qendra kërkimore është emërtuar “Qendra Kërkimore Vjosa Fritz Schiemer”.

Projekti ESPID 4 Vjosa është një projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA, i cili zbatohet nga organizatat Euronatur dhe EcoAlbania.

Projekti synon të lehtësoje ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes aktorëve te vendim-marrjes, shoqërisë civile dhe shkencës në proceset vendim-marrëse të qeverisjes dhe menaxhimit të mire në sektorin e ujit, në basenin e lumit Vjosa.