Progres Raporti 2015 për Shqipërinë – Sfidat e mbrojtjes së mjedisit

Tashmë të gjithë e dimë se Shqipëria ka statusin e vendit kandidat i cili aderon për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe gjatë kësaj faze shteti shqiptar duhet të përmbushë disa detyrime. Mjedisi është një nga fushat dhe çështjet delikate në të cilën Shqipëria ka akoma shumë punë për të bërë kryesisht në fushën e përafrimit të legjislacionit horizontal mjedisor. Edhe pse shpesh trumbetohet se legjislacioni shqiptar është përafruar me atë të BE-së, në fakt nuk është aspak kështu. Procesi i përafrimit të legjislacionit përfshin tre hallka kryesore: transpozimin, fuqizimin dhe zbatueshmërinë. Ndërkohë që etapa e parë është përmbushur në pjesën më të madhe, dy fazat e tjera dhe sidomos ajo e zbatimit lë shumë për të dëshiruar. Kjo shpesh vjen edhe si pasojë e mungesës së kuadrit institucional përkatës apo edhe pamjaftueshmërisë së kapaciteteve dhe ekspertizës së nevojshme për zbatimin e ligjit.

progress-report-565x310
Foto nga web

Progres Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2015 çështja e zbatimit të Strategjisë ndër-sektoriale të legjislacionit horizontal mbetet në të njëjtën situatë si në vitin 2014, ku nevojitet më tepër punë për të harmonizuar legjislacionin horizontal mjedisor, në veçanti me Direktivën e Krimit Mjedisor. Ajo çfarë konstatohet nga raporti i 2015 është se ka përpjekje për përmirësim të kuadrit institucional për mbrojtjen e mjedisit duke përmendur këtu krijimin e agjencive të veçanta për këtë qëllim si AKZM (Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura) por megjithatë sipas BE-së ka akoma nevojë për më shumë punë në lidhje me sigurimin e mbrojtjes në zonat e mbrojtura dhe në mënyrë të veçantë në investimet për ndërtimin e hidrocentraleve të cilat duhet të bëhen në përputhje me detyrimet për mbrojtjen e natyrës, në veçanti për zonat e mbrojtura dhe zonat me vlera të larta natyrore.

Problematika e ndërtimit të hidrocentraleve pa kriter dhe pa një master-plan kombëtar është një fenomen i cili po shkatërron lumenjtë natyrorë, të cilët strehojnë një pasuri floristike dhe faunistike të spikatur për gjithë Ballkanin. Në vitin 2016 Shqipëria duhet të punojë më tepër për të siguruar mbrojtjen e zonave të mbrojtura në mënyrë efektive dhe atyre me vlera të larta natyrore siç është dhe lumi Vjosa- lumi i fundit i “egër” në Evropë.

Nga ana tjetër OJF-të mjedisore i kanë bërë thirrje qeverisë Shqiptare të shpallë moratoriumin e ndërtimit ë HEC-ve në gjithë territorin e Shqipërisë duke kërkuar një periudhë 3 vjeçare për shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit dhe procedurës së dhënies së lejeve konçesionare.

Nga Besjana Guri/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *