Mjedisi shqiptar në udhëkryq – çfarë mund të përmirësohet

Nga Prof. Aleko Miho


Rruga e ndjekur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit ka qenë shumë dëshpëruese, me gjurmë tepër mbreslënëse, në shumë raste të pakthyeshme, me shumë kosto dhe pasoja të rënda në ekonominë e vendit, por edhe në vetë shëndetin e njeriut. Mjafton të përmendim këtu shfrytëzimin e tepruar të pyjeve, varfërimin e skajshëm të faunës, të bimëve aromatiko-mjekësore, përdorimin pa kriter të tokës bujqësore, urbanizimin, ndotjen e saj nga përdorimi pa kriter i plehrave kimike dhe pesticideve, ndotjen nga ujërat e shkarkimit, nga mbetjet urbane dhe industriale, pushtimin e brezit të dunave bregdetare, ndërtimin në zonat e mbrojtura, dhe së fundi shfrytëzimin e tejskajshëm të lumenjve për hidroenergjetikë. Shumëkush për këtë shpërfillje që i është bërë mjedisit dhe pasurive natyrore përdor thënien që ‘Mjedisi në Shqipëri është jetim’! Kjo ka pasur arsyet e veta historike, gjendje tranzicioni, etje për përfitime të çastit, për zhvillim të shpejtë dhe të lehtë, për pasurim të shpejtë, por edhe nga padija, mungesa e përvojës dhe kualifikimi i cunguar i ekspertëve të mjedisit.

Prof A. Miho

Për këtë të fundit mund të them me bindje të plotë se skema sot për kualifikimin dhe licensimin e ekspertëve mjedisorë është e dështuar. Dy institucionet përgjegjëse, Universiteti Bujqësor (UBT) dhe Universiteti Politeknik (UPT) dhe vetë Ministria e Mjedisit (sot Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – MTM) kanë treguar më shumë formalizëm dhe pse jo edhe politikë sektoriale në përgatitjen dhe liçensimin e ekspertëve, si në sasi edhe në cilësi – ‘shumë e për lumë’, kur thotë populli. Ekspertiza në Mjedis dhe për njohjen dhe shrytëzimin si duhet të Pasurive Natyrore kërkon kualifikim gjithëpërfshirës, me bazë të fortë në shkencat natyrore (biologji, gjeologji, gjeografi, fizikë, kimi), por dhe me njohuri në shkencat bazë të afërta (ekonomi, e drejtë mjedisore), dhe kurresesi vetëm me përgatitje bazë agronomike dhe inxhinierike, siç është bërë deri tani. E thënë ndryshe, nuk mundet një ekspert me formim bazë agronomik apo inxhinierik të japë mendime të vyera për përdorimin e burimeve natyrore, qoftë kur ato janë pyje, bimë mjekësore, ose kur janë shkëmbinj mermeri apo minerale të tjera, ujëra sipërfaqësore, nëntokësore, detare, inerte lumore etj. Mbështetur nga aktet ende ne fuqi, këta lloj ekspertësh kanë pasur dhe kanë ende dhe sot peshën kryesore në gjithë ekspertizën mjedisore në vend, por për fat të keq edhe në organikën e MMj, të AKM-së, dhe gjithë institucioneve të tjera në varësi, në qendër dhe qeverinë vendore. Kjo frymë, ndryshe nga gjithë përvoja e përparuar, duhet të bëjë kthesë, në rast se vërtet duam zhvillim të qëndrueshëm, të ndalim shkatërrimin e mëtejshëm, të shpëtojmë atë ç’ka mbetur, të ripërtërijmë atje ku është e mundur, dhe në këtë mënyrë, të rikthejmë vlerat e nëpërkëmbura të natyrës, të ringallim shpresën e brezit të ri që edhe vendi ynë nuk është ndryshe nga gjithë të tjerët në rajon.

Qoftë UBT dhe UPT, institucione të nderuara për diplomat e tyre, në qëllimin kryesor të tyre përgatisin ekspertë që shërbejnë si përdorues të mjedisit, pra si mundet të shfytëzohet mjedisi dhe pasuritë e tij për qëllime ekonomike, për përfitim ekonomik prej tyre në sektorë të caktuar të zhvillimit! Nuk dua të them se këta nuk kërkojnë të dinë edhe për vlerat e tjera të njohjes apo të mbrojtjes së tyre, por kjo mbetet gjithmonë anësore në raport me shfrytëzimin si qëllim kryesor. Për këtë, nuk është e mundur që po këta ekspertë të marrin përsipër edhe vlerësimin e cilësisë së mjedisit, pra nuk u përket atyre të merren dhe me diplomimin e ekspertëve që duhet të bëjnë vlerësimin e pasurive natyrore dhe ruajtjen e tyre, apo edhe shfrytëzimin e qëndrueshëm. Për më tepër, nuk mundet që diplomat mjedisore të UBT dhe UPT të jenë si referencë, si thonë aktet sot, për gjithë diplomat e tjera mjedisore nga departamente që përgatisin ekspertë të interesuar drejtpërdrejtë në vlerësimin e mjedisit, nga shkencat e natyrës, biologji, kimi, fizikë, përfshirë këtu edhe gjeologji dhe gjeografi, por dhe ekonomi dhe të drejtë mjedisi etj. Të gjitha këto lloj diploma masterash për fat janë lënë jashtë kësaj skeme. Kjo ka penguar që shkencat e natyrës të shkojnë dhe më tej në ngritje apo përmirësimin e diplomave gjithëpërfshirëse ndërdisiplinore për ekspertë të mirëfilltë që mund të jenë realisht drejtues për vlerësimin mjedisor (team leader). Mendoj se kjo frymë duhet të ndryshojë! Këtu duhet gjithashtu bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit (MAS), e cila njeh mirë institucionet dhe programet mësimore mjedisore të tyre, por MAS edhe mund të nxitë, mbështetë dhe akreditojë çeljen e programeve mjedisore ndërdisiplinore pranë IAL-ve me më shumë përvojë. Eksperti i Mjedisit duhet të përfshihet edhe në profesionet e rregulluara, dhe po MAS mund të ndjekë edhe kualifikimin e vazhduar të tyre, si në gjithë sistemin e profesioneve të rregulluara.


Ka edhe një çudi tjetër në qëndrimin ndaj mjedisit. Raportet e VNM-ve hartohen sot nga studio apo ekspertë fizikë të kontraktuar drejtpërdrejtë nga subjekti ndërtimor – kupto këtu të paguar, madje jo dhe keq! Në këtë mënyrë, kushdo qoftë dhe sado e kualifikuar të jetë një studio apo ekspert i veçantë, është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të hedhë poshtë një projekt kur ai bie ndesh me vlerat e natyrës! Fakt është që sa herë që jepet leja konçesionare nga Drejtoria përkatëse në Ministrinë e Energjetikës (sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – MIE), për ndërtim apo shfrytëzim të një zone, e gjithë ekspertiza përpiqet të shpjegojë se si ndërtimi apo shfrytëzimi të jetë sa më miqësor me natyrën, duke bërë për këtë më së shumti avokatinë e subjektit ndërtimor, por kurrë oponencën apo kthimin mbrapsht si ndërtim të pamundshëm! Zgjidhja e kësaj kontradikte/konflikti interesi kërkon me siguri rregullim ligjor, duke krijuar pavarësi të plotë të ekspertizës mjedisore nga subjekti ndërtimor apo zhvilluesi.


Por mendimin tim këtu duhet që MTM, si e lidhur drejtpërdrejtë jo vetëm me menaxhimin, por dhe me ruajtjen e pasurive natyrore, duhet të ketë më shumë ndikim dhe më shumë fuqi ligjore në menaxhimin e burimeve natyrore, në lëshimin e lejes paraprake për ndërtim apo shfrytëzim natyror. P.sh. ujërat e vendit, para se të jenë pasuri energjetike, bujqësore etj., janë një pasuri natyrore shumë përdorimshe, dhe shfrytëzimi i tyre nga MIE, MBZhR etj. duhet bërë i harmonizuar mirë dhe dakordësuar me MTM. Po kjo mund të thuhet edhe për përdorimin e pyjeve, të bimëve aromatiko-mjekësore, brezin e dunave bregdetare, zonat e mbrojtura, përdorimin urban të tokës bujqësore etj. Për këte leja për shfrytëzimin e pasurive natyrore duhet të dalë më parë nga kjo Ministri (MTM) dhe jo të lëshohet a priori nga Minsitritë e mësipërme, të cilat kanë më shumë në vëmendje shfrytëzimin, përfitimin ekonomik, ndonjëherë përfitimin e çastit, se ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Ndoshta vetë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) duhet të ndërrojë varësi, duke kaluar pranë MTMj. Po në këtë mënyrë edhe Inspektoriati Shtetëror i Ujërave, Agjencitë e Baseneve Ujore, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar etj. Këto institute, të vetmit në vend për nga rëndësia e njohjes së vlerave natyrore, nuk mund të jenë në varësi të dikastereve me interes të ngushtë përdorimi në mjedis.

Në këtë fushë, ka shumë rëndësi edhe shqyrtimi i VNM-ve në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM). AKM është e vetmja oponencë për mbrojtjen e mjedisit, në gjithë kalvarin e lejimit të projekteve ndërtimore. Për çudinë e radhës, AKM është e fundit në shqyrtim, pasi projekti është miratuar më parë nga shumë dikastere të tjera përgjegjëse, qëndrore apo dhe vendore. Megjithatë, sot shqyrtimi i VNM-ve dhe lëshimi i lejes mjedisore duket se është barrë e madhe për Drejtorinë e VNM-ve në AKM. Kjo Drejtori ka në organikën e vet gjithsej 11 persona të ndarë në tre sektorë: Sektori i VNM-ve, Sektori Lejeve Mjedisore dhe Sektori i Përgjegjësive Mjedisore. Komisioni i VNM-ve shqyrton çdo javë mesatarisht rreth 15 dosje, të cilat dhe mund të shtohen në të ardhmen. Dosja e një aplikimi është e përbërë nga disa dokumenta, ku vetëm Raporti i VNM-së shkon në disa dhjetra faqe (mesatarisht 60-70 faqe). Përpunimi si duhet i gjithë këtij informacioni nuk është gjë fort e thjeshtë nga këta pak ekspertë të kësaj drejtorie; me të gjitha standardet e sotme për përpunim dokumentash, në kaq kohë në dispozicion shqyrtimi i VNM-ve nuk mund të bëhet ndryshe, veçse tepër sipërfaqësor, tepër i përciptë! Do të këshillonim MTM dhe AKM-në të kërkojë shtim të personelit dhe më shumë specializim të brendshëm për shqyrtimin e këtyre praktikave për lëshimin e lejes mjedisore. Por po kaq e rëndësishme është që AKM të nxitë dhe mbështesë njëkohësisht kualifikimin në vazhdim të ekspertëve të saj, kjo jo vetëm në Drejtorinë e VNM-ve, por edhe në drejtoritë e tjera.
Shtysa për këtë shkrim mbetet gjithmonë zhvillimi i qëndrueshëm dhe theksimi për të mbajtur parasysh rast pas rasti këtë parim gjatë zhvillimit të vendit. Në të vërtetë, zhvillimi i qëndrueshëm përmendet sot rëndom prej politikëbërjes, vendimmarrjes, ndonjëherë edhe prej vetë biznesit privat, por unë kam bindjen se për veprat që shohim ky koncept bashkohor thuajse nuk është kuptuar realisht, jo më të vihet në zbatim. Qëndrueshmëri do të thotë të vendosësh në barazpeshë zhvillimin shoqëror me atë ekonomik, bashkë dhe me shfrytëzimin me kujdes të pasurive natyrore në vend. Kjo nënkupton përdorimin e pasurive biologjike dhe natyrore në përputhje dhe me mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që këto pasuri të ruhen dhe të ripërtërihen, që nevojat të plotësohen jo vetëm për brezat sot, por edhe për brezat e ardhshëm.


Gjatë periudhës shkurt 2016 – maj 2017 janë shqyrtuar nga AKM mbi 440 VNM projekte ndërtimore të përhapura në gjithë vendin. Nga një vështrim i përgjithshëm i tyre vihet re se Shqipëria vazhdon të mbështetet te sektori i ndërtimit (rreth 70 projekte) dhe tek shfrytëzimi i burimeve natyrore në zhvillimin e saj – konkretisht tek guroret, minierat, inertet lumore, HEC-et etj., gjithsej mbi 120 projekte ose 28% e gjithë projekteve të shqyrtuara. Duhet thënë se pasuritë natyrore nuk janë të pafundme, disa janë ripërtëritëse (pyje, bimë aromatiko-mjekësore, peshq dhe molusqe etj.), edhe pse ripërtërihen me shumë vështirësi dhe me kosto të lartë kur ato shfrytëzohen pa kriter, por të tjera nuk janë ripërtëritëse – minerale, gurë mermeri, naftë dhe gaz etj. Për këtë ka shumë rëndësi që lejimi i shfrytëzimit të bëhet me përgjëgjësi dhe profesionalizëm, nga Agjencitë dhe Drejtoritë përgjegjëse të MIE, MTMj etj., duke patur parasysh përdorimin me kriter të tyre.
Këtu unë do të këshilloja fort se nxitja e zhvillimit të vendit në gjithë spektrin e sektorëve ekonomikë do të ishte më e qëndrueshme se mbështetja vetëm në sektorin e ndërtimit (ndërtim banesash, shërbime & resorte), apo dhe në miniera, gurore, HEC-e etj. Për këtë Qeveria, drejtoritë përkatëse, pushteti vendor dhe biznesi privat, duhet të nxitin investimet edhe në sekorët prodhues, përpunues, bujqësi moderne (përfshirë edhe kultivim bimësh industriale, prodhim fidanash dhe pylltari, akuakulturë dhe ripeshkëzim ujëmbledhësish), industri e lehtë dhe përpunuese, shfrytëzim burimesh alternative të energjisë, infrastrukturë rrugore dhe turizën. Kjo do të sillte edhe më shumë punësim, por edhe më shumë të mira materiale me kosto më të lirë. Për më tepër, zhvillimi në sektorët prodhues do të mund të shkarkojë edhe barrën e rëndë që mban sot mjedisi, pasuritë natyrore në ekonominë shqiptare. Pavarësisht varfërisë tonë historike, vendi ynë nuk mund të bëhet pjesë e Europës së Bashkuar me një mjedis të rraskapitur, të shpërfytyruar, të tejndotur, me pasuri natyrore të keqpërdorura dhe të shitura për ‘5 lekë’!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *