EcoAlbania po vijon zbatimin e projektit “Nxitja e sipërmarrjes së gjelbër tek të rinjtë e shkollave të mesme” në kuadër të promovimit të Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale të hoteleri-turizmit “Hysen Çela”, Durrës, mekanikës “26 Marsi”, Kavajë dhe teknologjisë së informacionit “Gjergj Canco”, Tiranë kanë mirëpritur zhvillimin e orës së dytë mësimore gjatë muajit Mars.
Ndër tematikat që u diskutuan me profesionistët e rinj ishin: rrugët që duhet të ndiqen për të themeluar një “sipërmarrje të gjelbër”, krijimi i një plan-biznesi social, projekt-ideve mbi “Smart City-n” në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB.
Maturantët e shkollave “Gjergj Canco” dhe “26 Marsi” diskutuan mbi mundësitë e zbatimit të profesioneve të tyre me qasje ndaj “punëve të gjelbra”, si dhe nevojat e vështirësitë që ata si sipërmarrës të rinj mund të hasin. Ata u trajnuan për shkrimin e një plani biznesi, përgjigjen ndaj nevojave të tregut, menaxhimin efektiv, marketingun dhe konkurencën. Gjithashtu u krijuan “Grupet e sipërmarrësve të rinj” të shkollave, me nxënësit, të cilët paraqitën projekt-idetë e tyre lidhur me krijimin e “Smart City-t” që do të jetësohet në vijim në dy modele në miniaturë. Eco Albania do të nxitë grupet e sipërmarrësve të rinj të jetë aktivë edhe pas përfundimit të projektit duke iniciuar një bashkëpunim të mundshëm për të ardhmen në fushën e biznesit.
Në shkollën “Hysen Çela” nxënësit u informuan mbi ndryshimin midis biznesit të zakonshëm dhe biznesit social duke u përqëndruar në mundësitë e krijimit të një biznesi social në profesionin e tyre me qasje miqësore ndaj mjedisit. Me fokus OZhQ nr. 12, Konsum dhe prodhim i përgjegjshëm, kuzhinierët e ardhshëm demonstruan përgatitjen e disa gatimeve me shfrytëzim maksimal e pa humbje të lëndës së parë.
Ky është cikli i dytë i orëve mësimore të zhvilluara në kuadër të këtij projekti. EcoAlbania do të vijojë më tej me analizën e bizneseve të suksesshme në fushën e “profesioneve të gjelbra” dhe përshtatjen e tyre me tregun shqiptar, si një pikënisje për krijimin e modeleve të “sipërmarrjes së gjelbër”.
Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësi operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, mbështet programin SEEDLING që zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC).
Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania dhe mbështetet financiarisht nga REC në kuadër të projektit SEEDLING.