Organizatat e shoqërisë civile njëzëri kundër ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura

Tiranë, 16 shkurt 2024. Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit si dhe ekspertë dhe përfaqësues të shquar të botës akademike, shprehen kundër ndryshimeve të propozuara në ligjin 81/2017 Për zonat e mbrojtura, të paraqitura nga një grup prej 12 deputetësh të Partisë Socialiste, si dhe kundër mendimit dhe propozimeve të paraqitura nga Këshilli i Ministrave (KM) përmes VKM të 7 Shkurtit 2024.

Që në krye të herës, grupimi i organizatave dhe ekspertët u ngrit kundër ndryshimeve të propozuara nga parlamenti. Me keqardhje shikojmë se qëndrimi i qeverisë është edhe më i rrezikshëm se drafti i parlamentit. Ai përligj tjetërsimin e zonave të mbrojtura (ZM), legjitimimin e gjithë ndërtimeve e ndërhyrjeve të paligjshme në zona të mbrojtura dhe miratimin e çfarëdo investimi të ashtuquajtur strategjik në zemër të zonave të mbrojtura.

Ndonëse ndryshimet në ligj u kërkuan me pretekstin e fuqizimit të rolit dhe interesave të bashkive dhe adresim të fenomenit masiv të shpopullimit të Shqipërisë, shikojmë se qeveria ju lë bashkive vetëm delet e dhitë ose qiratë e përdorimit të kullotave. Në këtë tragjikomedi, Parlamenti, Bashkitë dhe komuniteti në tërësi, janë humbësit e mëdhenj. Përfituesi më i madh është Këshilli Kombëtar i Territorit që rrëmben gjithë pushtetet e politikat në Zonat e Mbrojtura. KKT kthehet në Zot të zonave të mbrojtura duke qenë se askush nuk kundërshton dot vendimet e tij. Kjo bëhet akoma më e vërtetë nëse marrim parasysh se KKT nuk ka asnjë përvojë të këshillimit publik që shërben si garant i ruajtjes së vlerave të Zonave të Mbrojtura. Në të njëjtën kohë ky rol i ri i KKT zhbën të gjitha kompetencat e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit dhe të gjithë Agjencive të saj të varësisë duke anulluar paketën ligjore mjedisore të ndërtuar në frymën e transpozimit të Direktivave Evropiane.

Në shtesë të shkatërrimit të mbjellë nga lejimi i propozuar i ndërtimit të zonave urbane, autostradave, hekurudhave, linjave të tensionit të lartë, veprave të mëdha hidrike dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë në ZM, ndryshimet e propozuara nga KM ndaj Nenit 33 të Ligjit aktual nuk vendosin asnjë kufi ndaj aktiviteteve shkatërruese të papërcaktuara. Po kaq shqetësuese janë dhe qëndrimet për ndërhyrjet pa miratim paraprak në trupat ujorë, mbivendosja e regjimit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Zonat e Mbrojtura dhe nxitja e turizmit masiv.

Pra, gjithë ndryshimet e propozuara janë dashakeqe për ZM-të, shkojnë në kundërshtim me frymën e ligjit aktual për ZM-të, me normat dhe praktikat më të mira Evropiane dhe me cdo detyrim ligjor të këshillimit publik. Çdo draft-ligj që do të mbështetej mbi komentet e qeverisë do të ishte kryekëput ndryshe çdo variant i diskutuar deri më tani dhe për pasojë një thyerje e rregullave të këshillimit publik. Ndryshimet vulosin përfundimisht fundin e sistemit të Zonave të Mbrojtura dhe biodiversitetit në Shqipëri.

Për gjithë arsyet e mësipërme, Ne, përfaqësuesit e shoqërisë civile, i kërkojmë parlamentit e sidomos qeverisë të tërhiqen nga propozimet e paraqitura deri më tani, të tregojnë transparencë, të hapin procesin për këshillimin e duhur mjedisor të draftit përfundimtar të projekt-ligjit si dhe të dëgjojnë argumentet e organizatave, institucioneve akademike dhe shkencore dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës.