Nga Rashela Shehu, gazetare.
Mostrat e mbledhura nëpër Vjosë i gjen kudo në laboratorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2016, Fundime Osmani, pedagoge në këtë fakultet, jep kontributin e saj të vyer për të nxjerrë në pah vlerat natyrore të banesit të Lumit Vjosa. ‘’Nisa ta studioj fillimisht fale një projekti të vogël që kishim në fakultet, por më pas ardhja e kërkuesve shkencorë nga Europa, më bëri të përfshihem pazgjidhmësisht në studimin e Vjosës’’ – shprehet Fundimja.
Pedagogia e biologjisë, dikur studente e shkëlqyer, e zgjodhi këtë profesion mes disa dilemave për të ardhmen, por sot, pas gati 18 vitesh ndjehet e lumtur për kontributin që jep në këtë fushë. ‘’Tashmë e konsideroj një pjesë të pandarë të jetës sime’’ – përgjigjet modestisht Fundimja, duke theksuar se bën detyrën e saj si çdo profesionist tjetër. Megjithatë, shkëlqimi në sy dhe entuziazmi që shfaq kur flet për Lumin Vjosa, është i pamohueshëm, pavarësisht viteve të shumta kërkimesh intensive.
‘’Fillimisht, studimet e mia u fokusuan në ekosistemet detare dhe shtrirja më tej e tyre në lumin e Vjosës përbën qasjen e parë të studimeve të këtij grupi në ujrat e ëmbla në vendin tonë’’ – shprehet më tej shkencëtarja, e specializuar rreth invertebrorëve ujorë.
“Vjosa është një ekosistem shumë i pasur, por të tilla studime kërkojnë shumë kohë, shpeshherë vite të tëra pune dhe durimi” – shton Fundimja, teksa rregullon mostrat në kabinetin e biologjisë. Janë pikërisht këto veçori, si vullneti dhe durimi, duke qëndruar me orë të tëra përpara mikroskopit, që e kanë bërë Fundimen të rreshtohet mes shkencëtarëve më të përkushtuar ndaj lumit të fundit të egër të Europës.
‘’Bashkëpunimi me shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj ka qënë një përvojë e shkëlqyer shkëmbimi sesi mund të kryhen studime ndërdisiplinare’’ – shprehet Fundimja, duke sjellë ndërmend dy figurat kryesore të shkencëtarëve për Vjosën, profesorin Aleko Miho dhe profesor Fritz Schiemer, nga Universiteti i Vjenës.
Pa asnjë hezitim, ajo ka marrë pjese në shumë aktivitete shkencore të mbajtura anembanë Europës, për të bërë të njohura gjetjet e dala nga kërkimet në lumin Vjosa. ‘’Një mundësi e artë profesionale’’ i quan ato biologia shqiptare, e cila thekson me tej rëndësinë e madhe që ka çdo prezantim i tillë për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen ndaj Vjosës.
Detyrës për t’i shërbyer shkencës dhe mjedisit, jo rralle i vihet përballe roli i saj si nënë. Si mama e dy djemve të vegjel ajo përpiqet të kujdeset sa më shumë për ta, ndaj nuk ja kursen vetes edhe pak nota faji kur i duhet të qëndrojë me orë të gjata në terren apo laborator. “Eh mendja më rri tek djemtë” – thotë Fundimja me zërin ku i ndihet pak pendesë, “megjithatë edhe Vjosën tashmë e kam si një vajzë të vogël”.
Një solidaritet i fortë mes vajzash ngjan ajo mes Fundimes dhe Vjosës, për ta vlerësuar dhe ruajtur pasurinë natyrore, në mënyre që ajo t’i trashëgohet e shëndetshme shumë brezave që do të vijnë pas. ‘’Kjo do të thotë për mua shumë vite të tjera kërkimesh dhe studimi’’ – përgjigjet duke qeshur biologia, teksa shton më tej se çdo zbulim i vogël është nje fitore e madhe për shkencën dhe Vjosën.
Falë kontributit dhe punës serioze të Fundimes dhe kolegeve të saj shkencëtarë, vlerat e rralla të ekosistemit të Lumit Vjosa u pranuan edhe nga institucionet, duke ndikuar në shpalljen e saj ëark kombëtar. E ky status i ri, për të, do të thotë edhe më tepër motivim.
‘’Kemi përgatitur një kërkim afatgjatë mbi lumin e Vjosës, e kjo do të vazhdojë me të njejtin përkushtim’’ – thotë shkencëtarja, sepse për Vjosën ‘’shoqen e pandarë të jetës së saj profesionale ’’ ia vlen çdo përpjekje. ‘’Natyra është aty për ne, por jemi ne që duhet të dimë t’i vlerësojme dhe t’i mbrojme vlerat e saj’’ – shton Fundimja, një thirrje të sinqertë drejtuar kujdo, përpara se t’i kthehet studimit të mostrave në mikroskopin e saj.