Nga Rashela Shehu, gazetare.
Me një buzëqeshje rrezëllitëse dhe mikëpritjen që e karakterizon, Irma Tako mirëpret këdo që dëshiron t’i bashkohet një aventure plot adrenalinë në Lumin Vjosa. Mbi rrjedhën e lirë dhe të furishme, vajza nga Përmeti ka zgjedhur ta kthejë profesionin në një mjet që lidh njerëzit me mrekullitë e Vjosës.
“Të jetosh pranë Lumit Vjosa është një dhuratë e çmuar në jetë,” thotë ajo, duke reflektuar mbi emocionet që ndjen kur udhëheq vizitorët nëpër ujërat e kristalta të lumit.
“Vjosa Explorer” ofron rafting për turistët prej 8 vitesh, dhe së fundmi është Irma që po merret me menaxhimin e kompanisë. Një sfidë e re për të në këtë drejtim, por jo në fushën e turizmit, ku ajo punon prej moshës 18 vjeçare.
Teksa kthen kokën pas, Irma e quan këtë “një investim të nxituar, por të duhurin”. “I nxituar sepse është kaq e vështirë që të bësh biznes në Shqipëri, megjithatë Vjosa ja vlen me çdo kosto” – shprehet ajo teksa nxiton të bëjë gati mjetet për vizitorët e rinj, që me padurim presin te zhyten në zemren e Vjosës. “Ky aktivitet sportiv ka qënë i parregulluar nga ana ligjore, madje ende sot nuk mund të flasim për një situatë të mirëorganizuar” – shprehet Irma, megjithatë asnjë nga këto sfida nuk ishte e mjaftueshme për të hequr dorë nga pasioni i saj.
Ajo vetë ekspoloroi thesaret e Lumit Vjosa përmes një varke rafting 14 vite me parë, mbresat e së cilës i ruan edhe sot. “Të gjendesh për kilometra të tërë në mesin e lumit Vjosa, në një natyrë të jashtëzakonshme, është një nga ndjesitë më të bukura në jetë” – thotë Irma, teksa shton se çdo herë është një përvojë ndryshe, “sepse tek Vjosa ka gjithmonë diçka të re për të zbuluar dhe për t’u mahnitur në të”.
Ai lundrim në zemër të Vjosës, që siç Irma thotë “herë të përkëdhel, e të tjera herë të godet me ndonjë shpullë valësh”, ishte një moment i rëndesishëm për të ndjekur një rrugëtim të ri në jetën e saj.
“U ktheva përkohësisht në Përmet, pas shumë vitesh që jetoja në Itali, por ja që pas 15 vitesh jam ende ketu” – flet e buzëqeshur. E mahnitur fillimisht nga natyra e zonës, ushqimi dhe traditat në qytetin e luleve, zgjedhja për të erdhi krejt natyrshëm.
“Unë jam rritur në qytete të ndryshme të vendit, për shkak të detyrës së babait tim, një ish oficer” – shprehet Irma, e cila nuk e fsheh dot krenarinë për vendlindjen dhe rrënjet e saj, Përmetin.”Një lidhje ekstreme gjaku dhe ndjesie” – pëlqen ta cilësojë herë pas here.
Dhe nuk është e vështirë të kuptosh se çfarë i pëlqen asaj më së shumti të koleksionojë, në zyrën e zbukuruar me gurë shumëformëshe të mbledhura buzë Vjosës apo enët e qelqit të mbushura me erëza erëforta.
E nëse e pyet për kauzën e saj personale me Vjosën, me të qeshur thotë se nisi nga glikoja e fikut të egër. “Glikoja që bëhet nga fiku i egër do shumë ujë, ndaj rritet anës Vjosës. Nisa të mahnitem nga bimësia, nga larmia e saj, që në një formë është njehësuar edhe me identitetin e kësaj zone”. Irma kujton ende si një moment të lumtur ardhjen e biologeve të parë të sjellë nga EcoAlbania për të studiuar biodiversitetin e Vjosës.
Por sot ajo nuk e fsheh shqetësimin në sytë e saj, që janë po aq të ngjashme me ngjyrën e Vjosës. “Jam e gëzuar që Vjosa është shpallur Park Kombëtar, por dua që mbi të gjitha ajo të jetë e mbrojtur realisht”.
Me miliona sy drejt Vjosës, do të ketë sipas saj edhe pasoja. “Duke nisur nga ne që bëjmë rafting në Vjosë, duhet të jemi të vetëdijshëm që nësë e demtojme botën e saj nënujore, të bejme kujdes apo edhe të tërhiqemi prej saj” – thotë Irma. Ajo kërkon që sa më shpejt të bëhen të qarta rregullat për mbrojtjen e Parkut Kombëtar, që sa më shumë pasoja të shmangen.”Vjosa është e shenjtë” – shprehet Irma, “ajo ka ekzistuar prej shekujsh, ndaj ne kalimtaret e zakonshëm duhet të jemi të vetëdijshëm për detyrën që kemi të lëmë pas një Vjosë të bukur dhe të shëndetshme”.