Nga Aleko Miho/ Gazeta Shekulli
Në Shqipëri vihen re qartë dukuri mjedisore mjaft tronditëse të periudhës së tranzicionit, por edhe të trashëguara, si urbanizimi i skajshëm në Ultësirën Bregdetare dhe gjithë rivierën jonike deri në Ksamil, dëmtimi i pyjeve dhe përdorimi i keq i tokës, e shoqëruar me erozion të madh; pushtimi i lumenjve me HEC-e dhe grabitja e tyre për inerte, ndotja me plehra në çdo skaj etj. Ndër të tjera kjo është edhe dëshmi e paaftësisë së specialistëve përgjegjës në gjithë strukturat që lidhen me mjedisin, duke filluar nga pushteti qendror në atë vendor; këtu ka shumë rëndësi dhe diplomimi i duhur dhe politika e duhur në përzgjedhjen e stafit të ri në shumë nga institucionet që veprojnë sot në Shqipëri në fushat mjedisore.
Biologjia e Ruajtjes
Përkufizimi i biologjisë së ruajtjes është studimi shkencor i natyrës dhe gjendjes së biodiversitetit të Tokës me qëllim mbrojtjen e llojeve, të ekosistemeve nga zhdukja e shpejtë dhe nga humbja prej ndërveprimeve biotike. Kjo është lëndë ndërdisiplinore që lidh shkencat natyrore dhe shoqërore, bashkë dhe me praktikën e menaxhimit të pasurive natyrore. Themelimi i biologjisë së ruajtjes buron nga vlerësimet që në 50 vitet që do të vijnë mendohet të zhduken deri në 50% e gjithë llojeve, që çon patjetër në varfëri dhe uri, dhe do të ndikojë në të ardhmen e këtij Planeti.
Biologët e ruajtjes bëjnë kërkim dhe edukim për prirjet e proceseve të humbjes së biodiversitetit, të zhdukjes së llojeve, dhe për ndikimet negative që ato kanë në mundësitë tona për të ruajtur mirëqenien e shoqërisë njerëzore. Për këtë, biologët e ruajtjes punojnë në fushë dhe në zyrë, në qeveri, universitet, organizmat joqeveritare dhe industri. Ata synojnë të bëjnë punë kërkimore, të monitorojnë, dhe të katalogojnë çdo cep të botës dhe të gjejnë lidhjet që ato kanë me shoqërinë. Çështjet janë të ndryshme, për shkak se ky është një rrjet ndërdisiplinor me lidhje profesionale si në shkencat biologjike dhe ato shoqërore.
Ata që i përkushtohen shkaqeve me profesionalizëm pohojnë për përgjegjësi globale për krizën e biodiversitetit sot që mbështetet në shkaqe morale, etike dhe shkencore. Organizmat dhe qytetarët përgjigjen ndaj krizës së biodiversitetit nëpërmjet planesh veprimi të ruajtjes që drejtojnë programet kërkimore, monitoruese dhe mësimore që lidhin shqetësimet vendore në shkallë globale. Biologjia e ruajtjes dhe koncepti i larmisë biologjike (biodiversitetit) janë shkrirë së bashku, në ndihmë të kristalizimit të shkencës së ruajtjes dhe politikës në kohët moderne.
Prej vitit akademik 2008-2009 pranë Departamentit të Biologjisë, FShN, UT, po zhvillohet Programi i studimit Master Shkencor në Biologji Mjedisore, 2 vjet me 120 kredite, me grupe deri në 15 studentë të zgjedhur, kryesisht nga ata që kanë mbaruar degën Bachleor të Biologjisë (3 vjet me 180 kredite) ose ndonjë degë të afërt. Profili kulturor dhe profesional i specialistit në përfundim të programit është të bëhet specialist i biologjisë së ruajtjes, i studimit, vlerësimit, administrimit, menaxhimit dhe ruajtjes së pasurive biologjike, mjedisit natyror, urban, bujqësor dhe industrial.
Në fund të studimeve këta ekspertë janë të aftë për punë kërkimore të pavarur në çështje të ndryshme të biologjisë së ruajtjes, pasurive biologjike, në vlerësimin e grupeve të ndryshme të biodiversitetit, të bimonitorimit, të administrimit dhe menaxhimit mjedisor, në vlerësimin ekonomik të pasurive biologjike etj., duke përdorur me lehtësi edhe metodat bioinformatike dhe biostatistikore.
Artikullin e plotë, botuar në Gazetën Shekulli mund ta lexoni këtu