Nga Aleko Miho/ Gazeta Shekulli
Në Shqipëri vihen re qartë dukuri mjedisore mjaft tronditëse të periudhës së tranzicionit, por edhe të trashëguara, si urbanizimi i skajshëm në Ultësirën Bregdetare dhe gjithë rivierën jonike deri në Ksamil, dëmtimi i pyjeve dhe përdorimi i keq i tokës, e shoqëruar me erozion të madh; pushtimi i lumenjve me HEC-e dhe grabitja e tyre për inerte, ndotja me plehra në çdo skaj etj. Ndër të tjera kjo është edhe dëshmi e paaftësisë së specialistëve përgjegjës në gjithë strukturat që lidhen me mjedisin, duke filluar nga pushteti qendror në atë vendor; këtu ka shumë rëndësi dhe diplomimi i duhur dhe politika e duhur në përzgjedhjen e stafit të ri në shumë nga institucionet që veprojnë sot në Shqipëri në fushat mjedisore.
Biologjia e Ruajtjes
Përkufizimi i biologjisë së ruajtjes është studimi shkencor i natyrës dhe gjendjes së biodiversitetit të Tokës me qëllim mbrojtjen e llojeve, të ekosistemeve nga zhdukja e shpejtë dhe nga humbja prej ndërveprimeve biotike. Kjo është lëndë ndërdisiplinore që lidh shkencat natyrore dhe shoqërore, bashkë dhe me praktikën e menaxhimit të pasurive natyrore. Themelimi i biologjisë së ruajtjes buron nga vlerësimet që në 50 vitet që do të vijnë mendohet të zhduken deri në 50% e gjithë llojeve, që çon patjetër në varfëri dhe uri, dhe do të ndikojë në të ardhmen e këtij Planeti.