Zhvillimi i takimeve paraprake me grupet e interesit për të prezantuar projektin ESPID4VJOSA

Gjatë periudhës dhjetor 2021 – prill 2022, ekipi i projektit ESPID4Vjosa zhvilloi 13 takime paraprake me grupet e interesit për të prezantuar objektivat dhe planin e punës me qëllim rritjen e sinergjisë dhe bashkëpunimit për një zbatim sa më efektiv të projektit. 

Si një fazë fillestare e zbatimit të projektit, procesi u bazua kryesisht në mbledhjen dhe vlerësimin e komenteve të palëve të interesuara për temat dhe veprimet e projektit. Gjatë kësaj faze u organizuan takime me vendimmarrësit qendrorë, bashkitë, institucionet (AMBU, AKZM, ADZM dhe AKM), Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Universitetin e Tiranës dhe OSHC-të për të prezantuar projektin dhe diskutuar mbi nevojat e tyre për çështjet e lidhura me pellgun e lumit Vjosa.

Ndër problematikat më shqetësuese të identifikuara gjatë kësaj faze  janë: depozitimi i mbetjeve dhe derdhja e ujërave të zeza në ujë, kompanitë që marrin aluvione në sasi të mëdha nga shtrati i lumit. Ndërsa nevoja për angazhimin e Njësive të Qeverisjes Vendore akoma vazhdon të mbetet primare në procesin fillestar për të forcuar menaxhimin administrativ të lumit Vjosa.

Palët e interesuara shprehën vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në forcimin e përpjekjeve të menaxhimit të pellgut të lumit Vjosa. 

Së fundi, ky proces u finalizua me përgatitjen e një raporti fillestar bazuar në rivlerësimin e rrethanave aktuale dhe programeve e projekteve në vazhdim që lidhen me menaxhimin e basenit të Vjosës si dhe bazuar në një konsultim intensiv dhe takime me të gjithë aktorët përkatës.