Workshop me OSHC-të mjedisore në Vlorë

Dymbëdhjetë organizatat mjedisore që operojnë në qarkun e Vlorës, Fierit dhe Gjirokastrës njihen me platformën online të projektit ENGONA (Enviromental NGO Network in Albania/Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri).

Platforma do t’i ndihmojë organizatat e shoqërisë civile për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë në objektivat e tyre të ndërgjegjësimit apo advokimit rreth problemeve si: prishja e ndërtesave historike, zjarret në zonat e mbrojtura, ndotja e tokave nga plehrat kimike, apo aktiviteti i guroreve përgjatë lumenjve.

Trajnimi i organizatave lokale për përdorimin e platformës. (c) EcoAlbania

ENGONA e ka konceptuar platformën si një rrjetëzim tematik për: advokim mjedisor, biodiversitetin e faunën, legjislacionin si dhe ndotjen. Ajo do të jetë funksionale edhe pas përfundimit të projektit.

Organizatat lokale u trajnuan për përdorimin e platformës nga përfaqësues të katër rrjeteve të ngritura si dhe me kontributin nga ekspertë si Prof. Dr. Arben Malaj dhe MSc. Fjona Kurteshi.

Projekti ENGONA synon zbutjen e fragmentarizimit që ekziston mes organizatave përmes rrjetëzimit. Kjo u vlerësua shumë nga përfaqësuesit e organizatave lokale të shoqërisë civile, të cilët shprehën interes për rrjetëzime me organizata të tjera.

Ata sugjeruan që organizatat të jenë interaktive me qasjen në platformë duke rritur kështu edhe kapacitetet e tyre.

Takimi trajnues me organizatat e shoqërisë civile u zhvillua më 5 prill 2022 në Vlorë nga Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (PPM) në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania dhe Qendrën ACEG (Albanian Centre for Enviromental Governance).

Projekti ENGONA mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).