Nga Olsi Nika / Gazeta Shqiptare
Ndërtimi i HEC-eve në Shqipëri mori një hov pothuajse epidemik gjatë viteve 2010-2013 me mbështetjen e qeverisë shqiptare të asaj kohe ku në total janë dhënë rreth 499 koncesione, 113 prej tyre janë brenda Zonave të Mbrojtura (sipas AKBN). Kjo do të thotë që në përpjesëtim me rreth 3000 km gjatësi lumore që ka rrjeti hidrografik i vendit tonë, përllogaritet që në çdo 6 km rrjedhë të ndërtohet një hidrocentral. Tabloja është absolutisht apokaliptike kur kjo nismë e qeverisë nuk u mbështet në asnjë studim strategjik të ndikimeve mjedisore që mund të kishte ndërtimi i këtyre HEC-eve. Nga ana tjetër fakti që deri më sot nuk janë përfunduar as 30% e tyre, edhe pse i kanë tejkaluar afatet e parashikuara në kontratat koncesionare, hedh hije dyshimi për abuzime, histori korrupsioni e mashtrimi në shumë raste.
Në fakt sektori i energjisë nuk është kontribuesi kryesor në GDP e vendit tonë dhe ndërtimi i këtyre HEC-eve nuk do të shtonte më shumë se 10% të tij, por prodhimi i energjisë nga këto prej tyre do të kompensonte atë pjesë të energjisë (rreth 38%) që aktualisht ne e humbasim në rrjetin e shpërndarjes (Ministria e Energjisë dhe Industrisë). Por a ja vlen që të gjejmë zgjidhje duke sakrifikuar të gjithë lumenjtë vetëm për të kompensuar humbjen në rrjet?
Jo në pak raste ndërtimi i HEC-eve ka gjeneruar konflikte mes komunitetit lokal dhe kompanive koncesionare. Në këtë prizëm duket qartë se sa pak e kanë marrë dakordësinë e komunitetit lokal këto kompani, por nga ana tjetër ajo çka është më e rëndësishme është fakti që përveç pasojave mjedisore ndërtimi i këtyre HEC-eve pa u bazuar në një Master Plan Strategjik mbarë sjell edhe pasoja negative sociale që shpeshherë kanë përfunduar edhe me revolta popullore.
Nga kjo epidemi nuk kishte si të shpëtonte as lumi Vjosa, në jug të vendit tonë. Madje pikërisht HEC-i i Kalivaçit ka qenë ndër të parat kontrata koncesionare (që në vitin 1997). Dhe më pas planet për shfrytëzimin e Vjosës për hidroenergji do të rriteshin vazhdimisht derisa do të arrinin në një shifër alarmuese prej 31 HEC-esh të planifikuar në gjithë ujëmbledhësin e Vjosës. (8 prej tyre në rrjedhën e Vjosës dhe 23 të vegjël në degët e saj si Bënça, Lengarica, Çarshova, Drinos etj.)
Megjithatë lumi Vjosa rrjedh akoma i lirë nga burimi deri në grykëderdhje dhe jo më kot konsiderohet lumi i fundit “i egër” në Evropë për shkak të gjendjes së tij natyrore. Një lumë unik që ka mbetur pothuajse i paprekur në 270 km e tij duke rrjedhur i lirë nga burimi në grykëderdhje…por për sa kohë do të vazhdoje të jetë i tillë?
Në deklaratën e fundit për shtyp kryeministri Edi Rama u shpreh: “Ne kemi një plan tjetër për Vjosën, atë të parkut natyror. Dhe, sigurisht që nuk mund të kthejmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim, por që nga Kalivaçi e lart ne nuk do të lejojmë më të ndërtohet asnjë hidrocentral”.
Kjo deklaratë vë në pikëpyetje të ardhmen e lumit të fundit të egër të Evropës. “Nëse qeveria shqiptare lejon ndërtimin e digës së Kalivaçit, i gjithë integriteti hidromorfologjik dhe ekologjik i këtij lumi, do të jetë i humbur. Në fakt është pikërisht ky integritet i vazhdimësisë natyrore të rrjedhës së lumit që e bën Vjosën të jetë unike në të gjithë Evropën. Prandaj nëse kjo humbet si pasojë e ndërtimit qoftë edhe të një dige të vetme siç mund të jetë rasti i Kalivaçit, ne nuk mund ta mbështesim më idenë e një Parku Kombëtar të Vjosës. Përkundrazi, të paktën me sytë e mi, vetëm pjesa e sipërme e Vjosës nuk ia vlen të bëhet Park Kombëtar.
Ne kemi shumë lumenj në Evropë që janë në gjendje shumë të mirë në rrjedhën e tyre të sipërme, madje disa prej tyre janë edhe Zona të Mbrojtura, por në asnjë rast të vetëm nuk ka mes tyre një lumë që të rrjedhë në shtratin e vet natyror në të gjithë gjatësinë e tij. Kjo pra është ajo vlerë që Vjosa e ka ende dhe prandaj mund të jetë parku i parë i një lumi natyror në të gjithë kontinentin. Shpallja si Park Kombëtar vetëm e rrjedhës së sipërme të tij jo vetëm që nuk përbën më një veçanti, por do të jetë shumë e vështirë për t’ia shpjeguar publikut ndërkombëtar sesi në fillim flijohet lumi i fundit “i egër” i kontinentit dhe më pas shpallet një Park Kombëtar në atë segment që mbetet. Kjo jo vetëm nuk do tingëllojë mirë, por edhe mund të shkaktojë një reagim mjaft të madh ndërkombëtar. Vjosa është tani e njohur ndërkombëtarisht”, thotë Ulirch Eichelmann specialist i lumenjve nga RiverWatch.
Ndërkohë qindra banorë të luginës së Vjosës duke filluar nga Çarshova deri në Selenicë, kanë firmosur një peticion drejtuar kryeministrit të vendit, ku kërkojnë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe anulimin e HEC-eve në gjithë ujëmbledhësin e saj.
Ne e përshëndesim vullnetin e mirë si edhe nismat konkrete të qeverisë në drejtim të mbrojtjes së mjedisit ku për hir të së vërtetës deri më tani këto kanë qenë çështje të dorës së dytë. Gjithashtu e mirëkuptojmë vështirësinë e zhbërjes së shumë vendimeve të padrejta në lidhje me HEC-et të cilat kanë padyshim koston e tyre financiare që pashmangshmërisht do të rëndojë në kurrizin e shqiptarëve. Megjithatë ne besojmë se kur është fjala për komprometimin e trashëgimisë sonë natyrore që në vetvete përbën edhe bazën e zhvillimit ekonomik në terma afatgjata, politika në raste të caktuara nuk duhet të bëjë kompromise në marrjen e vendimeve. Dhe rasti i Vjosës është absolutisht i tillë. Vendosja e “kufijve” duke marrë Kalivaçin si pikë referimi në fakt nuk bën gjë tjetër veçse ndarjen e lumit në dy pjesë; ku njëra do të sakrifikohet për prodhim hidroenergjie dhe tjetra do të shpallet Park Kombëtar. Ky në fakt është padyshim një kompromis, por që është i ndërtuar mbi logjikën e ndarjes më dysh të këtij ekosistemi, i cili vlerën më ta madhe natyrore të tij, ka pikërisht vazhdimësinë, rrjedhën natyrore që i jep potencialisht atributet e një Parku Kombëtar të pakrahasueshëm me tjetër në Evropë. Prandaj ne besojmë se në rastin e Vjosës do të ishte më e udhës që kostot financiare të anulimit të koncesioneve më mirë t’i paguanim sot sesa përjetësisht!
Nga ana tjetër gjatë turit të takimeve me komunitetin e luginës së Vjosës ne kemi konstatuar se, që nga Çarshova e deri në Novoselë komuniteti është shprehur pro Parkut Kombëtar në të gjithë gjatësinë e lumit duke mos vendosur asnjë kufi apo pikë referimi. Madje solidarizimi i njehsuar është vënë re dukshëm kur banorë nga e gjithë lugina i janë bashkuar komunitetit të Bënçës për të protestuar kundër ndërtimit të HEC-eve në këtë lumë duke kërkuar anulimin e tyre pasi po shkatërrojnë ekosistemin unik të lumit që ata e konsiderojnë si zemrën e Parkut Kombëtar të ardhshëm.
Paketa ligjore që qeveria po përgatit për të mos lejuar aktivitete industriale në Zonat e Mbrojtura është sigurisht një nismë e mirë por ajo çka me të vërtetë do ta shpëtonte përfundimisht rrjetin tonë hidrografik do të ishte ndërmarrja e një Master plani Strategjik që do të përcaktonte se ku “mund” dhe ku “nuk duhet” të ndërtohen hidrocentralet. Dhe padyshim që deri në përfundim të këtij vlerësimi, i cili duhet të ishte bërë para sesa të jepeshin lejet koncesionare, vendimi më i drejtë do të ishte pezullimi i të gjitha HEC-eve që nuk kanë përfunduar së ndërtuari.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri Edi Rama u shpreh se: “…jemi po kaq të vullnetshëm që të penalizojmë të gjithë ata që nga brenda shtetit përpiqen të përfitojnë duke bërë marrëveshje me krimin apo me kriminelët e të gjitha niveleve, në këtë rast me kriminelët mjedisor, për të cilët siç e thashë do të ketë një paketë të posaçme me të gjitha ilaçet e duhura në mënyrë që ky kriminalitet mjedisor të marrë fund…”
Por a do të mundet kjo “paketë me ilaçe” e propozuar nga qeveria të mund të shpëtojë zemrën blu të Evropës e sidomos lumin Vjosa dhe degët e tij nga epidemia e HEC-eve?
Artikullin e publikuar në Gazetën Shqiptare/BalkanWeb mund ta gjeni këtu