Trofta kontinetale

Shqipëria, mbreslënëse dhe premtuese!

Në ditën e fundit të aktivitetit të organizuar në luginën e lumit Soča- Tolmin, Slloveni, në datat 24-30 gusht 2014, ne u munduam të paraqesnim situatën e lumenjeve në vendin tonë si dhe mundësitë që mund të jenë me interes për të punuar në lidhje me ruajtjen e vlerave natyrore. Pothuajse e panjohur me Shqipërinë, audienca u mahnit nga prezantimi i këtyre vlerave të pakrahasueshme. Gjatë prezantimit u paraqit në mënyrë të përmbledhur rrjeti hidrografik i vendit tonë, ku lumenjtë e pacënuar të alpeve, u cilësuan si mbrëslënës, të cilët falë parametrave hidro-morfologjike dhe fiziko-kimike të tyre garantojnë një potencial të madh për strehimin e popullatave të shëndetshme të troftës së egër.

Nga ana tjetër, situata ekonomike në Shqipëri përbën një kërcënim serioz për trashëgiminë natyrore të saj, veçanërisht në këto zona të largëta. Në këtë aspekt duhen marrë në konsideratë edhe planet për ndërtimin e një serie digash për qëllime hidro-enegjitike, të cilat përbëjnë një pikë me interes të veçantë në përqasjen e ruajtjes së këtyre ekosistemeve natyrore me vlera të jashtëzakonshme.

Përkrah impresioneve të dhuruara, Tolmin-i ka qenë gjithashtu burim frymëzimi edhe për ne. Zbatimi i praktikave të peshkimit sportiv përmes metodës “Kap & Lësho” në lumin Soča dhe degët e tij është metoda që gjeneron një burim të konsiderueshëm dhe të qëndrueshëm të ardhurash për komunitetin lokal. Kjo mund të jetë mënyra më e përshtatshme për të krijuar një marrëdhënie të favorshme mes natyrës dhe njerëzve edhe në vendin tonë. Pas diskutimeve, të udhëhequr nga dashamirësia për ruajtjen e natyrës por edhe nga frymëzimi i nismës konkrete të ndërmarrë në Slloveni dhe sigurisht nga lajtmotivi “Pse jo?”, ne vendosëm që kjo nismë të ndërmerret edhe në Shqipëri nga CTCF, CT-Shqipëri, dhe partnerët tanë.

Ndërkohë ne kemi përcaktuar si pikë fillestare të projektit, zonën e Alpeve Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna, të cilat shtrihen në Shqipërinë veriore, në Malin e Zi dhe Kosovën lindore. Lumi Valbona në Shqipëri është më i madhi dhe ndoshta me potencialin më të lartë përsa i përket aspektit të biodiversitetit dhe të biomasës në Alpet Shqiptare. Pothuajse gjithë pellgu ujëmbledhës i tij shtrihet brenda kufinjve të Parkut Kombëtar të Valbonës. Ne tashmë kemi kontakte të mira dhe të qëndrueshme në rajon, ku disa prej tyre kanë ndërmarrë edhe iniciativa për zhvillimin e eko-turizmit duke krijuar infrastrukturën bazë. Për më tepër, trofta e Valbonës gëzon reputacion, jo vetëm në rajon, por edhe më tej. Megjithëse popullsia e saj është ulur në mënyrë drastike nga gjuetia e paligjshme në vitet e fundit, potenciali i këtij habitati është mjaft i lartë çka përbën një shtysë të madhe për të ndërmarrë disa iniciativa për ndërhyrje restauruese të suksesshme. Rritja e mëtejshme e reputacionit të kësaj trofte dhe sidomos ruatja e saj do të ndihmojë në profilizimin e mëtejshëm të këtij lloji si një mjet dhe qëllim për të përmirësuar situatën ekonomike dhe sociale të komunitetit lokal. Ne kemi besim të plotë se kjo nismë do të mirëpritet nga bashkësitë lokale të luginës së Valbonës.

Nga: Rene Beaumont/ CTCF & Olsi Nika/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *