Të edukojmë brezin e ri mbi mjedisin dhe problemet e tij në shkollën “Veiz Myslymi”

Buzmadh, Fier, 25 Tetor 2024. Edukimi mjedisor në shkollat 9-vjeçare na gjeti këtë herë në shkollën “Veiz Myslymi” në Buzmadh, Fier. Gjatë kësaj ore, nxënësit e klasës së shtatë bashkëbiseduan mbi problemet e lidhura me elementët kryesorë të mjedisit: ajrin, burimet ujore, tokën, pyllin.

Ata, si entuziastë për mjedisin, na treguan se ishin në dijeni në fushën e problematikave mjedisore dhe ishin mjaft të ndërgjegjshëm për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij, me idetë e tyre dhe me faktin, që ata ripërdornin materiale të ndryshme për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm brenda shkollës.

Aspekti teorik u ndoq nga aspekti praktik, ku fëmijët së bashku me mësuesit u bënë pjesë e tij. Në këtë eksperiment, nxënësit mësuan mbi konceptin e veprimit dhe kundërveprimit vetëm me anë të një tollumbaceje përgjatë një filli. Tollumbacja u mbush me ajër dhe u ngjit mbas një pipe të vendosur në një nga krahët e fillit. Pasi u lëshua, kaloi në anën tjetër të tij për shkak të forcës së presionit të ajrit. Eksperimenti kishte si qëllim t’i mësonte atyre se edhe veprimet tona kanë kundërveprime dhe se duhet të ndikojmë pozitivisht që edhe mjedisi të kundërveprojë pozitivisht te ne dhe jeta jonë.

Kjo orë ishte mjaft e arrirë duke lënë te nxënësit mbresa të mira dhe komente të fuqishme se si të mbrojmë mjedisin me veprime të vogla domethënëse duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.