Miqtë e Vjosës u mblodhën sërish këtë muaj për të biseduar mbi problematikën e ndërtimit të HEC-eve në lumin e fundit të egër në Evropë. Në çdo takim bashkohen miq të rinj të cilët angazhohen të mbështesin nismën për mbrojtjen e lumit Vjosa. Këtij takimi iu bashkuan figura njohura të jetës artistike, politike, mediatike etj. si dhe përfaqësues të organizatave mjedisore në Shqipëri së bashku me dashamirës të natyrës dhe anëtarë të komunitetit.
Lumi Vjosa, së bashku me tributarët e tij, përbën një rrjet lumor pothuajse natyror dhe një ekosistem unik për vendin tonë dhe më gjerë. Ai rrjedh i pandikuar nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhje në detin Adriatik dhe konsiderohet si lumi i fundit “i egër” i kësaj madhësie në Evropë. Pavarësisht kësaj përgjatë gjithë pellgut ujëmbledhës janë parashikuar të ndërtohen 31 HEC-e të cilët aktualisht përbëjnë kërcënimin më të madh që i kanoset këtij ekosistemi. Gjatë periudhës së fushatës elektorale, kryeministri ka premtuar shpalljen e gjithë luginës së Vjosës Park Kombëtar, duke u shprehur qartë se nuk do të lejojë masakrën që po bëhet me ndërtimin e hidrocentraleve…por vetëm verën e këtij viti pas zgjedhjeve vetë kryeministri ka miratuar bonusin prej 8 pikësh dhënë kompanisë turke Çinar-San për ndërtimin e HEC-it të Poçemit.
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit është e domosdoshme të bashkojmë forcat për të krijuar ide dhe aksione të përbashkëta.
Ndër aksionet e propozuara gjatë takimit ishin:
- Realizimi i një programi televiziv në një nga televizionet e rëndësishme kombëtare ku të diskutohet me një panel profesionistësh të cilët do të jepnin këndvështrimet e tyre në lidhje me fushën që përfaqësojnë.
- Përdorja e të dhënave për llojet e gjallesat e rrezikuara që gjenden në luginën e Vjosës, siç mund të jenë lloje të peshqve, shpendëve të rrezikuara apo llojeve të rralla të lakuriqëve të natës të raportuara për herë të parë në Shqipëri.
- Të ushtrohet më tepër “presion” nga grupi kundrejt vendimmarrësve gjatë një takimi me grupin parlamentar.
- Të intesifikohet mediatizimi i çështjes.
- Të intesifikohen protestat për të rritur akoma më tepër reagimin qytetar dhe ndjeshmërinë ndaj çështjes së Vjosës.
Takimet e miqve të Vjosës janë takime periodike me dashamirës të natyrës që vijnë nga fusha të ndryshme dhe kanë si qëllim zgjerimin e rrjetit të njerëzve që duan të angazhohen në mbrojtjen e lumit të fundit natyror në Evropë.
Secili prej nesh në mënyra të ndryshme ka mundësinë të ngrejë zërin në lidhje me këtë çështje të rëndësishme dhe të gjithë së bashku të zgjerojmë rrjetin e miqve të Vjosës duke e bërë problematikën më të njohur në rrethet e ndryshme shoqërore brenda dhe jashtë vendit.
Nga Besjana Guri/ EcoAlbania