Takime me komunitetet lokale për korridoret ekologjike dhe sfidat mjedisore në zonën Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz

Në kuadër të projektit ISCCA, u organizua një seri takimesh me komunitetet lokale në disa zona të rajonit, me qëllim prezantimin e konceptit dhe rëndësisë së korridoreve ekologjik, diskutimin e sfidave mjedisore dhe shkëmbimin e mendimeve me komunitetet mbi çështjet që prekin territorin.

Gjatë takimeve u prezantua gjithashtu Plani i Veprimit i hartuar në kuadër të projektit dhe aktivitetet e parashikuara. Pjesëmarrësit u njohën me disa nga masat që synojnë të adresojnë problematikat mjedisore në zonë dhe me mënyrat se si komuniteti lokal mund të kontribuojë në zbatimin e tyre. Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua dëgjimit të perspektivave dhe shqetësimeve të komuniteteve, të cilat kanë njohuri të drejtpërdrejta mbi sfidat në terren.

Takimet mblodhën një sërë pjesëmarrësish, përfshirë fermerë, bletërritës, peshkatarë, gjuetarë, mësues, përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe prodhues të produkteve bio dhe bimore mjekësore. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e problematikave mjedisore në zonë dhe në rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve për adresimin e tyre.

Një nga çështjet e ngritura gjatë takimit në Gramsh ishte problematika e zjarreve në pyje dhe vështirësitë që lidhen me reagimin ndaj tyre. Pjesëmarrësit theksuan mungesën e mekanizmave të organizuar për përfshirjen e vullnetarëve, si dhe sfidat që hasin ekipet zjarrfikëse për të arritur në disa zona për shkak të mungesës së rrugëve të aksesit. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e parandalimit dhe e ndërgjegjësimit të komunitetit për të reduktuar rrezikun e zjarreve.  

Një tjetër temë e rëndësishme me përfaqësuesit e Librazhdit ishte gjendja e Luginës së Shkumbinit dhe ndikimet që aktivitetet njerëzore kanë pasur në ekosistemin e saj. Pjesëmarrësit ngritën shqetësime për ndotjen nga mbetjet dhe për ndërhyrjet infrastrukturore që kanë ndryshuar peizazhin natyror të zonës. U theksua se zhvillimi është i rëndësishëm për komunitetin, por ai duhet të jetë në përputhje me mbrojtjen e natyrës dhe të burimeve natyrore.

Përfaqësues të komunitetit të peshkatarëve ndanë gjithashtu shqetësimet e tyre lidhur me degradimin e lumit ndër vite. Ata përmendën praktikat e dëmshme të peshkimit ndër vite, si përdorimi i dinamitit, si dhe ndikimin e hidrocentraleve dhe të nxjerrjes së zhavorrit në ekosistemin e lumit. Sipas tyre, këto ndërhyrje kanë ndikuar në uljen e nivelit të ujit në disa segmente dhe në dëmtimin e habitateve të peshqve.

Diskutimet prekën gjithashtu cështje që lidhen me ndërgjegjësimin dhe edukimin mjedisor. Pjesëmarrësit theksuan se shumë të rinj kanë njohuri të kufizuara mbi çështjet mjedisore dhe mbi ndikimin që një mjedis i shëndetshëm ka në cilësinë e jetës. Për këtë arsye u sugjerua që edukimi mjedisore të fillojënë moshë të hershme dhe që shkollat të përfshihen më aktivisht në aktivitete ndërgjegjësuese.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e përfshirjes së komunitetit në mbrojtjen e mjedisit dhe në adresimin e problematikave lokale. Pjesëmarrësit diskutuan edhe disa masa që mund të ndihmojnë në përmirësimin e situates, si ripyllëzimi i zonave të dëmtuara, identifikimi i rrugëve të aksesit për ekipet zjarrfikëse dhe organizimi i fushatave ndërgjegjësuese për parandalimin e zjarreve.

Në përgjithësi, takimet treguan interes dhe angazhim të konsiderueshëm nga komunitetet lokale për të diskutuar sfidat mjedisore dhe për të ndarë përvoja nga terreni. Bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve, institucioneve dhe organizatave u konsiderua thelbësor për ruajtjen e vlerave natyrore të zonës dhe për një zhvillim më të qëndrueshëm në të ardhmen.