Studim i ri: Ndërtimi i hidrocentraleve rrezikon parajsën e peshqve të Evropës

++ Lumenjtë e Ballkanit mbajnë 113 specie të rralla dhe të mbrojtura peshqish. Nëse zhvillimi hidroenergjetik vijon sipas planifikimit, rreth 10 përqind e të gjitha specieve të peshqve të lumenjve evropianë do të jenë të rrezikuar ++

Vjenë, Radolfzell, 19 Prill 2018. Lumenjtë në Ballkan përbëjnë strehën e peshqve të Europës, sipas një studimi të ri të publikuar sot nga Riverwatch dhe EuroNatur. Studimi zbulon se 113 lloje peshqish të rrezikuar kanë gjetur habitat në lumenjtë midis Sllovenisë dhe Greqisë – më shumë se në çdo rajon tjetër në Evropë. Eksperti i peshqve Dr. Steven Weiss nga Universiteti i Grazit dhe bashkëautorët e tij vlerësuan gjithashtu pasojat për faunën e peshkut, nëse do të ndërtohen hidrocentralet e projektuara në Ballkan. Rezultati është alarmues: njëmbëdhjetë lloje peshqish do të zhdukeshin globalisht dhe 38 lloje të tjera do të arrinin pragun e zhdukjes. “Zhvillimi i hidroenergjisë po rrezikon 10 përqind të të gjithë llojeve të peshqve të lumenjve në Evropë. Hidroenergjia përbën kërcënimin më të madh për faunën e peshkut të kontinentit tonë “, shprehet Dr. Steven Weiss.

Ndër speciet e rrezikuara janë peshq gjigantë, të tillë si Salmoni i Danubit (Hucho hucho) që mund të rritet në gjatësi deri në 1,5 metra, si dhe peshq të vegjël  si Phoxinellus dalmaticus, që arrin 10 centimetra gjatësi. Disa lloje mund të gjenden vetëm në pak kilometra të rrjedhë ujore dhe askund tjetër. Këto përfshijnë troftën e Prespës (Salmo peristericus) ose Zingel balcanicus, një lloj barbuni që mendohej të ishte e zhdukur por u rizbulua në një pjesë të një lumi në Maqedoni gjatë zhvillimit të këtij vlerësimi (të gjitha llojet e peshqve i në databazën online të peshqve).

Studimi përcakton 3 pika të rëndësishme të biodiversitetit të rrezikuara: Baseni i Neretvës në Bosnië-Hercegovinë dhe Kroaci me 14 specie të listuara, sistemi Morača/ Shkodër në Malin e Zi dhe Shqipëri me 11 specie të listuara dhe Tara/ sistemi i Drinës së epërme në Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë me rreth 200 km habitat lumor të pacënuar.

Tre lumenj në Ballkan janë të një rëndësie të veçantë: Neretva dhe Drina në Bosnje-Hercegovinë, si dhe Morača në Mal të Zi. Këto lumenj janë habitat për më shumë se 50 specie të Listës së Kuqe të IUCN,  gjë që i rendit ato në mesin e lumenjve më të rëndësishëm dhe më të larmishëm në llojet e peshqve në Europë.

Megjithatë, në të gjithë këto lumenj janë parashikuar diga të mëdha- me ndihmën e Bashkimit Evropian. Kohët e fundit, Komisioni Evropian paraqiti një listë prioritare të projekteve të hidrocentraleve në Ballkan, të cilat me gjasa do të marrin mbështetje financiare. Kjo listë përfshin jo më pak se dhjetë projekte në këto tre lumenj. Komisioni i BE ka ndërmend të publikojë një listë përfundimtare të projekteve prioritare në Sofje, më 17 Maj.

Phoxinellus dalmaticus: Popullata globale e këtij lloji të vogël (max 12cm) është e kufizuar në lumin Čikola në Kroacinë jugore. Tre projekte hidrocentralesh janë planifikuar në këtë lum, që rrezikojnë zhdukjen të gjithë llojit. (c) P. Mustafić

“Nëse BE-ja do t’i përmbahet ligjeve të veta, ajo duhet t’i ndalë këto projekte të digave në vend që t’i promovojë ato. Këto lumenj duhet të bëhen parqe kombëtare në vend që të mbyten në rezervuarë”, thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.

Neretva dhe degët e saj në Bosnjë-Hercegovinë është një nga pikat më të rëndësishme të peshqve në Ballkan dhe në Europë. Aty gjenden jo më pak se 17 specie të rrezikuara. BE po shqyrton mundësinë e ndërtimit të dy digave të mëdha në këtë lum. Kjo do të sillte pasoja shkatërruese për Salmo obtusirostris (lloj trofte). (c) A. Vorauer

“Ky studim dëshmon edhe njëherë vlerën e jashtëzakonshme të lumenjve të Ballkanit dhe pasojat alarmuese të hidroenergjisë për biodiversitetin. Zhvillimi i planifikuar i hidrocentraleve në Ballkan po vë në rrezik një zonë të rëndësishme europiane  të diversitetit biologjik “, thekson Gabriel Schwaderer, drejtor ekzekutiv i Fondacionit EuroNatur.

Studimi “Lumenjtë e Ballkanit – Speciet e Rrezikuara të Peshqve. Shpërndarja dhe kërcënimet nga zhvillimi i hidrocentraleve ” u krye në kuadër të fushatës” Save the Blue Heart of Europe “, koordinuar nga organizatat për ruajtjen e biodiversitetit Riverwatch dhe EuroNatur. Ky studim përbën vlerësimin e parë gjithëpërfshirës të specieve të rrezikuara dhe të mbrojtura të peshqve si dhe pasojat e bumit të hidrocentraleve në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Salmo obtusirostris: Ekzistojnë vetëm 5 popullata të ndryshme, më e mira prej të cilave është ajo e mbetur në lumen Neretva. Projektet e digave në Neretva kërcënojnë zhdukjen e më shumë se 50% të popullatë. Digat në lumin Moraca, me shuë gjasa do të zhduknin llojet përgjatë sistemit. (c) A. Hodalič

Shënime

  • Shkarko studimin dhe vizito databazën online të peshqve si dhe hartën e shpërndarjes interaktive.
  •  Ky studim është kryer si pjesë e fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”: Rreth 2800 diga të reja janë parashikuar aktualisht midis Sllovenisë dhe Shqipërisë. Për të luftuar këtë vërshim shkatërrimi, ‘EuroNatur’ dhe ‘RiverWatch’ kanë nisur fushatën “Save the Blue Heart of Europe” (Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës) në bashkëpunim me partnerët lokalë në vendet përkatëse të Ballkanit. Zbuloni më shumë këtu: http://www.balkanrivers.net

Për më shumë informacion kontaktoni: