“Si e imagjinoni qytetin tuaj në të ardhmen?” – idetë e nxënësve të shkollave të mesme profesionale mbi “Smart cities”

Tiranë, 28 Maj 2018. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale kanë paraqitur sot për qytetarët e Tiranës, idetë e tyre mbi qytetet e së ardhmes. Nëpërmjet ekspozimit të dy modeleve në miniaturë të “Qyteteve inteligjente” nxënësit e shkollës teknike-elektrike “Gjergj Canco”, Tiranë dhe të shkollës së mesme profesionale “26 Marsi”, Kavajë, treguan vizionin e tyre për zhvillimin e qyteteve nëpërmjet alternativave miqësore me mjedisin.

Nxënësit janë fokusuar në përdorimin e teknikave më inovative të “Smart City-t” në punimet e tyre. Qyteti i nxënësve të shkollës “Gjergj Canco”  përmbante një rrjet ndriçmi rrugor i cili funksiononte me sensorë lëvizje dhe muzgu. Ndriçimi natyror dhe kalimi i këmbësorëve përcaktonin ndezjen e fenerëve si dhe përqindjen e ndriçimit të tyre. Nxënësit shkuan më tej, duke paraqitur përdorimin e rrjetit Wi-Fi në rast aksidenetesh automobilistike. Nëse ndodh një aksident në qytet, sistemi GPS i makinave sinjalizon qendrën e kontrollit të qarkullimit të qytetit se ku nevojitet të ndërhyet për të dhënë ndihmë.

Nxënësit e shkollës “26 Marsi” në Kavajë paraqitën idenë e tyre për qytetin inteligjent. Furnizimi me energji elektrike i gjithë qytetit do të realizohet nëpërmjet paneleve diellore të instaluara mbi çatitë e ndërtesave. Nevoja për transport do të plotësohet me makina elektrike të cilat kanë zero shkarkim të tymrave në mjedis.

Qytetarë të Tiranës iu bashkuan kësaj ekspozite duke shprehur interes mbi modelet e realizuara nga nxënësit. Praktikat më të mira për të plotësuar nevojat për energji elektrike, për transport, si dhe për të bërë qytetin e tyre efiçent nga ana energjetike ishin në krye të bisedave midis nxënësve dhe qytetarëve. Gjithashtu, interesi i shfaqur nga kalimtarët e moshave të ndryshme mbi tematikat e përmirësimit të infrastrukturës eksituese dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve ishte i lartë.

Kjo ekspozitë ishte një demonstrim i ideve që profesionistët e rinj kanë për qytetet ku banojnë dhe është paraprirë nga zhvillimi i një sërë orësh mësimore mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB, profesionet dhe sipërmarrjet e gjelbra. Zbatimi i profesioneve të tyre në të ardhmen me qasje miqësore ndaj mjedisit mund të krijojë bazat për jetësimin e këtyre maketeve në qytetin ku ata jetojnë.

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësi operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, mbështet programin SEEDLING që zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC).
Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania dhe mbështetet financiarisht nga REC në kuadër të projektit SEEDLING.