++Mbahet forumi Kombëtar në Tiranë për konsultimin e rekomandimeve për amendimet e nevojshme në legjislacionin kombëtar++
Tiranë, 8 nëntor 2018. Organizatat mjedisore kombëtare dhe lokale së bashku me ekspertë të ligjit dhe të mjedisit kanë ndërmarrë nismën ligjore qytetare për ndryshime në paketën ligjore të koncesioneve për HEC-et. Ata kanë bërë një analizë thellë të planeve, strategjive dhe legjislacionit kombëtar të 4 sektorëve: atë të energjisë, turizmit, mjedisit dhe ujit, në frymën e përafrimit të tyre me legjislacionin e BE.
Situata e HEC-eve në Shqipëri paraqitet alarmante, pasi janë planifikuar më shumë se 540 hidrocentrale në gjithë territorin e Shqipërisë – një pjesë e konsiderueshme e të cilëve (rreth 39%) në zona të mbrojtura dhe zona me potencial të lartë natyror si lumi Vjosë dhe degët e tij. “Ne kemi ndjekur rrugët ligjore për të kundërshtuar projektet e HEC-eve në luginën e Vjosës, Osumit, etj. e megjithatë mendojmë se kjo do të ishte një betejë pafund pasi legjislacioni aktual favorizon dhënien e lejeve të reja pa zbatuar standardet më të larta për ruajtjen e mjedisit”, tha Olsi Nika, Drejtor i EcoAlbania.
EcoAlbania së bashku me partnerët lokal Aleanca e Alpeve Shqiptare dhe Argonaut ka realizuar 4 forume lokale me Organizatat Shoqërisë Civile, Njësitë e Qeverisjes Vendore, ekspertë dhe autoritetet lokale mjedisore në Kukës, Shkodër, Tepelenë dhe Librazhd për të konsultuar draftin me amendimet që më pas do të propozohen tek Grupet Parlamentare dhe Ministritë përkatëse.
Ky Forum organizohet në kuadër të projektit “AKTIV II- Angazhimi i Komunitetit-Tregues i Integrimit në Vendim-marrje” që po zbatohet nga EcoAlbania në partneritet me organizatat lokale Aleanca e Alpeve Shqiptare dhe Argonaut dhe financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë vendore nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.