Shkolla Verore Ndërkufitare: Të rinjtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi bashkohen për zhvillimin e rajonit të Alpeve

07 – 11 Shtator 2020. 45 të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u bënë pjësë e shkollës verore “Bashkëpunimi Rinor për Alpet Dinarike Ndërkufitare. EcoAlbania në bashkëpunim me partnerët ERA në Kosovë dhe Green Home në Malin e Zi zhvilluan shkollën verore në rajonin e Alpeve Dinarike Ndërkufitare. Për një periudhë 4 ditore, 45 të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u trajnuan në lidhje me turizmin, mjedisin dhe socio-ekonominë e këtij rajoni. Shkolla verore u zhvillua në tre pika të ndryshme të rajonit të Alpeve, në Lëpushë, Shqipëri, në Bogë, Kosovë dhe Plavë, Mal i Zi. Të rinjtë u përzgjodhën me anën e një thirrjeje të hapur dhe të publikuar në të gjtha platformat on-line.

Shkolla verore “Bashkëpunimi Rinor për Alpet Dinarike Ndërkufitare” kishte si qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit midis të rinjve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen dhe promovimin e zonës ndërkufitare të Bjeshkëve të Namuna / Prokletije / Alpet Shqiptare. Të rinjtë u inkurajuan të shohin Alpet Dinarike jo si një fenomen gjeografik ndarës por si një pikë takimi që i nxit ata të bashkëpunojnë.

Gjatë shkollës verore u zhvilluan një sërë aktivitetesh me të rinjtë si trajnime nga ekspertët e fushave të turizmit, mjedisit, socio-ekonomisë, si dhe hiking, brain-storming, lojëra etj. Gjatë ditëve të trajnimit, të rinjtë realizuan edhe aksione pastrimi në zonën e Alpeve. Në ditët e para të trajnimit të rinjtë u njohën më shumë me zonën dhe karakteristikat e saj dhe problematikat e ndryshme që ndeshen aty, si dhe u mundësua ecja në mal që të rinjtë ta njihnin më nga afër rajonin e Alpeve. Gjithashtu u hap një thirrje për krijimin e projekt-ideve nga të rinjtë pjesëmarrës. Në përfundim të trajnimit të rinjtë e ndarë në grupe zhvilluan projekt – ide për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës ndërkufitare dhe sugjeruan alternativa mbi mundësitë e bashkëpunimit, duke theksuar bashkëpunimin rinor mes 3 vendeve.

Informacion i përgjithshëm: Shkolla verore u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi për shkak të pandemisë së COVID-19 me të rinjtë e secilit vend. Lidhja mes të rinjve u realizua nëpërmjet platformës online Zoom dhe WhatsApp.