Rama shkel premtimin për hidrocentralet në Vjosë

Nga Besar Likmeta/ BIRN

Me datë 29 korrik, 2015 këshilli i ministrave ka miratuar një bono prej 8 për qind të pikëve për kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi, në procedurën e dhënies me koncesion të hidrocentralit Poçem në lumin Vjosë.

Vendimi që është botuar në fletoren zyrtare me datë 10 gusht i hap rrugën ndërtimit të një hidrocentrali të dytë pas Kalivaçit në lumin Vjosë, ndërtim i cili kundërshtohet me forcë nga organizatat mjedisore vendase dhe të huaja, si dhe nga Parlamenti Europian.

Pamje e Vjosës. (c) R. Dorozhani

Vendimi i marrë nga qeveria në korrik gjithashtu bie ndesh me angazhimet që kishte marrë kryeministri Edi Rama një muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kur kishte premtuar se në Vjosë nuk do të ndërtoheshin më hidrocentrale dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të mbrojtur.

“Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme, te cilin ne e kemi kundërshtuar qe nga fillimi i fushatës sonë si dhe gjate turit te takimeve me komunitetin e luginës se Vjosës, megjithëse kontrata në fjale ishte vetëm një plan,” u shpreh Besjana Guri, përfaqësuese Eco Albania, një organizatë mjedisore që lobon për ruajtjen e ekosistemit në luginës së Vjosës.

“Tashmë që kjo konkretizohet në vendimin e qeverise, në një kohe kur vetë kryeministri ka deklaruar se po punohet për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, ne gjendemi përballe një situate shume kontradiktore,” Guri shtoi.

Gjatë një mitingu në Tepelenë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në 13 qershor, kryeministri Edi Rama u shpreh që qeveria do t’i ndalonte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e orientuar ekonominë e zonës nga turizmi familjar duke e shpallur luginën park kombëtar.

“Do transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjar duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës,” tha Rama.

“Vjosa është një ndër lumenjtë më të bukur dhe me tiparet më interesantë të Europës, është një pasuri e madhe europiane. Ne në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të interesuara do të realizojmë projektin e Vjosës në një Park Kombëtar,” ai shtoi.

I gjatë 270 kilometra, lumi Vjosës konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit e egër të Europës, duke rrjedhur në mënyrë të natyrshme dhe të pandikuar nga burimi i tij në Greqi në afërsi të fshatit Vouvoussa e deri në grykëderdhjen në detin Adriatik.

“Ajo çka e bën unik është vetë fakti se rrjedh i pandërprerë nga burimi ne grykëderdhje dhe ndërtimi i qoftë dhe një dige do të shkatërronte ne mënyre përfundimtare këtë pasuri të jashtëzakonshme të natyrës,” u shpreh Guri.

“Parku Kombëtar i Vjosës do të ishte parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Evropë i cili përveç ruajtjes se biodiversitetit do të siguronte një zhvillim të qëndrueshëm për banorët e luginës së Vjosës,” shtoi ajo.

Sipas Eco Albania, hidrocentralet e planifikuara të ndërtohen në shtratin e Vjosës në të dyja anët e kufirit përbëjnë kërcënim serioz për ekosistemin e saj.

Sipas organizatës mjedisore një total prej 38 HEC-esh janë parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës.

Në anën greke të ujëmbledhësit, janë parashikuar 6 diga të reja, ndërkohë që është vetëm një ekzistues, HEC-i i madh i Pigait.

Në Shqipëri janë planifikuar 8 diga në rrjedhën kryesore, ndërsa 23 HEC-et e tjera janë projektuar në degët e tij – 4 nga të cilat kanë përfunduar tashmë, ndërsa 4 të tjerë janë në ndërtim.

HEC i Poçemit është diga e dytë pas Kalivaçit e aprovuar nga qeveria shqiptare në rrjedhën kryesore të Vjosës.

Ndërtimi i HEC në Vjosë dhe degët e saj nuk kundërshtohet vetëm nga grupimet mjedisore, por edhe nga Parlamenti Europian.

Nëpërmjet një rezolute të aprovuar në 22 Prill, eurodeputetët i kërkojnë Shqipërisë “t’i rishikoi planet për të ndërtuar hidrocentrale në lumin Vjosë dhe degët ë tij, për shkak se ato do të dëmtonin një ekosistemet e fundit të paprekura në Europë.”

“Vjosa është cilësuar nga ekspertët ndërkombëtarë si lumi i fundit i “egër” ne Evrope, shpallja e saj Park Kombëtar do të mbronte integritetin e këtij lumi unik në Evropë,” Guri tha.

“Ne vazhdojmë të besojmë se shpallja e Vjosës Park Kombëtar nënkupton mospranimin e asnjë dige në të gjithë pellgun ujëmbledhës të saj dhe do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht komunitetin në kundërshtimin e ndërtimit të HEC-eve në Vjosë,” përfundoi ajo.

Për të shkuar te artikulli origjinal klikoni këtu

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *