Tiranë, 27 janar 2022. Dje, qeveria shqiptare shpalli lumin Vjosa Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura) në vend të shpalljes së saj Park Kombëtar siç kërkohet prej vitesh nga aktivitestët. Parku Natyror nuk është i njejtë me Parkun Kombëtar. Kategoria e Parkut Natyror nuk e mbron lumin Vjosa dhe degët e saj nga shaktërrimi dhe nuk ofron të njejtat mundësi për zhvillimin e eko-turizmit në zonë siç do të ndodhte nëse do të ishte Park Kombëtar (kategoria II e zonave të mbrojtura).
“Kjo është një përgjigje e cunguar ndaj kërkesës tonë të depozituar zyrtarisht një vit më parë, në shkurt 2021, ku propozohej shpallja e lumit Vjosa dhe degëve të saj Park Kombëtar. Vendimi i djeshëm nuk na surprizon dhe në vetvete nuk përbën një angazhim serioz të qeverisë për të mbrojtur vlerat e biodiveristetit dhe trazhëgiminë natyrore të luginës së Vjosës”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
“Shpallja e Vjosës si zonë e mbrojtur ose i ashtuquajtur park natyror (kategoria IV sipas IUCN), nuk është një status i përshtatshëm mbrojtjeje pasi nuk siguron mbrojtjen e plotë të gjithë ekosistemit ujor dhe biodiversitetit. Zona aktuale e mbrojtur nuk përfshin degët si Bënçë dhe Shushicë dhe duke i lënë të ekspozuara jo vetëm këto degë dhe pjesët kryesore të lumit, ndaj kërcënimeve si ndërtimi i hidrocentraleve, kërkimi për naftë dhe gaz natyror dhe zhvillimet shkatërruese të aeroportit dhe komplekseve të hoteleve. Për më tepër, kjo kategori mbrojtje nuk do të zhvillojë ekoturizmin dhe do të ketë pak ose aspak potencial ekonomik për vendasit”, shtoi ai.
Pavarësisht zërit të organizatave mjedisore, ekspertëve, banorëve, njësive të qeverisjes lokale, personazheve të njohur dhe rreth 50 mijë qytetarëve, që kanë kërkuar shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar dhe krijimin e parkut të parë të një lumi të egër në Evropë, ky vendim ende mbetet larg. Qeveria ka vendosur të finalizojë përmes vendimit të djeshëm një proces tërësisht të nxituar, të pa konsulturar dhe të pabazuar në njohuri shkencore, atë të rishikimit të rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. Pikërisht ky proces është kundërshtuar dhe kritikuar nga më shumë 40 OJF mjedisore, nga bota akademike dhe nga një pjesë e konsiderueshme e përfaqësive diplomatike në Shqipëri duke përfshirë Bashkimin Evropian.