Prezantohet Plani i Veprimit për ruajtjen e Bretkosës Shqiptare

Pas një pune të gjatë për studimin e Bretkosës Shqiptare – specie endemike e cila gjendet vetëm në gjirin e detit Adriatik, EcoAlbania prezantoi së bashku me ekspertë të biodiversitetit, bujqësisë dhe turizmit “Planin e Veprimit për ruajtjen e Species Pelophylax shqipericus (Bretkosa Shqiptare)”.

Një seri takimesh u organizuan në bashkëpunim me Administratën Rajonale e Zonave te Mbrojtura Vlorë në Qendrën e vizitorëve në Radhimë, ku u prezantua në detaje dokumenti i përgatitur dhe u diskutua mbi hapat e mëtejshëm për vënien në zbatim të masave të propozura. Takimet u zhvilluan më 29 qershor dhe 7-8 korrik 2020, me aktorët kyç lokal si: institucionet lokale, OJF-të lokale, fermerët dhe operatorët turistik në bashkinë e Vlorës. 

 

Bretkosa shqiptare është një lloj endemik për Ballkanin e cila gjendet vetëm në brigjet e detit Adriatik duke filluar nga Ulqini në Malin e Zi deri në Gjirin e Vlorës në Shqipëri. Ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në ekosistem duke siguruar balancat në rrjetën ushqimore të organizmave, ndihmuar në mbrojtjen e kulturave bujqësore nga popullatat e invertebrorëve dëmtues, qarkullimin e lëndëve ushqyese si dhe shërben si indikator për cilësinë e mjedisit ku gjendet. 

Por për shkak të humbjes së habitateve, Intensifikimit të bujqësisë dhe grumbullimit të paligjshëm, popullata e Bretkosës shqiptare është e rrezikuar (e listuar në listën e kuqe të IUCN) dhe nevoja për marrjen e masave për ruajtjen e saj është imediate. 

Projekti “Masat për ruajtjen e Bretkosës shqiptare (Pelophylax shqipericus) në Gjirin e Vlorës” mbështetet nga Critical Ecosystem Partnership Fund