Prezantimi i iniciativës mbi përmirësimin e qëndrueshmërisë së korridorit ekologjik: Polis-Valamare-Rungajë-Moravë-Gramoz

Elbasan, 20 prill 2023. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve vendore të qarkut Korçë, Berat dhe Elbasan, u bënë pjesë e takimit prezantues të nismës së fundit të EcoAlbania për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të korridorit ekologjik “Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz” – një korridor me rëndësi që lidh pesë zona të mbrojtura në juglindje të Shqipërisë. 

Ky takim shënon edhe nisjen e zbatimit të një sërë aktivitetesh të planifukaura në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i korridoreve ekologjik në zonën e Polis-Valamarë-Rungaje-Moravë-Gramoz” dhe synon të nxisë bashkëpunimin mes aktorëve lokal të korridorit ekologjik. ” Ndërsa theksi i këtij takimi u vendos mbi rëndësinë e korridorit dhe nevojën për menaxhimin e tij të qëndrueshëm për të mbështetur konservimin natyror afatgjatë dhe për të plotësuar detyrimet ligjore si pjesë e dispozitave të Konventës për Mbrojtjen e Biodiversitetit, ligjit për “Zonat e mbrojtura” dhe ligjit për “Mbrojtjen e biodiversitetit”.

Takimi prezantues me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe indtitucionet vendore. (c) EcoAlbania

Në takim morën pjesë përfaqësues nga disa organizata, duke përfshirë bashkitë Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Maliq, Skrapar, Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat dhe Elbasan, Prefekti i Qarkut Berat, Elbasan dhe Korçë, OSHC, akademikë, ekspertët të fushës së mjedisit, donatorët dhe organizatorë.

Diskutimet e pjesëmarrësve u fokusuan në tema të ndryshme, duke përfshirë prezantimin e konceptit të infrastrukturës së gjelbër si një koncept ligjor i rregulluar nga ligji, nevojën për ndryshime ligjore për të mbështetur konceptin e korridorit ekologjik, dhe kompleksitetin e përcaktimit të korridoreve ekologjike dhe integrimin e tyre në kuadër ligjor. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu rëndësinë e identifikimit të praktikave të qëndrueshme dhe promovimit të tyre brenda korridoreve ekologjike, nevojën për më shumë lobim dhe advokim për të përfshirë korridoret ekologjike si një koncept ligjor.

Qëllimi i këtij projekti është të adresojë humbjen e biodiversitetit dhe konektivitetin si pasojë e fragmentimit dhe praktikave jo të qëndrueshme në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duke u fokusuar në qeverisjen e qëndrueshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit në korridoret ekologjike. Projekti synon të nisë zhvillimin e një Plani Veprimi për korridorin ekologjik, të krijojë një partneritet strategjik midis menaxherëve të zonave të mbrojtura dhe bashkive, të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e korridoreve ekologjike përmes aktiviteteve të edukimit, të zhvillojë një strategji komunikimi për të prezantuar më mirë vlerat natyrore dhe vizionin e menaxhimit territorial, si dhe të kryejë një vlerësim bazë të korridorit ekologjik në lidhje me zhvillimin rural, mjedisin dhe planifikimin territorial, potencialin ekoturistik dhe zhvillimin e agroturizmit.

Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt promovimit të korridoreve ekologjike, si një qasje që siguron konservimin natyror në terma afatgjatë. Gjithashtu suksesi i këtij projekti mund të shërbejë si shembull për nisma të tjera që synojnë ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Mbi korridorin ekologik:

Korridori ekologjik “Polis-Valamare-Rungajë-Moravë-Gramoz” ndodhet në juglindje të Shqipërisë dhe përfaqëson një zonë të largët malore që prek pjesërisht territorin e bashkive Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Gramsh, Maliq dhe Skrapar me një sipërfaqe prej rreth 1600 km2. Korridori ofron një strehë të rëndësishme për një numër të madh specieve, duke lejuar lëvizjen e tyre midis zonave të mbrojtura. Zona e projektit është veçanërisht e rëndësishme për të mbështetur popullatat e gjitarëve të mëdhenjë, duke përfshirë ariun, ujkun dhe rrëqebullin e Ballkanit lloj I kërcënuar në zhdukje.

Megjithatë, korridori është i rrezikuar në mënyrë të konsiderueshme nga fragmentimi i habitateve si pasojë e prerjeve të pyjeve, zjarreve, urbanizimit, praktikave jo të qëndrueshme kryesisht në bujqësi dhe menaxhimit të dobët të burimeve natyrore, duke rrezikuar integritetin e përgjithshëm të ekosistemeve, biodiversitetin dhe konektivitetin e tij. Megjithëse pjesa më e madhe e korridorit është përjashtuar nga rrjeti i zonave të mbrojtura, ai mbetet një zonë e rëndësishme që lejon lëvizjen e specieve të rëndësishme, veçanërisht atyre që kërkojnë një habitat të gjerë.

Korridori ekologjik “Polis-Valamare-Rungajë-Moravë-Gramoz” adreson konektivitetin midis pesë zonave të mbrojtura: Parku Kombëtar Shebenik, Parku Natyror Stravaj-Sopot, Peizazhi i Mbrojtur i Liqenit të Pogradecit, Guri I Nikes – Lenie-Valamare dhe Parku Kombëtar Mali i Tomorrit.