++ Miratimi për ndërtimin e hidrocentraleve është bërë pa marrë në konsideratë mendimin e banorëve të prekur ++
Bicaj, 17 Korrik 2020. Epidemia e hidrocentraleve nuk ka kursyer monumentet natyrore dhe burimet ujore në Njësinë Administrative Bicaj në Kukës. Punimet për ndërtimin e një hidrocentrali po vazhdojnë brenda në kanionin e Shejes dhe pasojat shkatërruese janë të dukshme.
Kompania ndërtuese ka privatizuar kanionin dhe po vazhdon punimet pa marrë miratimin e pushtetit vendor apo banorëve. Banorët shprehen të shqetësuar për planet për ndërtimin e një hidrocentrali tjetër në të njejtën rrjedhë lumore i cili rrezikon shterimin e plotë të burimeve ujore të zonës duke lënë pa ujë rreth 2000 banorë në fshatrat e prekur.
Kryepleqtë dhe kryetarët e fshatrave Nangë, Brataj, Mustafaj, Canaj, Bicaj, etj., janë ngritur kundër këtij hidrocentrali dhe kërkojnë të dëgjohet zëri i banorëve. Përfaqësuesit e fshatrave të NJ.A Bicaj shprehen se nuk janë njoftuar për zhvillimin e dëgjesës publike nga kompania ndërtuese dhe kanë firmosur një peticion për kundërshtimin e tij. Reagimi kundër këtij projekti do të përshkallëzohet nga banorët duke ndjekur të gjitha rrugët demokratike dhe ligjore edhe me mbështetjen e organizatës mjedisore EcoAlbania e cila po punon për mbrojtjen e lumnejve në Shqipëri.
Zona e Kukësit është një nga zonat me biodiversitet të pasur dhe burime të shumta ujore, por në të njejtën kohë edhe ndër më të sakrifikuarat nga projetktet e hidrocentralve. Një numër i madh hidrocentralesh janë projektuar në gjithë qarkun e Kukësit duke shkatërruar zonat e mbrojtura dhe minuar potencialin për zhvillimin e turizmit në zonë.
Detaje mbi projektin e planifikuar HEC Palushi:
HEC Palushi është projektuar të shfrytëzojë ujërat e lumit të Bicajt, pjesë e pellgut ujëmbledhës të Drinit të Zi, bashkia Kukës, qarku Kukës. Pellgu ujëmbledhës i aksit të veprës së marrjes të HEC Palushi ndodhet në shpatin e djathtë të lumit Drini i Zi, ngjitur me pellgun e përroit të Bushtricës dhe Urës së Lapajve. Aksi i veprës së marrjes së Hec Palushi ndodhet në kuotën 396 m dhe ka një sipërfaqe te pellgut ujëmbledhës prej 32 km2.