Parlamenti Evropian kritikon Qeverinë Shqiptare për hidrocentralet në Vjosë dhe në zonat e mbrojtura

Njoftim i përbashkët për shtyp nga EuroNatur, RiverWatch dhe EcoAlbania

vjosaa
Lumi Vjosa, Tepelenë © Christian Baumgartner

Tiranë, Vienë, Radolfzell, 14 prill 2016. Sot Parlamenti Evropian kritikoi Qeverinë Shqiptare mbi planet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe i bën thirrje të marrë në konsideratë zonat e mbrojtura dhe zonat e tjera natyrore të ndjeshme, në veçanti parqet kombëtare. Në Raportin e Komisionit të Zgjerimit që u miratua nga Parlamenti Evropian në Bruksel, lumi Vjosa përmendet në veçanti. PE “i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të kontrollojë zhvillimin e  hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosa ashtu dhe në zonat e mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.” (Pika 23 në Raportin e Zgjerimit të BE).

Parlamenti Evropian i ka rekomanduar Qeverisë Shqiptare të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj në Progres Raportin e BE vitin e kaluar. Megjithatë, në kundërshtim me këtë kërkesë, Qeveria Shqiptare ka ftuar së fundmi investitorët për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë. Kompanitë nga e gjithë bota u ftuan të aplikojnë për këtë koncesion deri në 17 mars 2016. Akoma nuk dihet kush është fituesi edhe pse ka gjasa që do të jetë kompania Turke që ka fituar bonusin prej 8 % në Korrik, 2015. “Hapja e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Vjosë na befasoi, pasi kryeministri Rama kishte sugjeruar gjithashtu mbrojtjen e këtij lumi kaq unik. Për më tepër, nuk është bërë një studim i thelluar sipas standardeve të njohura ndërkombatrisht në lidhje me ndikimin që ky projekt do të kishte në natyre” thotë Gabriel Schwaderer, drejtor i Fondacionit për Ruajtjen e Natyrës, EuroNaur.

Për më tepër, BE i bën thirrje Shqipërisë të përmirësojë standardet e Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si dhe të përfshijë dhe informojë më shumë publikun në procesin e planifikimit. “Ky pozicionim i Parlamentit Evropian mbështet punën tonë në Shqipëri. Megjithatë është e rëndësishme që Qeveria Shqiptare të mos i injorojë këto kërkesa. Në vend të hidrocentraleve të planifikuara ne kërkojmë shpalljen e gjithë Vjosës park kombëtar, duke shpallur kështu Parkun e parë të Lumit të Egër në Evropë”, thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Ky vizion mbështetet gjithashtu dhe nga komuniteti lokal. Pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave kanë firmosur një peticion për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar dhe kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Vjosa është një thesar për gjithë Evropën.

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë pa përfshirë Rusinë.  Nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në detin Adriatik rrjedh e lirë dhe paprekur. Në disa zona shtrati i lumit arrin në më shumë se 2 km gjerësi. Nga ana shkencore, ky lumë është pothuaj i pa eksploruar. Megjithatë qeveria planifikon të ndërtojë diga në zonën me vlera më të larta ekologjike. “Mesazhet e Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian në lidhje me lumin Vjosa tregojnë në mënyrë tashmë të përsëritur se shqetësimi ndërkombëtar është në rritje. Vjosa nuk përbën vetëm një aset të natyror të Shqipërisë por një thesar në trashëgiminë natyrore të familjes Evropiane ku ne synojmë të integrohemi”, thotë Olsi Nika, Drejtor i EcoAlbania.

Informacion shtesë:

  • Formulimi i saktë i qëndrimit të Parlamentit Evropian në lidhje me zhvillimin e hidrocentraleve në Shqipëri:  Pika 23. “Bën thirrje Qeverisë Shqiptare të kontrollojë zhvillimin e  hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosa ashtu dhe në zonat e mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese; rekomandon përmirësimin e cilësisë së raporteve të Ndikimit në Mjedis, e cila do të lejonte marrjen në konsideratë të standardeve të BE që përcaktohen në Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve si dhe Direktiva Kuadër e Ujit; inkurajon Qeverinë Shqiptare të rrisë transparencën përmes pjesëmarrjes publike dhe konsultime për projektet e planifikuara.”
  • Rreth fushatës “Të Shpëtojmë zemrën blu të Evropës”: Hidrocentralet në lumin Vjosa përbëjnë vetëm një valë të cunamit të digave që po venë në rrezik lumenjtë e Ballkanit. Rreth 2700 hidrocentrale të reja janë planifikuar midis Sllovenisë dhe Shqipërisë. Për të luftuar këtë valë shkatërrimi, EuroNatur dhe RiverWatch kanë filluar fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me partnerët lokal në vendet respektive të Ballkanit. Më tepër informacion mund të gjeni këtu: www.balkanrivers.net

Kontakte:

Ulrich Eichelmann – Riverwatch: [email protected]  | +43 676 6621512

Katharina Grund – EuroNatur: [email protected]   | + 49 7732 92 72-10

Olsi Nika – EcoAlbania: [email protected] | +355 69 29 44 757

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *