Olsi Nika përzgjidhet në TIME100 Next 2026

Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania mes 100 personaliteteve që po formësojnë brezin e ri të lidershipit global

Nika: “Ky vlerësim ma forcon edhe më shumë vendosmërinë për të mbrojtur Vjosën”

Tiranë, 30 shtator 2026 – Olsi Nika, biolog, aktivist mjedisor dhe Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, është përzgjedhur në listën TIME100 Next 2026, përzgjedhja vjetore e revistës TIME që sjell së bashku 100 personalitete nga e gjithë bota, të cilët po formësojnë brezin e ri të lidershipit global.

Për Olsi Nikën, ky vlerësim vjen pas më shumë se 15 vitesh angazhim në mbrojtjen e natyrës në Shqipëri, duke ndërthurur kërkimin shkencor, punën në terren, advokimin publik dhe angazhimin e komuniteteve.

Në qendër të kësaj rruge ka qenë beteja për mbrojtjen e lumit Vjosa, e cila shënoi një moment historik në vitin 2023 me shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i pari i këtij lloji në Evropë.

Olsi Nika shprehet i nderuar për vlerësimin, duke theksuar se ky moment e forcon edhe më shumë angazhimin e tij për mbrojtjen e Vjosës dhe të natyrës.

“Së bashku me EcoAlbania dhe shumë të tjerë, ndihmuam në krijimin e parkut të parë kombëtar të një lumi të egër në Evropë. Por vetëm një shpallje nuk mund ta mbrojë një lumë. Ky vlerësim ma forcon edhe më shumë vendosmërinë për të mbrojtur Vjosën, për të ruajtur natyrën e lidhur me të dhe për të qëndruar përkrah komuniteteve kudo që luftojnë për vendet e gjalla që i quajnë shtëpi. Kapitulli i ardhshëm nis tani”, shprehet Nika.

Puna e Nikës për mbrojtjen e Vjosës u vlerësua në arenën ndërkombëtare në vitin 2025, kur ai u nderua me Goldman Environmental Prize për Evropën, i njohur si “Nobeli i Mjedisit” një nga çmimet më të rëndësishme botërore për aktivizmin mjedisor në nivel komunitar.

Përzgjedhja në TIME100 Next 2026 vendos një përfaqësues të lëvizjes mjedisore shqiptare mes figurave që TIME identifikon si pjesë të brezit të ardhshëm të lidershipit global.

TIME100 Next është pjesë e platformës së mirënjohur TIME100 dhe vlerëson figura me ndikim në shoqëri, puna, idetë dhe veprimtaria e të cilave po sjellin ndryshim brenda fushave dhe komuniteteve të tyre, por edhe përtej tyre. Të përzgjedhur nga redaktorët e TIME, emrat në listë ndahen në pesë kategori: Artistë (Artists), Talente të spikatura (Phenoms), Liderë (Leaders), Mbrojtës të kauzave (Advocates) dhe Inovatorë (Innovators).