42,82% në zero: organizatat mjedisore çojnë Nartën në Gjykatën Kushtetuese

Pishë Poro–Narta, një nga zonat ligatinore më të rëndësishme të Shqipërisë, po përballet me një moment vendimtar për të ardhmen e mbrojtjes së saj. Pas ndryshimeve ligjore dhe ndërhyrjeve të dokumentuara gjatë muajve të fundit në gadishullin e Zvërnecit, mbrojtja e këtij territori do të jetë tashmë objekt i një beteje të re ligjore.

EcoAlbania, së bashku me Res Publica, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe REC Albania do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 596, datë 25.09.2024, për zonën e mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.

Nga ndryshimi i ligjit te Pishë Poro–Narta

Në vitin 2024, ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura” ndryshuan kuadrin ligjor për administrimin dhe veprimtaritë e lejuara në këto territore. Në zbatim të këtij kuadri të ri, në shtator 2024 Këshilli i Ministrave miratoi VKM nr. 596/2024 për Pishë Poro–Nartën.

Përmes këtij vendimi u hoq nënzonimi i mëparshëm dhe e gjithë sipërfaqja e Pishë Poro–Nartës u vendos nën shkallën e tretë të mbrojtjes.

Me vendimin e vitit 2022, 42,82% e sipërfaqes së zonës ishte përcaktuar si nënzonë qendrore, ku zbatohej shkalla më e lartë e mbrojtjes. Në këtë territor lejoheshin vetëm kërkimi shkencor dhe veprimtaritë ekoturistike të lira në natyrë.

Me VKM nr. 596/2024, sipërfaqja nën shkallën më të lartë të mbrojtjes ra nga 42,82% në zero, ndërsa ajo nën shkallën e tretë u rrit nga 2,73% në 100%.

Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e zhvillimit të strukturave akomoduese turistike dhe agroturistike, strukturave për veprimtari ekonomike, instalimeve energjetike, ndërhyrjeve urbane, rrugëve, autostradave, kanaleve lundruese dhe veprimtarive të tjera të parashikuara në planin e menaxhimit.

Pasojat tashmë shihen në terren

Ndryshimi i regjimit të mbrojtjes nuk mbetet vetëm një çështje ligjore.

Gjatë vitit 2026, brenda zonës së mbrojtur në gadishullin e Zvërnecit janë miratuar leje të lidhura me një kompleks multifunksional banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacioni dhe marine.

Ndërhyrjet e dokumentuara në terren përfshijnë hapjen e rreth 8 km rrugë aksesi, ndërtimin e një ure mbi kanalin e Portonovës, rrethimin e zonës dhe pastrimin e nivelimin e rreth 2,8 hektarëve habitat dunor dhe pyll pishe.

Këto zhvillime tregojnë se ndryshimet në regjimin juridik të zonave të mbrojtura mund të kenë pasoja konkrete mbi territore me vlera të larta natyrore.

Çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese

Në vitin 2025, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”. Në vendimin e saj, Gjykata vlerësoi se pasojat mbi zona konkrete do të mund të verifikoheshin kur të nxirreshin vendimet specifike të Këshillit të Ministrave për secilën zonë dhe se këto akte mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues.

VKM nr. 596/2024 është akti që përcakton konkretisht regjimin e mbrojtjes për Pishë Poro–Nartën.

Organizatat do të argumentojnë para Gjykatës Kushtetuese se heqja e nënzonave dhe ulja e nivelit të mbrojtjes janë bërë pa një vlerësim të ri që të tregojë se vlerat natyrore të territorit janë zvogëluar. Përkundrazi, relacioni i vetë ministrisë që shoqëroi vendimin pohon se vlerat e natyrës dhe biodiversitetit në zonë janë përmirësuar.

Në kërkesë do të ngrihen gjithashtu çështje që lidhen me mungesën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, pjesëmarrjen efektive të publikut dhe ndryshimet ndërmjet projektit të konsultuar dhe tekstit përfundimtar të VKM-së.

Një territor me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare

Kompleksi Pishë Poro–Nartë përfshin grykëderdhjen e Vjosës, lagunat e Nartës dhe Kallëngës, kriporen e Nartës, pyjet bregdetare të Pishë Poros dhe kodrat e Zvërnecit e Triportit.

Zona është pjesë e Rrjetit Emerald dhe njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) dhe Zonë Kyçe e Biodiversitetit (KBA). Ajo strehon habitate dhe lloje me rëndësi të veçantë për ruajtjen e natyrës dhe përbën një pjesë të rëndësishme të sistemit ekologjik Vjosë–Nartë.

Përmes ankimit, organizatat do të argumentojnë se VKM nr. 596/2024 bie ndesh me standardet e mbrojtjes së natyrës të garantuara nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria. Njëkohësisht, do t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese të shtrijë kontrollin kushtetues edhe mbi dispozitat përkatëse të ligjit nr. 21/2024 “Për zonat e mbrojtura”, të cilat qëndrojnë në themel të regjimit të vendosur për Pishë Poro–Nartën, duke risjellë kështu në vëmendjen e Gjykatës çështjen e kushtetutshmërisë së ndryshimeve ligjore të vitit 2024.

Organizatat do të kërkojnë gjithashtu pezullimin e zbatimit të VKM-së deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Çështja e Pishë Poro–Nartës do të vendosë përpara Gjykatës pasojat konkrete të kuadrit të ndryshuar ligjor për zonat e mbrojtura dhe standardin e mbrojtjes që duhet të garantohet për territore me rëndësi të veçantë për biodiversitetin shqiptar.