Njihemi me termin Korridor ekologjik në shkollën “Rrahman Çota”

Gjatë orës mjedisore në shkollën “Rrahman Çota”, Hotolisht (pranë Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë)

Hotolisht, Librazhd, 23 nëntor 2023. Fëmijët e shkollës “Rrahman Çota” në Hotolisht, u bënë pjesë e sesionit të parë të edukimit mjedisor mbi korridoret ekologjike, duke shënuar kështu nisjen e një rrugëtimi magjepsës që do të pasohet nga 9 shkolla të tjera, pjesë e korridorit ekologjik Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz. Qëllimi kryesor i këtyre orëve edukative është prezantimi i konceptit të korridoreve ekologjike tek fëmijët dhe ndëgjegjësimi i tyre mbi rolin e gjithësecilit në lehtësimin e lëvizjes së kafshëve të egra nëpër habitate të ndryshme.

Leksioni nisi me një prezantim dhe shpjegimin se çfarë janë korridoret ekologjike dhe cila është rëndësia e një korridori të veçantë ekologjik që lidh Polisin, Valamarën, Rungajën, Moravën dhe Gramozin. Këto korridore veprojnë si shtigje jetike për specie të ndryshme, duke i lejuar ata të migrojnë, të kërkojnë ushqim, të gjejnë partnerë dhe të krijojnë territore të reja. Me anë të fotove ilustruese ata panë vështirësinë që hasin shumë prej specieve në vendin tonë për të kaluar rrugën nga fragmentimi i habitateve. Duke kuptuar se si aktivitetet njerëzore mund të ndikojnë negativisht në këto korridore si zhvillimi i infrastrukturës ose ndryshimeve të përdorimit të tokës – nxënësit do të jenë më të ndërgjegjshëm në të ardhmen për të marrë vendime që nxisin përpjekjet për ruajtjen e natyrës.

Duke ndërtuar ura në vend të barrierave brenda këtyre korridoreve ekologjike, ne mund të sigurojmë që popullatat e kafshëve të egra të lulëzojnë dhe të ruajnë diversitetin gjenetik. Përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit ne mund të rrënjosim një ndjenjë përgjegjësie midis brezave të ardhshëm për të mbrojtur dhe ruajtur këto habitate thelbësore si për popullatat e tanishme ashtu edhe për ato të ardhshme të kafshëve të egra.

Si përfundim, qëllimi ynë nuk është vetëm të edukojmë, por edhe të frymëzojmë mendjet e reja që të bëhen kujdestarë të mjedisit. Duke nxitur një vlerësim të thellë për ndërlidhjen e natyrës dhe duke theksuar rolin kritik që luajnë korridoret ekologjike si ky në Hotolisht, ne shpresojmë të kultivojmë një brez që merr pjesë aktive në mbrojtjen e ekosistemeve të çmuara të planetit tonë.