Ndërtimi i HEC-eve me vend e pa vend

Nga Prof. Aleko Miho


Respekt për mendimin ndryshe të deputetit socialist në Parlamentin Shqiptar para një jave, njëherësh kryetar i Komisionit të Ekonomisë, z. Braçe! ‘Qeverisë i ka ikur vullneti politik, kjo është babëzi e madhe’, ka thënë ai! Unë kam bindjen se mes Parlamentarëve dhe në institucionet e tjera qeverisëse ka edhe të tjerë që mendojnë si z. Braçe! Kjo është shpresë për Vendin dhe për të Ardhmen e Tij. Me këtë rast dua ritheksoj opinionin tonë si botë akademike shkencore të shumë përsëritur, dhe konkretisht:


Ne nuk jemi kundër ndërtimit të HEC-eve në mënyrë të prerë! Por gjatë periudhës 2005-2017 janë dhënë leje për të ndërtuar më shumë se 500 HEC-e, të vegjël dhe të mëdhenj të përhapur kudo në Shqipëri. Gjithë rrjedhjet lumore malore janë kthyer në një kantier ndërtimi!

Vetëm gjatë periudhës shkurt 2016 – maj 2017 që unë jam në dijeni janë shqyrtuar në AKM mbi 55 HEC-e! Pra gjithsej në Shqipëri i bie rreth 18 HPP/1000 km2, më e larta në gjithë rajonin. Kjo është barrë tepër e rëndë mjedisore, po qe se kemi parasysh ndikimin sinergjik ose kumulues të tyre, që e bën dhe më shqetësues këtë veprimtari. Pse kjo është një barrë e rëndë mjedisore? Sepse ekosistemet lumorë shqetësohen gjatë ndërtimit, por dhe gjatë punës në vite, nga rrugët e reja, digat, tunelet, kanalet, lëndët plasëse, linjat e transmetimit etj.


Disa nga pasojat janë: gërryerje e shpatit (shpatet bregore, shpatet e brishta më sipër etj.), deri dhe në gërryerje të bregdetit pranë deltave lumore; varfërim biodiversiteti për habitatet dhe llojet e tyre (si ato ujore dhe ato tokësore pranë); ndryshime të bio-korridorëve (për invertebrorët, peshqit dhe vertebrorët e tjerë ujorë); ndotje e ujërave me sedimente dhe ndotës të tjerë (metale të rëndë, pesticide, baktere) që shpëlahen nga shpatet e zhveshura dhe të thara në ujëra; deri dhe në ashpërsime mikro-klimatike të ekosistemit lumor (në evapo-transpirim-lagështi, në temperaturën e ajrit dhe të ujit etj.).

Vlen të pohoj se ekspertiza mjedisore dhe profesionalizmi i gjithë strukturës së vendimmarrjes për secilin projekt ndërtimor lë shumë për të dëshiruar! Shpesh tëpër e përciptë, tepër e nxituar, pa të dhënat e mjaftueshme, pse jo dhe klienteliste apo korruptive! Edhe vlera e prurjes ekologjike në HEC-e nuk duket se është shumë e qartë në aktet tona; ndoshta është përcaktuar jo në mënyrë shumë profesionale (Q350) për vendin tonë, sa malor dhe aq mesdhetar.


Për më tepër, për HEC-et në punë mendoj se edhe strukturat e nevojshme që kontrollojnë zbatimin e lejes së përdorimit të ujit dhe prurjen ekologjike në veçanti nuk janë të forta dhe të mjaftueshme. Pa diskutim që këto të gjitha, nuk përbëjnë vetëm barrë të rëndë mjedisore, por edhe barrë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit; mjafton të përmendim këtu se të gjitha, veç e veç ose së bashku, ulin cilësinë e ujërave, vlerën e përdorimit të tyre, madje ndikojnë edhe në vetë shëndetin e njeriut.


Pa dyshim kjo ndërhyrje e rëndë në natyrë ul deri edhe vlerat turistike të secilës zonë, e cila është një nga pikat tona të forta të natyrës shqiptare, shpesh e lakuar nga politika edhe si shpresë për zhvillimin e vendit, si shpresë për të dalë nga prapambetja e trashëguar nga shekujt!


Por ajo që nxit shqetësimin tonë si botë akademike dhe si shoqëri civile është se një pjesë e HEC-eve, por edhe ndërtime të tjera (si komplekse të mëdha turistike) vazhdojnë ende të jepen brenda të zonave të mbrojtura, ose në bashkëveprim ekologjik me to. Këtu përmend ndërtimin e HEC-eve brenda ose ekologjikisht në afërsi të PK të Luginës së Valbonës, PK të Shebenik-Jabllanicës, PK të Hotovë-Dangëllisë, PK të Lurës, duke ndërhyrë deri dhe në monumentet tona natyrore elitare, si Kanionet e Osumit, të Setës, të Bënçës, të Lengaricës, Ҫajës etj.


Kjo nuk mund të konsiderohet miqësore me natyrën, dhe nuk mund të jetë e qëndrueshme në parim, po qe se mbajmë parasysh pasojat e sipër përmendura. Pse i shpallim dhe mbrojmë ZM-të atëherë? Nga cilat veprimtari të dëmshme, nëse jo nga ndërtimet e njeriut?


Projektet ndërtimore të tilla (HEC-e, resorte turistike etj.) janë në kundërshtim me ruajtjen e integritetit të ZM-ve. Sqaroj për lexuesin se integriteti natyror dhe biologjik lidhet me gjendjen e përgjithshme të virgjër, të paprekur, të pa copëtuar të një ekosistemi. Zonat e mbrojtura si të dallohen për habitate natyrore me vlera të larta integriteti, që nënkupton larmi biologjike të lartë (bimore dhe shtazore, ujore dhe të steresë), aftësi strehimi dhe bashkëjetese të barabartë, të pa shqetësuar dhe të përshtatur për bimët dhe kafshët. Për këtë, zonat e mbrojtura mbahen larg shfrytëzimit nga njeriu për qëllime përfitimi të çastit, qoftë për përdorimin e drurit, të bimëve aromatiko-mjekësore, të kullotjes, dhe për më tepër edhe nga ndërtimet e HEC-eve apo turizmi masiv (betonimi); ato mbrohen rreptë nga zjarret, dhe nga shumë ndërhyrje që bien ndesh me integritetin e tyre.

Natyrisht, aty ku natyra është e mbrojtur, e paprekur dhe me integritet të lartë, ajo bëhet më tërheqëse, dhe fuqia çlodhëse e saj rritet. Por përfitimet nga një zonë e mbrojtur nuk duhen parë këtu, por tek detyrimi që ne kemi sot për të zhvilluar veten tonë bashkë me natyrën, për të bashkëjetuar me botën e gjallë, me florën dhe bimësinë, me faunën, si garanci për të sotmen dhe për të ardhmen.


Gjithashtu, edhe ndërtimi brenda zonave pak të njohura, por potencialisht me vlera natyrore, të cilat mund të mbrohen në të ardhmen, konsiderohet prej nesh jo miqësor me natyrën! Për shembull, edhe pse jo me status mbrojtje, lumi i Vjosës është ekosistem potencialisht me vlera natyrore, si lumi i fundit në Evropë, vërtet lumë me rrjedhje të lirë(shih http://www.balkanrivers.net/). Kjo është arsyeja pse mendimi profesional në vend dhe në mbarë botën kundërshton gjithmonë vendimmarrje të tilla, duke i quajtur tepër të nxituara, në kundërshtim me parimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore. Kjo përforcohet edhe nga përvoja të gabuara në vendet e zhvilluara; për shkak të vlerësimeve mjedisore të nxituara në të kaluarën, inxhinieria e lumenjve në vendet e industrializuara ka rezultuar me pasoja mjedisore negative, me prirje afatgjata, që kërkojnë masa të shtrenjta restaurimi, gjë që parashikohet edhe për digat në lumin e Vjosës. Këto ndërtime bien ndesh me zbatimin e standardeve të BE-së, Direktivën e Shpendëve dhe Habitateve, Direktivën Kuadër të Ujit (WFD, 2000), apo me strategjinë e BE-së për të ndaluar humbjen e biodiversitetit deri në 2020.


Nuk mundet kurrsesi që vendimmarrja të vazhdojë të qëndrojë e verbër, e shurdhër apo naive ndaj shfrytëzimit të tejskajshëm të pasurive natyrore, cilatdo ato qofshin, ujëra, gurore, duna bregdetare, zona të mbrojtura, bimë aromatiko-mjekësore, pyje dhe kullota etj.


Në fund të fundit, zhvillimi i qëndrueshëm nuk duhet harruar, në radhë të parë nga vendimmarrja! Kurrë nuk duhet harruar përgjegjësia për ripërtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e pasurive tona edhe për përdorim jo vetëm sot, por dhe nga brezat e ardhshëm (Neni 59 i Kushtetutës). Në fjalë më të thjeshta, zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton që ‘pjatën plot’ që të vihet përpara sot të mos ta mbarosh të gjithën, por një pjesë ta ruash edhe për nesër, për veten apo për të tjerët që vijnë pas, për veten tonë si njerëz, por dhe për botën e gjallë me të cilën jemi bashkë-udhëtarë!


Këshillohet administrim me shumë kujdes, pra mirë-administrim i pasurive natyrore të vendit, dhe jo qëndrim prej pronari kokëfortë! Duke përfunduar, unë ritheksoj fort për një vizion më të shëndoshë tek Qeveria dhe gjithë vendimmarrja përgjegjëse, si në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimit me kriter të burimeve natyrore (ujore, biologjike etj.), por dhe të parandalimit dhe ruajtjes së vetë shëndetit të njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *