Lumi Vjosa në udhëkryq – Tsunam digash apo Park Kombetar?

Njoftim për shtyp nga EuroNatur, Riverwatch dhe EcoAlbania

OJF-të deklarojnë: 33 hidrocentrale janë planifikuar në pellgun ujëmbledhës të lumit të fundit të egër në Evropë. Iniciativa “Miqtë e Vjosës” është krijuar për të mbështetur idenë e shpalljes së një parku kombëtar.

Tiranë, Vienë, Radolfzell, 12 Mars, 2015. Sot, OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur së bashku me partneren shqiptare EcoAlbania paraqesin një dokument, që për herë të parë zbulon shtrirjen e plotë të kërcënimit në zonën e pellgut ujëmbledhës të Vjosës. Sipas këtij dokumenti, lumin e fundit të madh të egër në Evropë e kërcënon një shkatërrim i plotë. Në total 33 HEC-e janë projektuar përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, 6 nga të cilët në Greqi (ku Vjosa quhet Aoos) dhe 27 në Shqipëri. Aktualisht 4 hidrocentrale janë duke u ndërtuar. Megjithatë rezistenca kundër këtyre projekteve po rritet dhe një ide alternative po fiton popullaritet gjithnjë e më shumë siç është: Shpallja e Vjosës Park Kombëtar. Një iniciativë e re shqiptare po mbështet gjithashtu këtë vizion.

Vjosa,  në jug të Shqipërisë, është një nga lumenjtë e fundit të paprekur të egër në Evropë. Gjatë gjithë gjatësisë së saj prej 270 km ai rrjedh i lirë dhe i paprekur dhe në disa zona shtrati i lumit shtrihet në më shumë se 2 km gjerësi. Degët e tij janë gjithashtu gjerësisht të paprekur. Bukuritë e saj janë të pakrahasueshme në Evropë.

Lumi Vjosa në rrjedhën e mesme. (c) B. Hoxha/ PPNEA

Megjithatë ky thesar mund të shkatërrohet shumë shpejt. Një analizë e thellë e OJQ-ve zbulon se përveç tetë projekteve për hidrocentrale përgjatë Vjosës, gjithë degët e saj janë planifikuar të ndërpriten dhe të devijohen. “Në se degët do të ndërpriten, përfundimisht edhe Vjosa do të shkatërrohet. Është si të presësh degët e një peme e cila menjëherë do të thahet”, u shpreh Ulrich Eichelmann nga Riverwach, koordinatori i  fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Projekti i devijimit të Vjosës në Greqi (ku lumi quhet “Aoos”) është kundërshtuar gjithashtu fuqimisht. Olsi Nika nga OJF-ja shqiptare EcoAlbania tha: “Edhe pse brenda një parku kombëtar, degët e Aoos-it janë planifikuar të ndërpriten dhe të devijohen në një tjetër pellg ujëmbledhës. Kjo gjë do të shkaktojë pasoja të rënda për Vjosën në Shqipëri. Ne mbështesim qëndresën e kolegëve tanë në Greqi kundër këtij projekti”.

Gabriel Schwaderer, drejtori ekzekutiv i Euronatur shtoi: “Ne duhet të ndalim këtë tsunamin e digave përgjatë gjithë Vjosës në mënyrë që të shpëtojmë këtë thesar natyror. Së bashku me komunitetet lokale ne duam të arrijmë në shpalljen e një parku kombëtar, jo vetëm si përfitim për natyrën por edhe për banorët e luginës së Vjosës.  Nëpërmjet parkut kombëtar mund të shfrytëzohet potenciali i tyre për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik në të ardhmen. Ne besojmë se jemi ende në kohë”

Konferencë për shtyp. (c) B. Guri/ Ecoalbania

Në konferencën e Tiranës u prezantua iniciativa e re “Miqtë e Vjosës”. Qytetarë me profile të ndryshme janë mbledhur për të njëjtin qëllim: të rrisin ndërgjegjësimin dhe të lobojnë për mbrojtjen e Vjosës dhe shpalljes së saj park kombëtar. “Ne ftojmë gjithë qytetarët t’i bashkohen kësaj iniciative dhe të ngrenë zërin për mbrojtjen e kësaj trashëgimie për veten dhe brezat e ardhshëm”- tha Lavdosh Ferruni, ambjentalist. Në maj do të mbahet në Tiranë “Dita e Vjosës” për të cilën banorët e luginës së Vjosës do të udhëtojnë për në kryeqytet për të promovuar bukurinë dhe larminë e lumit të tyre. Ata do të shprehin hapur mbështetjen e tyre për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Informacion i përgjithshëm

Fushata për mbrojtjen e lumit Vjosa është pjesë e fushatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve më me vlerë të gadishullit ballkanik. Më shumë se 630 HEC-e janë projektuar aktualisht nga Sllovenia në Shqipëri. Për t’ju kundërvënë kësaj vale shkatërrimi, “EuroNatur” dhe  “RiverWatch” kanë nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me partnerët lokale në vendet respektive të Ballkanit.

Për më shumë informacion:

www.balkanrivers.net

Besjana Guri – EcoAlbania      [email protected]                            00355 692954214

Katharina Grund – EuroNatur  [email protected]    0049 7732 927210

Cornelia Wieser – Riverwatch [email protected]        0043 650 4544784

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *