Kërkesë për moratorium 3 vjeçar mbi ndërtimin e HEC-eve të vegjël

++Deklaratë pozicionimi i shoqërisë civile mbi alternativën e zhvillimit të sektorit të HEC-ve të vegjël në harmoni me natyrën++

Organizatat mjedisore të shoqërisë civile, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me situatën problematike të krijuar si pasojë e ndërtimit të HEC-eve të vegjël pa kritere në rrjedhat ujore të lumenjve. Kjo situatë është evidentuar më së miri me të gjithë ndikimet ligjore, institucionale, socio-ekonomike dhe ekologjike, nga studimi “Alternativa mjedisore e HEC-eve të vegjël në Shqipëri”, një studim alternativ i sjellë për herë të parë nga shoqëria civile mjedisore në Shqipëri, si dhe nga studimi “Cilësia e raporteve të VNM/VSM të projekteve për HEC-et në Shqipëri” që evidenton mangësitë dhe shmangiet në legjislacionin e hartimit të VNM/VSM.

Dekadën e fundit përdorimi i burimeve ujore për prodhimin e energjisë nga HEC-et (veçanërisht të vogla) është rritur në mënyrë të shpejtë në Shqipëri sikurse në të gjithë vendet e rajonit. Megjithëse kjo është klasifikuar si burim energjetik i rinovueshëm, një numër marramendës prej 501 i HEC-eve pritet të ndikojnë negativisht në ekosistemet natyrore dhe sidomos tek ato me ndjeshmëri të lartë (zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare).

12080861_10207730545972555_694946646_n
Në panel nga e djathta: Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Albania, Valbona Mazreku, Drejtoreshë Milieukontakt Albania, Emirjeta Adhami, specialiste e ujërave INCA/WWF. (c) B. Guri/EcoAlbania
12083940_10207730544412516_1753992408_n
Olsi Nika, Drejtor EcoAlbania, duke prezantuar të dhënat mbi HEC-et në basenin e Vjosës. (c) B. Guri/EcoAlbania

Organizatat mjedisore mbështesin zhvillimin e shoqërisë mbi parimet e qëndrueshmërisë, barazisë mjedisore dhe drejtësisë. Ato vazhdimisht advokojnë për planifikim strategjik të zhvillimit hidroenergjetik, në bazë të vlerësimit gjithëpërfshirës social, ekonomik dhe mjedisor të nevojës për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat duhet të marrin në konsideratë edhe përdorime të tjera të ujit, të tilla si ujë për të pirë, për ujitje, dhe shërbimeve të ekosistemit.

Në të njëjtën kohë këto planifikime duhet të marrin në konsideratë potencialin që ofrojnë lumenjtë për zhvillimin turistik dhe socio-ekonomik të zonave me vlera të rralla, siç është Vjosa- lumi i fundit natyror i cili akoma rrjedh i lire nga burimi në grykëderdhje duke krijuar një ekosistem unik që nuk gjendet në Evropë. Organizatat së bashku me komunitetet e prekura janë të angazhuar sot, më shumë se kurrë në mbrojtjen e vlerave me rëndësi Evropiane si lumi Vjosa dhe tributarët e tij.

Për të realizuar mbrojtjen dhe menaxhimin me kritere pro mjedisore dhe pro zhvillimit të qëndrueshëm, organizatat mjedisore shpalosin një sërë rekomandimesh në nivel politikash strategjike dhe teknike, të cilat pritet të vendosin një balancë të drejtë në këtë sektor.

Duke marrë parasysh rëndësinë e çështjes, pranuar publikisht dhe nga Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama, në Konferencën e 28 Korrikut 2015 “Zhvillimi i burimeve natyrore në harmoni me mjedisin” dhe veçanërisht në mungesë të një kuadri të qartë zhvillimi nga pala shtetërore për këtë sektor, Ne kërkojmë sot masën e parë dhe të menjëhershme për Moratorium lidhur me ndërtimin e veprave energjetike në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare.

REC-logo-PublicOutreach    MKA trasparente  logo EPER     WWF      Logo_Inca_Web   EcoAlbania_LogoPrezantim_Zgjedhur_WEB

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *