Java e Mbjelljes në Vjosë: Rikthimi i Pyjeve të Lumit të Fundit të Egër në Europë

Gjatë javës 16–21 nëntor 2025, EcoAlbania, me mbështetjen e Riverwatch dhe Patagonia, përmbylli me sukses Javën e Mbjelljes në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Kjo nismë bashkon komunitetet, ekspertët, vullnetarët dhe institucionet lokale në restaurimin e ekosistemeve pyjore autoktone përgjatë lumit të egër të Shqipërisë.

Aktivitetet e këtij viti u zhvilluan në kuadër të projektit ReForestVjosa, një nismë afatgjatë e restaurimit ekologjik që synon të rikthejë pyjet natyrore që dikur rrethonin Vjosën dhe degët e saj. Për shkak të kullotjes, shpyllëzimit dhe presionit njerëzor ndër vite, pyjet përreth lumit janë degraduar duke ndikuar edhe në balancën e ekosistemit. Përmes ReForestVjosa, pemët vendase po rikthehen, duke ndërtuar habitate të reja, forcuar brigjet e lumit dhe përmirësuar shëndetin e përgjithshëm të ekosistemit.

Pse ka rëndësi Java e Mbjelljes?

Vjosa nuk është vetëm lumi i fundit i egër në Europë, por edhe një nga ekosistemet ujore më dinamike dhe më të pasura të kontinentit. Megjithatë, shumë nga fushat e përmbytjes dhe shpatet përreth lumit mungojnë në mbulesën natyrore pyjore, e cila është thelbësore për stabilizimin e tokës, reduktimin e erozionit, ruajtjen e biodiversitetit dhe forcimin e qëndrueshmërisë klimatike.

Java e Mbjelljes synon të adresojë këtë boshllëk duke rikthyer vetëm specie autoktone, të përshtatura me kushtet lokale, si shelgu, plepi, lisi, rrjedha, ontari (alder), rrapi dhe frashëri. Këto specie ofrojnë hije, strehim, vende folezimi dhe habitate afatgjata për faunën që jeton përgjatë lumit.

Si rriten pemët?

Të gjitha bimët e përdorura gjatë Javës së Mbjelljes vijnë nga fidanishteja e Tepelenës, e themeluar në vitin 2024 si fidanishteja e parë e dedikuar për Parkun Kombëtar të Vjosës. Këtu kultivohen çdo vit fidane dhe prerje të rrënjosura, të cilat përgatiten për mbjelljet e dimrit.

Kjo qasje siguron:

  • Furnizim të vazhdueshëm me fidane autoktonë,
  • Shkallë të lartë mbijetese,
  • Përputhje të lartë gjenetike me ekosistemin natyror të luginës së Vjosës.

Çdo parcelë mbillet dhe më pas rrethohet për t’u mbrojtur nga bagëtitë dhe ujihet rregullisht gjatë viteve të para të rritjes.

Një përpjekje komunitare

Suksesi i Javës së Mbjelljes vjen nga bashkëpunimi i fortë mes aktorëve. Vullnetarë kombëtarë e ndërkombëtarë, studentë dhe organizata partnere punuan krah për krah me ekipin e restaurimit të EcoAlbania. Kontributi i tyre praktik tregon një përgjegjësi në rritje ndaj Vjosës dhe të ardhmes së saj afatgjatë.

Përveç mbjelljes së pemëve, pjesëmarrësit morën pjesë edhe në diskutime mbi:

  • rëndësinë e specieve autoktone,
  • rolin ekologjik të pyjeve të fushave të përmbytjes,
  • mënyrat se si kujdestaria komunitare ndihmon në mbrojtjen e Parkut Kombëtar.

Këto aktivitete ndihmojnë në rikthimin e njohurive të humbura lidhur me pyllëzimin e qëndrueshëm, një nga sfidat kryesore të identifikuara përgjatë korridorit të Vjosës.

Pjesë e një vizioni më të gjerë

ReForestVjosa është konceptuar si një përpjekje shumëvjeçare që synon të restaurojë mbi 230 hektarë pyje autoktone në të gjithë Parkun Kombëtar të Vjosës. Nisma synon të integrohet plotësisht në strukturën e menaxhimit të parkut deri në vitin 2028, duke garantuar vazhdimësi dhe mbrojtje afatgjatë.

Planet e ardhshme përfshijnë krijimin e një fidanishteje të dytë në pjesën e poshtme të Vjosës për të diversifikuar speciet dhe përmirësuar kapacitetin e restaurimit në nivel të të gjithë basenit lumor.

Mbrojtja e Zemrës Blu të Europës

Java e Mbjelljes nuk ka të bëjë thjesht me mbjelljen e pemëve; ka të bëjë me shërimin e peizazhit, forcimin e një Parku Kombëtar dhe dhënien e reziliencës natyrore që Vjosa ka nevojë për të mbetur e egër, e lirë dhe biologjikisht e gjallë.

ReForestVjosa është pjesë e fushatës ndërkombëtare Save the Blue Heart of Europe, e cila punon për të mbrojtur lumenjtë e fundit të egër të Ballkanit dhe për të siguruar që ata të mbeten të paprekur për brezat që vijnë.