Korporata Ndërkombëtare Financiare e Bankës Botërore (IFC) është financuesi më i madh i projekteve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura në Shqipëri, sipas një studimi [1] të ndërmarrë nga Riverwatch, EURONATUR dhe CEE Bankwatch Network, të publikuar sot.
IFC është mbështetësi kryesor i 4 HEC-eve në zonat e mbrojtura në Shqipëri me kredi dhe shërbime këshilluese me vlerë 139 milionë euro. Përveç kësaj, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar 2 hidrocentrale të vendosura në zona me ndjeshmëri të lartë duke qenë habitate të veçanta për faunën e egër.
Në total, IFC-ja ka mbështetur financiarisht 16 ndërsa BERZH 8 projekte hidroenergjetike në Shqipëri. Kjo përbën më shumë se 80% e 30 projekteve të planifikuara dhe të atyre që janë në prodhim që nga viti 2005, për të cilat janë identifikuar burimet e financimit në Shqipëri nga studimi [2].
Studimi nxjerr në pah se disa nga hidrocentralet e financuara nga BERZH dhe IFC në Shqipëri jo vetëm që kanë nja ndikimin negativ mbi biodiversitetin, por gjithashtu reduktojnë aksesin e njerëzve në burimet ujore dhe përkeqësojnë cilësinë e ujit. Punimet në HEC-in Bistrica 3, afër qytetit të Sarandës, mbështetur financiarisht nga IFC janë pezulluar vazhdimisht për shkak të shkeljeve të parametrave të mjedisit dhe ndotjes e ujit që është shkaktuar. Projekti hidrocentralit të Tërnovës në Dibër, i financuar nga BERZH ka varfëruar burimet e ujit të pijshëm të fshatrave përreth. Të dy projektet janë kundërshtuar fuqimisht nga komuniteti lokal.
Studimi vë gjithashtu në dukje se 75 projekte janë mbështetur drejtpërdrejt me 818 milionë euro nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit [3] në të gjithë Evropën Juglindore. 30 prej këtyre HEC-eve janë brenda kufijve të zonave e mbrojtura. Megjithatë, përveç BERZH-it edhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) kanë dhënë 36 milionë euro për 27 hidrocentrale të vogla përmes bankave tregtare. Ata kanë refuzuar të japin detaje për emrat e projekteve, duke përmendur konfidencialitetin e klientit.
Olsi Nika nga EcoAlbania, njëkohësisht koordinatori për Shqipërinë i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës thotë: “Fakti që bankat shumëpalëshe të zhvillimit kanë financuar hidrocentrale në zonat e mbrojtura në Shqipëri tregon është e nevojshme shumë më tepër siguri – nga vetë bankat, qeveritë që i kontrollojnë ato dhe autoritetet shtetërore shqiptare “.
Të tjera banka dhe mekanizma publike austriakë të financimit, si dhe fondi publik ndërkombëtar kanë kontribuar gjithashtu në zhvillimin e projektit hidroenergjetik “HEC Lengarica”, duke ndikuar në lumin Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egra të Evropës mbetur. Për më tepër 38 HEC-e janë planifikuar në pellgun ujëmbledhës të Vjosës, duke përfshirë edhe 6 HEC-et rrjedhën e sipërme në pjesën greke të lumit.
Kompanitë koncesionare të projekteve hidroenergjetike në Shqipëri janë kryesisht kompani vendore, por që në shumicën e rasteve mbështeten financiarisht kompanitë e huaja, me investime që vijnë nga Italia, Austria dhe Norvegjia. Emiratet e Bashkuara Arabe, së fundmi duket se janë përfshirë në investime për kaskadën e lumit të Shalës, me fuqi të përllogaritur deri në 127MË, e cila do të ndikojë pjesërisht Parkun Kombëtar të Thethit dhe në integritetin e zgjerimin e Parkut Kombëtar Alpeve Shqiptare i cili është planifikuar të zgjerohet duke përfshirë gjithë zonën e Alpeve.
“Në fund të fundit, në qoftë se problemet e shkaktuara nga hidrocentralet nuk do të pengohen në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Evropës Juglindore, i gjithë sektori i energjisë së rinovueshme do të përballet me një reagim të ashpër, kështu që është në interesin e BE-së për të rritur mbikëqyrjen e saj në këtë sektor, nëse dëshiron promovimin e energjisë së rinovueshme në shtetet e saj të reja anëtare dhe të vendeve kandidate për anëtarësim”, komenton Klara Sikorova, studiuese pranë CEE Bankwatch Network.
“Lajmi i mirë është se shumica e HEC-eve që ne kemi marrë në analizë janë aktualisht në fazën e planeve, që do të thotë se jemi ende në kohë që të ndalohet zhvillimi i tyre aty ku është e nevojshme,” shtoi ajo.
Kontakte:
Olsi Nika EcoAlbania/ Blue Heart Campaign
E-mail: [email protected] | Mob. +355 69 29 44 757
Klara Sikorova/ CEE Bankwatch Network
E-mail: [email protected] | Tel. + (420) 274 822 150
Shënime për editorin:
[1] Studimi dhe baza e të dhënave shoqëruese mund të gjenden tek: www.bankwatch.org. Ato mbulojnë Shqipërinë, Bonsje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Vjosa/Aoós pjesa e Greqisë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë.
[2] Një total prej 436 projekte hidrocentralesh janë analizuar duke përfshirë HEC-et e planifikuar si edhe ata që tashmë janë në funksion duke nisur që nga viti 2005 në Shqipëri, duke e kthyer vendin në një lider rajonal në aspektin e numrit të HEC-eve. Shumica e tyre janë vetëm në fazën e planifikimit, të cilat m shumë gjasa nuk kanë arritur një marrëveshje financimi ende, ndërsa të tjerët janë të financuara nga kreditë e bankave tregtare të cilat zakonisht nuk mund të gjurmohen.
‘Burimet e financimit’ përfshijnë kreditë, garancitë, grantet për përgatitjen e projekteve apo shërbimeve për konsulencat.
“HEC” i referohet çdo objekti të veçantë hidrocentrali, kështu që një hua ose garanci mund të mbulojë disa HEC- njëkohësisht, edhe pse klasifikohet si një “projekt” i vetëm nga një financues.
[3] BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe institucionet e Grupit të Bankës Botërore (Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA), Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA).