Parku i liqenit artificial në tiranë edhe pse artificial, është për momentin e vetmja “lidhje me natyrën” e cila është lehtësisht e aksesueshme dhe e arritshme nga qytetarët e Tiranës. Në shumë zhvillime, shpesh edhe të pakontrolluara që kanë ndodhur në këto 25 vitet e tranzicionit, kjo hapësirë e blertë publike është nën presion dhe kërcënim të vazhdueshëm. Megjithatë diku fanatizmi qytetar e diku “jo-mediokriteti” i vendim-marrësve kanë mundur që të ruajnë pjesën më të madhe të tij si një trashëgimi qysh prej krijimit të tij.
Aty në fakt e gjejnë çlodhjen të gjithë: të moshuarit, të rinjtë, të pasurit e të varfërit. Megjithatë ideja (ose më saktë vendimi) për të ndërtuar një kënd lodrash për fëmijët, me arsyen se pikërisht kësaj pjese të shoqërisë parku nuk i ofron diçka është më së paku jo e mirë menduar. Do të ishte e udhës që përtej “ngutjes” në marrjen e vendimeve qeveritarët më parë duhet të përmbushin misionin e tyre si të zgjedhur, pra të qeverisin.
Këndi i lodrave në zemër të parkut padyshim që do të ishte alternativa e fundit për shume arsye objektive. Do mundohem të rendit disa prej tyre.
- Tiranës sot i mungojnë me të vërtetë këndet e argëtimit të fëmijëve. Çdo cep pallati është i uzurpuar me gjithëfarëlloj konstruktesh betoni që shesin më së shumti kafe e të tjera shërbime “argëtimi” në perceptimin shqiptar. Ka edhe nga ato të tjerat që ofrojnë argëtim edhe për fëmijët siç mund të jenë “këndet” me video lojëra. Diku më tutje, Bashkitë që kanë përcjellë njëra-tjetrën kanë realizuar nëpërmjet tenderave edhe ndonje kënd super të betonuar me dy-tre paralele, lisharëse etj. Por veçse këto nuk mund të quhen kurrësesi këndë lojërash në përcëptimin e kohës ku jetojmë. Sepse u mungojnë dy gjëra mjaft të rëndësishme; e para që këto hapësira nuk e krijojnë lidhjen me natyrën dhe e dyta nuk u kushtohet vëmendja e duhur për mirëmbajtje. Në këtë këndvështrim do të ishte më mirë që Bashkia të investonte në këto hapësira të vogla në zonën urbane të qytetit përpara se të “ngutej” të ndërmerrte nisma si kjo e parkut të lodrave brenda parkut të liqenit.
- Nga ana tjetër edhe pse jo plotësisht i prezantuar në publik (përveç disa fotove dhe një modeli video) projekti në fjalë nuk është se i përmbush këto dy kriteret e përmendura më sipër. Beton ose jo, goma, ashkla etj. në mënyrën sesi ky kënd është paraqitur të krijon përshtypjen e një këndi lojërash të atyre llojeve që ndërtohen në zona urbane. Pra shumë pak ndryshim ka nga ato të ndërtuar nëpër cepat e pallateve deri tani.
- Kapaciteti i “trumpetuar” 200’000 fëmijë, në fakt të krijon përshtypjen e dyndjes së ndërtimeve në bregdetin tonë që në fund të fundit koha e tregoi dhe po e tregon se në vend që t’ia arrinte qëllimit bëri dhe po bën pikërisht të kundërtën. Nga ana tjetër Tirana po zhvillohet si një qytet policentrik që do të thotë se fëmijët e saj nuk jetojnë të gjithë pranë liqenit.
- Sigurisht që ka edhe një mjegullnajë për sa i përket procedurës së ndërtimit të këtij këndi, gjë që i ka vënë të dyja palët si bashkinë edhe shoqërinë civile në momente “surprizash” nëpër media të ndryshme. Padyshim që ka nevojë për një konsultim edhe më të gjerë me publikun kur bëhet fjalë për një hapësirë publike kaq të rëndësishme. Argumenti se sipas ligjit nuk ka nevojë as për VNM dhe rrjedhimisht as për leje mjedisore është në fakt një non-sens ligjor. Pra për një servis makinash, të ndërtuar në një cep pallati brenda zonës urbane (pa ndonjë status të veçantë mbrojtjeje) është i detyrueshëm një raport VNM paraprak për të marrë më tej lejen mjedisore, ndërkohë që për një park lodrash për fëmijë, që zë një hapësirë të konsiderueshme të pjesës qëndrore të parkut më të madh të qytetit e që është i një statusi të veçantë mbrojtjeje nuk paska nevojë për një VNM. Kjo sigurisht që nuk qëndron.
E duke u nisur pikërisht nga kjo mjegullnajë e krijuar, qytetarët shpesh-herë “të djegur nga qulli, i fryjnë edhe kosit”, duke dyshuar se ndoshta pas parkut të lodrave për fëmijët do të ndërtohet edhe ndonjë park me lodra për të “rriturit” dhe garancia e dorëheqjes së kryebashkiakut në thelb nuk përbën tashmë asnjë garanci për perceptimin shqiptar.
Për ta përfunduar më lejoni të përmend argumentin e fundit vetëm duke sjellë në dukje fakte: Parku i ndërtuar të zona e fushës së aviacionit është pak a shumë i së njëjtës strukturë dhe model si ky dhe për këtë dua ta marr si analogji. I ndërtuar vetëm 5-6 vjet më parë normalisht duhet të plotësonte kërkesat dhe të kënaqte sytë dhe dëshirat të paktën e banorëve përreth. Hidhini një sy të shpejtë! Shijet që të lë ky vështrim është jo shumë i ndryshëm me atë kur shikon nga Hotel “Dajti”. Mos vallë ky do të jetë edhe fati i këndit të lojërave për fëmijë edhe të parku i liqenit? Apo sigurisht që do të na “shpëtojnë” koncesionarët e shtrenjtë…
Botuar në Gazetën Shekulli
Nga Olsi Nika/ EcoAlbania